Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ishin të pranishëm në mbledhjen e komitetit të rindërtimit. Ambasadorja amerikane nënvizoi se SHBA do të ofrojë dhe ndihmë teknike që donacionet që do të shpenzohen do të bëhen në mënyrën e duhur dhe transparente.
“Mirëpritëm mundësinë të dëgjojmë planet tuaja si të bëni rindërtimin pas tragjedisë pas tërmetit. SHBA është e lumtur që ka qenë pjesë e konferencës së donatorëve. Rezultatet e jashtëzakonshme përbëjnë një shprehje të solidaritetit me popullin shqiptar por dhe një investim simbolik dhe real për Shqipërinë. Është kënaqësi që ne po shikojmë që ju po organizoheni për të realizuar atë process që duhet të jetë transparent llogaridhënës dhe rezultativ. Ky është hera e parë që ju kemi qëndruar pranë në një moment të vështirë por nuk do të jetë e fundit. Do të vazhdojmë të jemi krah jush tju ofrojmë ndihmë teknike për tu siguruar që donacionet nga vendet e ndryshme përfshi dhe tonat do të shpenzohen në mënyrë të duhur në përfitim të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Yuri Kim.
Ndërsa Soreca shtoi se BE do të vërë në dispozicion ekspertë, si dhe tha se do të bëjë të pamundurën që të përshpejtohet procesi i disbursimit në lidhje me donacionet për tërmetin.
“Ne në fakt e kemi filluar procesin, me datë 17 keni firmosur transhin e parë 15 milionësh. Jemi në pikën që në bashkëpunim me PNUD që këto 15 milion të përdoren shumë shpejt. Kemi diskutuar me ministrin si të organizohemi në lidhje me kontributin tonë për ndërtimin. Është e rëndësishme që të jemi të gjithë së bashku. Ju po na sfidoni si BE, ne na pëlqen oferta e ministrit Ahmetaj për të marrë pjesë në strukturën e rindërtimit dhe ne do të mobilizojmë ekspertë që do të vihet në dispozicion.
Do të flasim me ministrin për atashimin e personelit dhe teknikaliteteve. Por ka edhe afate kohore që duhen realizuar, por ne punojë ditë dhe natë që gjërat të zhvillohen. Do të shkoj në Bruksel sonte. Do të mbahet një mbledhje e madhe pas 3 javësh, do të takohem me personat që janë përgjegjës për rimbursimin. Do të bëjmë të pamundurën që procesi i disbursimit të përshpejtohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Pritshmëritë tona janë tejkaluar. Mendoj se pas disa ditësh organizimesh jemi të gjithë të vazhdojmë fazën tjetër. Jo vetëm të jemi të shpejtë, por edhe të jemi efektivë në rezultate. Kjo është një mundësi e re për Shqipërinë, pasi shkohet përtej rindërtimit. Kjo e bën BE-në edhe më të pranishme, pasi ju jeni edhe në proces anëtarësimi. Ne e ndjejmë se e kemi për detyrë për të ndihmuar dhe këshilluar. Ne duhet te jemi pjesëmarrës në këtë proces që të përdoren në mënyrë transparente”, tha Soreca.