Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka deklaruar se nuk do të ketë marrëdhënie me Partinë Demokratike nëse kjo e fundit do të drejtohet sërish nga Sali Berisha.
Në një intervistë për Top Channel, Kim ka theksuar se ajo dhe pasardhësit e saj në krye të ambasadës nuk mund të kenë angazhime apo të pretendojnë sikur ‘çdo gjë shkon mirë” me dikë që është shpallur ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit Amerikan.
Ajo ka theksuar se politika e përgjithshme e SHBA është e tillë që s’ka të bëjë me individin, por s’mund të ndodhë sipas saj që të ‘shkohet në kafe me dikë që është non-grata”.
“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit non-grata. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, ka thënë Kim.
NJOHJA E BASHES
Ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar më tej se ajo njeh Lulzim Bashën si kryetar të zgjedhur të PD-së dhe se do të vazhdojë ta takojë atë.
“Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj z.Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Kim.
PJESE NGA INTERVISTA
Çfarë ndodh në marrëdhënien tuaj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj?
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur non-grata nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.
A e mbështet SHBA kryetarin e PD, Lulzim Basha?
Ambasadorja Yuri Kim: Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj z.Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.
A do të kemi shpallje të tjera non-grata? A do të përfshihen edhe ndëshkimet nga Departamenti i Thesarit?
Ambasadorja Yuri Kim: Kemi një numër mjetesh në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – shpalljet nga Departamenti i Shtetit, shpalljet nga Departamenti i Thesarit, si dhe të tjera. Ndaj, të shohim. Është proces shumë i mbyllur, pra shumë konfidencial dhe nuk kam ndonjë informacion që mund ta ndaj me ju këtë moment.