Kryesore

“Xhiro është përgjysmuar”/ Biznesi në Pogradec në vështirësi. Basha: Qeveria ndau më pak se 10 €/banor





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:45 - 04/07/20 |
mapo.al

Shqipëria duhet të jetë e të gjithëve. Taksë e sheshtë 9% , 0.5% taksim per xhiros për biznesin e vogël. Asnjë taksë tjetër, të punojnë lirisht. Karantinë për inspektoratet në vitin e parë të qeverisjes sime


Gjendjen shumë të vështirë të bzineseve të vogla dhe të turizmit në Pogradec, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e përcolli përmes një biznesi familjar me produkte bulmeti. Familja kishte marrë kredi, por, siç tha pronari i biznesit, Artan Ibi, është bërë shumë e vështirë ta paguash, pasi konsumi ka rënë shumë dhe xhiro është përgjysmuar.


“Unë varem nga konsumatori nga populli. Populli e ka buxhetin gati zero. Nuk rrohet vetëm me pensionin si rrojnë shqiptarët. Xhiro ka rënë shumë. Jo ka rënë, po ka rënë në gjysmë. Punojmë 17 orë në ditë, pa asnjë ditë pushim, por shitja ka rënë shumë dhe e kam të vështirë ta paguaj kredinë. Që të mos kem vonesa, detyrohem t’u vonoj paratë fermerëve e t’u hyj në hak”– tregoi vështirësitë e tij pronari i biznesit me një përvojë më shumë se 30 vjeçare.


Mesazhi i plotë i Bashës
E thënë thjeshtë nga goja e një zanatçiu të vjetër, një sipërmarrësi si Artani, ky është zinxhiri i ekonomisë. Kur bie fuqia blerëse, bie qarkullimi, bie shitja e këtij biznesi të vogël dhe sipërmarrësi vihet në vështirësi të shumëfishta, siç u tha. Vështirësia e parë, nuk paguan dot kredinë, vështirësia e dytë, nuk paguan dot mallin që u merr fermerëve. Imagjinoni fermerët – i kemi takuar për dy javë me radhë në zona të ndryshme të Shqipërisë – mëqoftëse nuk janë në gjendje të marrin as paratë e produkteve që shesin dhe pastaj, ata që ua tërheqin prodhimin, siç janë zotëria në fjalë, përpunuesit dhe baxhot e tjerë, nuk kanë as para për t’u dhënë…Kjo është kriza ekonomike, kriza që e ka burimin tek dështimet e njëpasnjëshme dhe keqalokimet e financave publike.


Dje, siç e patë isha në një bisedë, në një vizitë të kryeministrit të Kosovës, i cili është dhe një nga ekonomistët më të shquar të Ballkanit, Doktor i Shkencave Ekonomike, në një nga Universitetet më të njohura të Britanisë së Madhe, i cili më prezantoi me detaje në takimin që pata, planin e tij për të ndihmuar ekonominë e Kosovës. 400 milionë euro paketë për të ndihmuar konsumin dhe sipërmarrjen. Paratë dhe taksat e kosovarëve, qytetarëvë të Republikës së Kosovës, të cilat do të derdhen për të ndihmuar në rradhë të parë konsumin dhe në rradhë të dytë për të ndihmuar sipërmarrjen dhe vitin tjetër kjo paketë do të jetë 1.2 miliardë euro .

Kjo është mënyra sesi një qeveri e përgjegjshme vepron, kur përballet me një krizë, madje kryeministri Hoti më tha fare qartë që shuma prej 400 milion euro që kanë vendosur është e barabartë me shumën që ata përllogarisin që do të kushtojë covidi dhe pasojat e covidit.

Tani shikoni se ç’ka bërë thesari i shtetit i Republikës së Shqipërisë me 100 vjet shtet më të vjetër. Ka shpërndarë deri para një jave 90 milionë euro për mbi 3 muaj karantinë, që i bie më pak se 10 euro për shqiptarët, megjithëse buxheti i Shqipërisë është sa dyfishi i buxhetit të Kosovës, sepse paratë, në vend që të shkojnë tek njerëzit në nevojë, të ndihmojnë konsumatorin dhe, po u ndihmua konsumatori, ndihmohet biznesi, ndihmohet fermeri, fillon funksionon i gjithë zinxhiri i ekonomisë, paratë i mbajnë një grusht njerëzish. Jane paratë tuaja.

Buxheti nuk prodhon para me ndonjë makineri sekrete, janë paratë e taksave që paguani ju .Edhe kur merrni këtë djathin apo këtë shishen e vajit apo diçka tjetër, ju paguani taksën 20 përqind TVSH, paguani tatime, taksa te ndryshme. Kurrë nuk ka qenë më e nevojshme që këto taksa të vijnin tek ju, sepse Artani këtu me sipërmarrjen e tij ka dhjetëra vite që paguan taksa dhe kështu çdo sipërmarrës i vogël kështu çdo biznes prodhues.

Tani ishte momenti që këto taksa të vinin tek ju. Sa kanë ardhur tek ju? Me pikatore. Gjysëm paketa. Dhe ato nuk janë ekzekutuar. 10 euro mesatarisht për banor të Shqipërisë. Nuk krahasohemi, as nuk i vijmë afër as Kosovës me gjysmën e buxhetit tonë. Ky është shqetësimi që kam unë.

Ta dinë të gjithë, edhe ata që mund të mendojnë se kjo është thjesht dhe vetëm një përballje politike. Nuk kam absolutisht asgjë personale. Kam vetëm merakun dhe brengën e thellë timen, që është meraku dhe brenga e thellë juaja se ku po shkon ekonomia? Ku po shkojnë paret e taksave tuaja, që ju janë rritur nga viti në vit? Faturat ju janë rritur nga viti në vit. Çmimet ju janë rritur nga viti në vit. Karburanti më i shtrenjti në Ballkan. Ku shkojnë këto para? Ku zhduken paratë e taksave të shqiptarëve.

Ndaj, dhe receta jonë prej fillimit, formula jonë, plani ynë për t’i paraprirë krizës ekonomike ka qenë paketa e ndihmës prej 19 milionë eurosh në muaj, e cila është injoruar, është përbuzur, është përqeshur është tallur, sepse paratë nuk janë për shqiptarët. Mblidhen nga xhepat tuaj, jua gërryejnë xhepat, por paratë shkojnë te një grup oligarkësh.

Ky është ndryshimi i parë që duhet të vijë, ky është ndryshimi i parë që do të vijë me qeverinë e ardhshme. Ne do të jemi në krahun e njerëzve të thjeshtë, ne do të jemi në krahun e atyre, xhepat e të cilëve janë zbrazur, janë shumica dërrmuese e shqiptarëve sot. Ne do të jemi në krahun e biznesit të vogël, do të jemi në krahun e fermerëve, të biznesit prodhues.

Prioriteti im i parë dhe kryesor do të jetë ringritja ekonomike sepse gjithçka që ka shkuar keq në këtë vend nuk është e rënë nga qielli, por është pasojë e politikave të gabuara, e dështimeve dhe klientelizmit, e një Shqipërie që punon për 5 veta.

Shqipëria s’mund të jetë e 5 vetave. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve dhe këtë kemi parasysh me taksën e sheshtë 9% për biznesin mbi 140 milionë, me taksën 0.5% të xhiros për të gjithë biznesin e vogël nën 140 milion lekë. Asnjë tatim, asnjë taksë tjetër, të punojnë lirisht.

Këtë kemi parasysh me karantinën e inspektorateve vitin e parë të qeverisjes sime të ardhshme. Një vit karantinë do të thotë nuk do të shikojnë inspektorë me sy derisa ne të kemi ligjin dhe zbatimin e ligjit në nivele europiane. Në asnjë vend të Europës nuk vjen inspektori sa hap qepenin e derisa mbyll qepenin, tatimorja, ambjentalisti, higjenisti t’i bëjë terror biznesit.

Këto janë hapa të domosdoshëm për të stabilizuar ekonominë dhe situata sot në Pogradec tregon qartë sesa urgjente janë këto hapa.

Natyrisht, Pogradeci mbetet një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë. Liqeni i Pogradecit është një mrekulli e vërtetë, plazhet janë të bukura, njerëzit janë të jashtëzakonshëm, mikpritja pogradecare është legjendare. Kam filluar të vij në këtë qytet që 10 vjeç me babanë tim dhe, më vonë, edhe me familjen dhe-ne jemi mikpritës si natyrë kudo-por mikpritja pogradecare është legjendare.

Ndaj, le të bëjmë gjithçka për të ndihmuar këta njerëz, për të ndihmuar turizmin, për të ndihmuar rritjen e numrit të pushuesve, të cilët, padyshim, rrisin edhe numrin e bizneseve, që kanë xhiro më të lartë, sepse, siç e tha edhe Artani, kur vijnë pushues, kur rritet numri i pushuesve, pa diskutim, rritet dhe xhiro dhe këtë e ndjen biznesi këtu, e ndjen fermeri, e ndjejnë të gjithë.

Të dashur miq, ju përshëndes këtë të shtunë nga Pogradeci, ku do të vazhdoj takimet me biznesin , me hotelerinë, me qytetarët, ku situata, për fat të keq, vazhdon të jetë e rëndë.

E rëndë është edhe sittuata e COVID-it, ndaj, dua t’ju persëris thirrjen që ju bëra edhe mbrëmë: Ju lutem, merrni masa maksimale, përmes distancimit, përmes maskave në ambjente të mbyllura dhe përmes higjenës.

Qartësisht, qeveria është dorëzuar. Nuk ka asnjë plan, asnjë strategji dhe refuzon të bëjë të ditur çfarë masash po merr për këtë valë të dytë, nëse mund ta quajmë kështu, të infeksioneve, e cila është shumë e lartë dhe që ka zhbërë sakrificën tremujore të secilit prej nesh.

Mos prisni gjë nga qeveria! Merni masa, mbrohuni dhe të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë dhe sa më të madh në atë drejtim nga i cili do të përfitojnë të gjithë shqiptarët me ekonomi, me punësim dhe me mirëqenie dhe jo vetëm një grusht njerëzish.

Ju uroj një të shtunë sa më të paqtë! Mirupafshim!


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas