Kryesore

Zaret e Ramës dhe avantazhi i Opozitës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 01/08/20 |
Nga Erald Kapri

Fitorja që nuk mund të kontestohet është ajo në fushën kundërshtare.


Ndeshja për zgjedhjet e ardhshme do të kryhet në fushën e Ramës teksa ai imponoi rregulla loje të njëanshëm për t’i dhënë vetes një avantazh në pazar politik. Në fakt, historia politike e Ramës është e gjitha e tejmbushur me taktika për t’iu shmangur votës.


Teksa përballja finale me të po afron, në vitin e 23-të të pushtetit, ngjashmërisht me Putinin, opozita duhet të përballet me të pavarësisht disavantazhit në tavolinë.


Lëvizjet e Ramës janë të lexueshme dhe kësaj radhe të motivuara nga frika. Ndryshimet e njëanshme kushtetuese mund t’i kthehen në bumerang vetëm nëse opozita garon e unifikuar përballë tij, që asnjë votë të mos humbasë. Rama kërkoi të shmangë këtë gjë duke menduar se heqja e koalicioneve do e nxjerrë PD dhe LSI veç në zgjedhje, me llogarinë se ai do jetë forcë e parë për të marrë mandatin për kryeministër, e që me anë të pazareve mund të sigurojë një tjetër mandat. Dukshëm, kreu i qeverisë nuk ka kalkuluar një listë të përbashkët të opozitës, ose beson se shkrirja e logove do ulë peshën e tyre elektorale.


Por nuk ka shkencëtar që i jep Ramës fitore në tavolinë. Rama po kërkon precedentin e 2017-s ku koalicionet u hoqën në minutën e fundit. Një lëvizje, që krahas dosjeve 184, 339 e më the të thashë, ai mori mandat të pacenuar. Por, një llogaritje matematike me votat e 2017-s, në kulmin e pushtetit të Ramës, nëse PD dhe LSI do ishin bashkë, Rama nuk do tejkalonte 69 mandate.

Në fakt, Rama i bëri një favor opozitës. Ai nuk zbuloi vetëm frikën e tij në zgjedhjet e ardhshme por detyroi të gjithë ata që mendojnë se ai duhet të lërë pushtetin, e që janë shumicë e dukshme, të bashkohen në një front. Ndryshe nga llogaritja e Ramës, opozitës i erdhi mundësia që t’i bëjë të gjithë bashkë, të rinj e të vjetër, të majtë apo të djathtë, sepse nuk ka rrugë tjetër. Lista e hapur tejkalon çdo dyshim se mbështetësit e opozitës nuk votojnë një logo të përbashkët, pasi në rend të parë dalin emrat e individëve. Eksperienca e Kosovës e dëshmon këtë fakt.

Në këto kushte, opozita nuk ka më kohë për të humbur. Loja e Ramës dëfton se i gjithë diskursi publik para zgjedhjeve është “hiq e vër koalicionet” apo “hap e mbyll listat” duke shmangur vëmendjen nga korrupsioni dhe oferta e mundshme opozitare. Alibitë ranë ndaj opozita ka të gjithë kauzën pas vetes, edhe përballë ndërkombëtarëve, për të nisur rrugëtimin drejt rotacionit.

Opozita ka shansin të njësohet me kërkesën e shumicës së shoqërisë për të ndryshuar qeverisjen, ose më mirë, të rrëzojë këtë model korrupsioni e pangopësie. Rrëzimi i këtij modeli vjen vetëm duke sjellë një model ndryshe. Në vend që të debatojë me Ramën, tashmë opozita duhet të ndryshojë diskurs dhe me listën e kandidatëve t’i dëshmojë shoqërisë ngritjen e një Shqipërie tjetër. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri me integritet, që lufton korrupsionin, që çliron ekonominë nga monopolet dhe krijon shanse të shumta për ta.

Në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë thjesht humbës dhe fitues. Një fitore e Ramës nuk do të ishte humbje e opozitës, por humbje e gjithë shoqërisë dhe një gjenerate të tërë që pret që ngjyrat e shpëlara të viteve 1990 dhe personazhet e tyre, të ikin bashkë me tranzicionin.

Zaret u hodhën. Opozitës i duhet tjetër lëvizje, dhe jo me zare kumari si Rama. Ajo duhet të kalojë Rubikonin për t’u përballur me guxim ndaj shkëlqimit të rremë të propagandës së Facebook-ut.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas