Jo nga selia e partisë, por nga Salla Universale në Shkup nën interesin e jashtëzakonshëm të medias dhe qytetarëve, partia më e madhe opozitare në Maqedoni publikoi të tjera përgjime, që zbulojnë sipas saj manipulimet e qeverisë Gruevski gjatë procesit zgjedhor 2013.
Pjesë e përgjimeve ishin edhe politikanët shqiptarë Menduh Thaçi dhe Musa Xhaferi.
Një bisedë e regjistruar mes Thacit, lider i PDSH-se dhe shefit të shërbimeve sekrete, Mijallkov fokusohet në favoret për zgjedhjet vendore.
Thaçi i thotë Mijallkovit:
jam këtu për ty deri në vdekje, ndërsa Mijallkov i kërkon ndihmë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, për të votuar për VMRO-në në Strumicë.
Më pas, Thaçi mesazhin ia transmeton Bedredin Ibrahimit, anëtarit të PDSH-së, në KSHZ.
Në një tjetër përgjim Mijallkov dhe zv/kryeministri Xhaferi bisedojnë për të kontrolluar Gjykatën Administrative.
“Duhet të takohem me Abdulaqim Ademin dhe të shohim pastaj”, thotë Xhaferi, duke kërkuar një shërbim prej Mijallkovit në Gjykatë Administrative për një rast në komunën Dollnen.
Mijalkov i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese. Pas publikimit të materialeve të shumta për manipulimin e zgjedhjeve, lideri i opozitës maqedonase akuzoi kryeministrin Gruevski se ka pasur si qëllim ta arrestojë, duke bashkëpunuar me një biznesmen, që siç tha Zaev tentoi ta korruptonte.
Ai kërkoi dorëheqjen e qeverisë, të prokurorit publik, krerëve të televizionit shtetëror dhe krijimin e një qeverie kalimtare deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
E ndërsa opozita publikonte përgjimet, ministria e Brendshme kallëzoi penalisht Zaev se në cilësinë e kreut të komunës Strumicë ka përfituar 200 mijë euro per privatizimin e një trualli.