Betejë epike në Melburn, mes 2 tenistëve më të mirë në botë, të cilët për spektaklin dhe lojën e shprehur meritojnë të dy nga një trofe, por siç e do zakoni vetëm njëri fiton dhe suksesi i shkon numrit 1 të botës, Novak Xhokoviç. Tenisti serb kalon Nadalin në 5 sete, 5-7 6-4 6-2 6-7(5) 7-5 në një sfidë që nisi në 09:00 dhe përfundoi në 15:35. Dy më të mirët e botës në tenis dhanë maksimumin në Melburn por Novak Xhokoviç u tregua superior në momentet vendimtare, sidomos në ato pjesë kur duhej përmbysur rezultati, e duke patur parasysh se vinte dhe nga një përballje tjetër e madhe fizike, nga gjysmëfinalja e gjatë ndaj Mërrej, “Nole” meriton Grand Slamin e parë të sezonit. Fitorja e serbit rrit akoma më shumë avantazhin e tij personal ndaj Rafael Nadal sepse në 6 finalet e sezonit të kaluar, Indian Uells, Majemi, Madrid, Roma, Uimbëlldon e Us Open, Xhokoviç e ka mundur po aq herë rivalin spanjoll. Gjithashtu për serbin ky triumf e çon në 8 numrin e sukseseve në Grand Slam në total për të.