Napoli po përballet me një sezon të vështirë, si në Seria A ashtu dhe në UEFA Champions League. Të besuarit e Carlo Ancelottit kanë grumbulluar vetëm 18 pikë nga 36 të mundshme në kampionat, duke qëndruar në vendin e shtatë. Kjo situatë ka përkeqësuar marrëdhënien mes klubit dhe tifozëve,çka pritet të sjellë një eksod masiv.
Futbollisti i parë që mund të largohet është Dries Mertens. Belgu është shumë larg pritshmërive dhe besohet se në merkaton e janarit të bashkohet me Interin.
Sipas mediave italiane, 32-vjeçari po kërkohet me ngut nga klubet kineze. Gjithsesi, Inter është aty duke monitoruar dhe në janar mund të trokasë në derën e Napolit, ku pritet të shpenzojë 10 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij.
Me valixhe në duar është edhe sulmuesi tjetër, Jose Callejon. Spanjolli pëlqehet nga Dalian Yifang dhe është shumë pranë bashkimit me Marek Hamsik dhe Rafa Benitez.
Ndërkohë, Elseid Hysaj, Faouzi Ghoulam dhe Allan janë të tjerë emra që mund të konsiderohen të larguar tashmë, ndërsa për Lorenzo Insigne dhe Kalidou Koulibaly pritet oferta e duhur.