fbpx

Personazh

Xhuli, baristja që kërkoi punë dhe u bë profesioniste





               Publikuar në : 12:17 - 20/10/19 |
Alessia Selimi

Në Tiranë vihet re qartazi se shumë vajza të reja, studente apo të sapodiplomuara, i dorëzohen jetës së lehtë, pa shumë mundime. Ose familja, ose dikush tjetër, partneri në jo pak raste, mendojnë për to. Kryeqyteti është një vend mjaft i vështirë për të jetuar dhe ka kosto jo të vogla. Por, ka shumë të reja që zgjedhin rrugën tjetër, atë të punës, dhe zanateve mjaft të vështira e të lodhshme, që shpesh nuk të sigurojnë një karrierë për të qenë.


Kemi njohur njërën prej tyre. Xhuljetën, 26 vjeç, që vjen nga Librazhdi. Pa shumë njohje e mbështetje në Tiranë, e kërkoi vetë punën dhe e gjeti. Sot është profesioniste. Paguhet dhe jeton mirë. Eshtë një nga baristet më të zonja të qytetit. E thërrasin shkurt, Xhuli.



*****


Të qenurit një bariste në Shqipëri, dikur ishte e vështirë edhe për t’u konceptuar. Një punë tipike mashkullore. Por sot, kohët kanë ndryshuar. E megjithatë, nuk është një profesion aspak i lehtë, ndonëse Xhuli na dëshmon krejt të kundërtën. Në më shumë se tre vite, ajo e ushtron këtë profesion në hotel “Rogner”. Ka qenë pjesë e shumë seminareve dhe trajnimeve në fushën e pijeve, si dhe i ka patur të pashmangshme takimet dhe diskutimet me kolegët e saj, në baret më të mira të Tiranës.

Falë buzëqeshjes mikpritëse, ajo mund të pikaset lehtësisht, sapo t’i drejtoheni hollit qendror. Gjendet pas një banaku me karakter antik, konkretisht Ilir, ku druri dhe mermeri shkrihen më së miri si materiale. Gjatë mbrëmjeve, rrallëherë mund ta shihni të vetme, përballë atyre të paktave karrige të larta, ku stacionohen ata që e njohin tashmë karakterin e saj miqësor, por edhe njerëz që e luftojnë vetminë përmes një gote alkooli.

Rrugëtimi i Xhulit ka qenë i rastësishëm, aspak i parashikuar. E lindur në Librazhd, aty ku ka mbaruar edhe gjimnazin, do t’i drejtohej Elbasanit, për të ndjekur studimet për Gazetari. Kësisoj, si një studente e porsadalë nga sallat e auditoreve, gjendej në kërkim të një pune. Kështu, iu drejtua Tiranës. Në sajë të mospërputhjes së kërkesave të tregut të punës me arsimin e marrë, u angazhua fillimisht si banakiere në linjën e kafeterisë.

“E kisha shumë të vështirë në fillimet e mia. Jam hasur me paragjykime, për vetë faktin e të qenurit femër. Megjithatë, nuk mund të mohoj se kam njohur përgjatë viteve edhe njerëz pozitivë, aspak paragjykues, të cilët më kanë motivuar dhe nuk më kanë lënë të rrëzohem”-thotë Xhuli për gazetën Mapo, duke mos u shkëputur për asnjë çast nga e tashmja.

“Unë kam fatin të punoj në një ambient vërtetë elitar, që më ka larguar në një farë mënyre edhe nga paragjykimet. Klientët që e frekuentojnë janë të huaj, ose intelektualë me një karrierë të gjatë në jetën e tyre, të cilët nuk i kursejnë fjalët dashamirëse përkundrejt meje. Shpesh herë më thonë se shohin tek unë veten e tyre. Ndoshta kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Mirëpo, në këtë betejë të vazhdueshme që kemi me jetën, mirësjellja dhe takti janë kurdoherë të mirëpritura. Për të mos folur më pas për gjithçka që ti mëson, përmes kontaktit të vazhdueshëm me njerëz të tillë.”

Kur e pyesim për vështirësitë që ajo has në një ditë të zakonshme pune, Xhuli sërish nuk na e kursen buzëqeshjen. Duket se, kështu ka vendosur t’i bëjë ballë.“Besoj se çdo profesion ka vështirësitë përkatëse. Për t’u ndalur tek ai i baristes, duhet të përballesh dhe komunikosh çdo ditë me persona, një pjesë e mirë e të cilëve e kanë kohën e limituar, e disa vijnë për të larguar stresin e një dite të lodhshme. Nën luhatjet e humorit dhe shijeve të ndryshme, një barist nuk duhet ta transmetojë kurrë lodhjen e tij. Edhe nëse ka qendruar shumë orë në këmbë, apo ka mbi shpinë një sërë problemesh, klienti duhet të vendoset gjithnjë në vend të parë. Por, nuk është aspak e lehtë të vendosësh dikë të panjohur përpara vetes”-thotë ajo.

Ajo ndalet edhe tek të rinjtë që e frekuentojnë jetën e natës. Në atë çka thotë, nuk ndjehet për asnjë çast një qëndrim paragjykues. Ndoshta, sepse e di shumë mirë se ç’do të thotë të jesh i paragjykuar. “Jeta e natës në Tiranë është shumë e gjallë, ndryshe nga vendet e tjera të Europës, ku baret janë të mbipopulluara vetëm në fundjavë. Baret e kryeqytetit janë të mbushura plot me njerëz, ndër të cilët pikasen më së shumti të rinjtë. Ndoshta për ta nuk ka forma të tjera argëtimi, nuk di ta them me siguri. Por ajo çka mund të them është se shpenzojnë me të vërtetë shumë…”– shprehet Xhuli.

Ajo nuk është nga ata persona që e lidhin gjithçka me punën. “Unë mundohem që t’i mbush ditët me aktivitete nga më të ndryshmet. Një pjesë të rëndësishme zë palestra, ose shëtitjet e vazhdueshme nga Liqeni Artificial i Tiranës. Nuk resht së lexuari dhe më pëlqen edhe të ndjek nga afër shfaqje të ndryshme teatrale. Mundohem gjithashtu t’i krijoj vetes hapësira për të udhëtuar.”

Xhulit i duhet tanimë të largohet. Tek bari ku kalon ndoshta gjysmën e jetës, janë bërë shumë klientë. Tashmë duhet t’i drejtohet koktejleve dhe gotave të alkoolit, që i servir padyshim me shumë dashuri.

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas