Një person ka mbetur i plagosur pasditen e sotme në Pogradec. Burime bëjnë me dije për Panorama.al se i plagosuri ka shkuar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Plagosja në Pogradec ka ndodhur si pasojë e një konflikti te hershëm mes 3 personave te përfshirë në konfliktin e sotëm.
Sipas informacioneve plagosja e sotme ka lidhje me atentatin e dy viteve më parë të ndodhur në 12 gusht 2020 ku u qëllua drejt hotel Voloreka.
I plagosuri i ditës së sotme është djali i pronarit të hotelit, tek dhoma e te cilit ne gusht të vitit 2020 u zbrazën dhjetra plumba.
NJOFTIMI I POLICISË
“Plagosën me armë zjarri gjatë një konflikti të çastit një shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes. Më datë 25.04.2022, rreth orës 16:00, në Spitalin e Pogradecit është paraqitur për mjekim, jashtë rrezikut për jetën, i dëmtuar në këmbë shtetasi J. M., i cili dyshohet të jetë plagosur në lagjen “Voloreka”, me armë zjarri tip pistoletë, gjatë një konflikti të çastit, nga dy shtetas të tjerë. Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e policisë dhe nga veprimet e para u bë e mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar konkretisht shtetasit F. B. dhe G. M. Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.