Të gjithë sytë e medias ndërkombëtare ishin sot tek prezantimi i titullit të filmit të fundit të James Bond.
Në nëntor të vitit të ardhshëm, do mund të shijojmë “Spektrin”, filmin më të fundit me agjentin e famshëm.
Por vëmendja u përqendrua jo vetëm tek kasti i shkëlqyer i aktorëve, por edhe tek makina e re Aston Martin, që do përdoret nga aktori Daniel Craig.
E quajtur DB10, ajo ka një dizajn që të lë pa frymë.
Prodhuesi ka preferuar të mos flasë fare- njësoj si agjenti i famshëm- në lidhje me specifikat e makinës, e cila nuk do dalë në shitje dhe do jetë vetëm pronë e filmit.
Në total janë ndërtuar dhjetë modele të reja.
Ata po ashtu nuk kanë zbuluar edhe detaje për gjërat që do përdorë Bond në makinë.
Më përpara në makinë ka pasur një katapultues, raketahedhës e madje edhe një defibrilator.
Ky është 50- vjetori i përdorimit të kësaj makine në filmat e Bond.
Për herë të parë, makina u shfaq në filmin “Goldfinger” me Seann Connery.
Ky është filmi i katërt i aktorit Daniel Craig.
Në krah të tij do jenë Chritoph Waltz, Monica Bellucci, Lea Seydoux dhe Andrew Scott.
Regjisori Sam Mendes është kujdesur për detajet e makinës, ndërsa kompania thotë se ka frikë se rivalët do i vjedhin dizajnin.