Lartmadhëria e tij, aktori! Me këto fjalë të dramaturgut Arthur Miller, aktori shqiptar nga Struga, iu drejtua studentëve të Arteve Liberale, në Universitetin Europian të Tiranës, për t’u treguar rëndësinë që ka aktori në skenë, por edhe jashtë saj.
Me stil të shtruar narrativ, që thyhej herë pas here nga zëri kumbues i Xhevat Limanit, tek citonte Hamletin apo risillte dialogë me tension, kur përplasej me ata që donin t’ia pengonin punën në Teatrin e Shkupit, gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, aktori me një karrierë më shumë së gjysmëshekullore në skenë, rrëfeu jetën dhe dashurinë për teatrin, duke ndarë edhe disa këshilla për brezin e ri të aktorëve, që po përgatitet në UET.
“Aktori është shpirt hyjnori”, iu tha ai studentëve. “Është trinia në krijimtari: autori, ura lidhëse-regjisori dhe ai kryeshenjtori që ka guximin dhe qëndron para publikut me përgjegjësi fizike, morale, emocionale, shpirtërore dhe ekzistenciale…”
Limani ndau me të rinjtë hollësi nga jeta në fshatin, në kufi me Shqipërinë, fillesat si bari, bisedat me drurët e gjarpërinjtë, njohja me tingujt e parë nga mësuesi i fillores e deri te zgjedhja për të studiuar mjeshtërinë e aktorit, në Universitetin e Prishtinës.
“Mbarova gjimnazin, u regjistrova në fakultet. Në një gjeneratë që kishte pedagogë prej Bekim Fehmiut, Faruk Begollit, Anton Çeta, etj., edhe do pedagogë prej Beogradi. Pedagogë shumë të mirë që në atë kohë na mësuan mjeshtërinë. Mirëpo, babai im nuk ishte shumë kënaqur që shkova për aktor dhe mjeshtëria e aktorit nuk kishte ndonjë famë të mirë- në atë kohë shkonin studentët e dobët, por aty mësova që duhet të shkonin ata të shkëlqyerit, që kishin imagjinatë”, do të rrëfente aktori i mirënjohur, në një bisedë për “Forumet UET”.
Ai zbuloi se bashkë me aktrimin, kishte studiuar në Prishtinë edhe Letërsi. “E pashë të udhës – sepse flitej që aktorët merrem veçse me do truke- që veçmas vështirësisë së aktorit duhet të njihnim psikologjinë, lëndë të tjera, patjetër gjuhën, fonetikën, morfologjinë, sintaksën, stilistikën… Pa i ditur figurat stilistike dhe tropet, aktori nuk e di ku është metateza, figura mbretërore, ironia, cinizmi, sarkazmi dhe e ka të vështirë t’i dallojë gjinitë, zhanret, bahet, cilësitë. Kjo larmi e bën luftëtar më konkret, jo të luftojë në mjegull”, i këshilloi Limani të rinjtë.
Pas diplomimit në vitin 1974, ishte shtysa e pedagogut të tij, Anton Çeta, për t’u kthyer në Shkup, ndonëse dëshira e tij ishte të qëndronte në Prishtinë.
“Pasi u diplomova më 1974-n dhe shkova në Teatrin e Shkupit, të gjithë aktorët i kërkonin personazhet përmbi Pazar- kah tregu i morrave që quhej- dhe mendonin se aty do i gjenin. Mirëpo, personazhet duheshin kërkuar nëpër kronika, nëpër histori, nëpër letërsi, nëpër informacion dhe së fundi, nëpër imagjinatë”.
Në Teatrin e Shkupit, në Maqedoni, ai ishte i pari aktor i diplomuar për arte dramatike, ndërsa rrëfeu se hasi shumë amatorë e vullnetarë, të pashkolluar. “…e shumica e atyre pleqve filluan të më urdhërojnë t’u ble byrekë dhe për mua ishte e papranueshme. Pse ishte?! Sepse, ajo që e cilëson aktorin është se, nuk ka artistë pa dinjitet. Kam dëgjuar që thonë “Eh, aktorët janë do argatë aty, kryejnë detyrat”…Nuk është e vërtetë. Rruga nëpër të cilën kam kaluar, ishte një periudhë e Soc-Realizmit, realizmit vetëqeverisës jugosllav, ku shqiptarët trajtoheshin si numra, robotë politikë, për të plotësuar disa norma kushtetuese, ligjore dhe arritën deri në atë pikë saqë teatrin e quajnë ndërmarrje prodhuese…budallakina krejt”.
Ai kujtoi edhe përplasjen e parë me pushtetin e asokohe, ndërsa shprehu mospëlqimin ndaj ministrit të Kulturës, që teatri të emërtohej si ndërmarrje prodhuese.
“I thashë: jeni ministër pa kulturën e ministrit dhe nuk duhet të jeni ministër. Teatri është vetëm teatër, nuk mund të jetë organizatë prodhuese, sepse prodhojnë vetëm ata që janë nëpër ara e fusha. Jemi njerëz që i ka dhënë perëndia një privilegj në krye. Kush ka krye, ai krijon. Për të krijuar duhet imagjinata”.
Limani rrëfeu luftën e tij për të kthyer publikun në teatër dhe për të prezantuar dramaturgjinë shqipe, e cila deri në atë kohë mungonte në Teatrin e Shkupit.
“Bëra një kthesë, e ndërrova repertorin. Teatri është teatër dhe flitet vetëm me gjuhën e nënës. Të tjerat janë pllakate politike. Teatri flitet vetëm me gjuhën e nënës, mbajeni mend!”
Ai zbuloi konfliktet me pararendësit në teatër, të cilët i cilësoi si bashkëpunëtorë të policisë dhe të pushtetit.
“Kur filluam të kthejmë dramaturgjinë shqiptare në repertor – mund t’i lexoni kronikat- ne kthyem publikun. Kishim një pyetje asokohe: A ka 20 veta në sallë, që të luhej shfaqja apo jo. Unë insistova për një vendim: do të luhet edhe me një person, që të mos tradhtohet dhe mashtrohet publiku, sa herë që të vijë. Brenda 100 ditëve, filloi të mbushet salla plot, filluam të mbajmë në ditë nga dy shfaqje dhe nga tri shfaqje dhe ishte një evoluim revolucionar në teatër, me dramaturgjinë shqiptare”.
Limani përmendi edhe një prej arritjeve të Teatrit të Shkupit, në fillim të viteve ’90, në Festivalin Botëror të Teatrove, në Gjermani.
“Me një regjisor kroat punuam “Kurthe të mistershme” dhe në mes të 2745 trupave, në Essen të Gjermanisë, në Festivalin Botëror të Teatrit, në skenën e “Theater der Welt”, me Teatrin “Soleil” të Parisit dhe atë “Kabuki” të Tokios u shpallëm më të mirët për periudhën ‘92-’94. Kjo është arritja kulmore e teatrit shqiptar, jo vetëm në Shkup, por në të gjithë universin”, thotë ai. Shfaqjen, kujtoi më tej aktori, e ndoqi në sallë edhe kancelari gjerman i asaj kohe, Helmut Kohl.
Limani kujtoi gjithashtu kohën, kur sëbashku me aktorët Kadri Roshi, Enver Petrovci dhe Agim Qirjaqi, krijuan Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit. “I sollëm edhe paratë me vete, 33 mijë marka gjermane. Shqipëria nuk kishte para, ishte një farë krize, në ‘92. Paratë i kishin shkapërderdhur, megjithatë i mbajtëm pesë festivale dhe për shkaqe politike – ende nuk e kam të qartë, u mbyll. Dikujt i interesonte të mbyllej, pastaj u hapën, jo festival serb e grek…këta kozmopolitët. Teatri ka edhe mision, nuk e kam misionin të shkatërrojë bërthamën kombëtare.”
Ai zbuloi sesi në vitin 2002-pasi i kishte ndodhur një atentat në Tetovë, në televizione e kishin shpallur të vdekur. “Deklarova te “Zëri i Amerikës” se, shpirti e jep perëndia, jo policia a qeveria dhe kam ndërmend t’ia kthej perëndisë, pasi ta kryej misionin tim”.
Ai tha më tej, se i kishin bërë tre atentate gjatë karrierës së tij, të cilat i kishte mësuar shumë kohë më vonë, kur emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I pari, kujtoi ai, i kishte ndodhur vetëm tri ditë pas martese, ndërsa luante një oficer gjerman në teatrin e Shkupit; një shfaqje pa publik. I dyti, ndërsa interpretonte në një dramë të Anton Pashkut, pistoleta qe mbushur me plumba të vërtetë, që për fat shkrepi në ajër dhe theu prozhektorët.
Ai ndau me studentët, sesi një takim me aktoren angleze Vanessa Redgrave, i dha shtysë krijimit të teatrit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shkova në ShBA, pa ditur asnjë fjalë anglisht. Mbërrita në New Haven dhe rrija buzë oqeanit si peshku në zall, pa ditur çfarë të bëj, nga lëndimet dhe plagët që kisha marrë nga strukturat. Takova një aktore angleze, Vanessa Redgrave, të cilën e kisha shoqëruar në kampet e refugjatëve, gjatë krizës së Kosovës, bashkë me Roger Moore. Më mbeti një lidhje me Vanesën, që nga ajo kohë. Ajo më tha: “Pse nuk merresh me teatrin?” Ithashë se, nuk di anglisht. Ajo më tha: “Nuk je në Ballkan, këtu je në tokën e premtuar. Pse nuk hap një teatër shqip?”
Aktori tha se nuk mori shumë inkurajime nga shqiptarët, pasi themeloi teatrin, ndërsa shumë i thoshin “Nuk hapi teatër Faik Konica e Fan Noli, kush je ti të hapësh teatër?!””
Shfaqjen e parë e dha me një tekst të shkruar vetë. Një satirë politike, dedikuar gjendjes së Kosovës, e cila u prit mirë.
Si atdhetar, i bindur që misioni i teatrit i shërben bërthamës kombëtare dhe se teatri luhet me gjuhën e nënës, nga ShBA Xhevat Limani mendoi të marrë pjesë në konkursin e Ministrisë së Kulturës për veprimtaritë në kuadër të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai dërgoi me poemën dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që mbante autorësinë tij.
Pasi kuptoi se po sorollatej, pa përgjigje nga funksionarët e ministrisë, solli ndërmend edhe përplasjen me ministrin e Kulturës së asaj kohe, post i mbajtur nga Aldo Bumçi në qeverinë “Berisha”.
“Isha shumë i vendosur, i revoltuar. Unë deri në atë kohë kisha luajtur mbi shtatëmijë e ca shfaqje dhe nuk më kishte ndodhur që pas atyre tri seancave, të dilte që ministri ishte ordiner”.
I vendosur për ta ngjitur në skenën, poemën dramatike, si një homazh për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Limani rrëfeu se gjithçka e realizoi me paratë e tij,
“Pasi dhashë premierën e parë më 16 nëntor në Akademinë e Arteve, më 18 nëntor Prishtinë, 20 nëntor në Shkup, pastaj Dibër e Shkup e me radhë, në disa turne dhe deri më 2018-n e kisha shfaqjen gjallë, e kisha vënë në ShBA. As nga ministria e Shqipërisë, as e Kosovës e as Maqedonisë, nuk mora gjë.”
Shfaqjen e vuri në skenë për disa vite, në turne të ndryshëm në Europë, ku zbuloi se për arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e diasporës, por edhe ata të Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë, shfaqjen e dha falas. Ai tha se kishte dështuar ta vinte shfaqjen në tre vende: për shqiptarët e Ukrainës, në Odessa, për shkak të luftës dhe në Beograd, pasi i kërkuan të hiqte disa monologë, që lidheshin me Serbinë dhe në Stamboll, por që siç thotë ai ende nuk ka hequr dorë nga ideja për ta ngjitur atje.
Xhevat Limani ndau me të rinjtë, botimin e tij të fundit, një vëllim me poezi titulluar “Terr a dritë”. Ai është autor i disa libra, ndër ta edhe romani “Artisti pa atdhe” dhe është nderuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Aktori ndau gjatë bisedës me studentë dhe pedagogë të Departamentit të Arteve Liberale në UET edhe hollësi nga jeta private. Ai tregoi sesi kishte shkuar kundër modës së kohës dhe bindjes së përgjithshme se që një aktor me origjinë shqiptare të kishte sukses në federatën jugosllave, duhej të martohej me një grua serbe, kroate apo sllovene. Ai tha se ishte i bindur se gratë shqiptare ishin më të bukura e më të zonjat dhe kështu u martua, me Xhulin, vajzën shqiptare. Ai zbuloi edhe historinë pas emrave të veçantë të dy bijave të tij, Erës dhe Furtunës, të dyja muzikante, të cilat i kishte zgjedhur qëkur ishte vetë fëmijë, i dashuruar pas natyrës.
Ai i inkurajoi të rinjtë, duke iu thënë: “me aktin e të qenit këtu, tregoni se e keni ambicie, dëshirë, ëndërr: askush nuk mund t’ju thotë, “ju nuk dini””.
Ai e vuri theksin disa herë tek rëndësia që ka imagjinata për një aktor. “Në akademinë amerikane të Lee Strasberg është një thënie në hyrje: “Asnjë diplomë, deri më sot, nuk ka folur në skenë”. Diplomë mund të marrësh, shkollat tona kanë nxjerrë shumë diploma, por nuk kanë arritur të nxjerrin shumë aktorë. Jo artistë, pasi është një shkallë më lart se aktori. Artist është ai që krijon, që krijon me imagjinatë, diçka të vërtetë”.
Ai i këshilloi të rinjtë si të fokusohen në skenë. “Krijimi pikës zero në sallë. Të gjithë publikun e fus brenda zeros dhe i çoj lart, pa i prekur muret e zeros. Aty fillon koncentrimi dhe aty e di që ka një zot lart në skenë…ky është privilegji i zotit dhe aty nuk ka të drejtë as gjeneral, oficer, kryetari i shtetit, presidenti, kryeministri të ta marrë këtë.”
Ai iu tha të rinjve të jenë vetvetja, të mos shtiren në skenë, sepse shtirja e dëmton personazhin. Duke kujtuar sfidën me shfaqjen “Prometeu”, në Shkup, ai theksoi edhe njëherë shprehjen e dramaturgut, Arthur Miller, “Lartmadhëria e tij, aktori! Vetëm ai vendos në fund, nuk ka zot tjetër”.