Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim apelon sërish që SPAK të jetë funksional, duke thënë se disa persona po përpiqen të intimidojnë gjyqtarët dhe prokurorët.
Pas takimit të sotëm me kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi, Kim ribëri thirrje për bashkëpunim mes liderëve politikë në Shqipëri, përsa i takon kauzave të rëndësishme, sikundër është edhe funksionaliteti i SPAK.
Kim gjithashtu deklaroi se do të jetë në mbështetje të palëve politike për t’u ulur në tryezën e Këshillit Politik.
“Është e rëndësishme pjesëmarrja politike dhe është e rëndësishme që udhëheqësit të lënë anash ndasitë politike, për t’u bashkuar bashkë drejt një objektivi. Unë do të luaj një rol në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Është një lajm shumë i mirë që palët politike si jashtë dhe brenda parlamentit do të bien dakord për t’u ulur sërish. Jam e sigurt që në fund do të mund të arrijnë një kompromis” , tha Kim.
Yuri Kim dhe Voltana Ademi u takuan sot për të dytën herë brenda pesë muajsh, nga takimi online i zhvilluar në prill. Në takimin e parë, Ademi u vlerësua nga ambasadorja për masat e marra ndaj pandemisë Covid-19 në mbrojtje të qytetarëve shkodranë.