Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që më datë 23 mars ku do të mblidhet Kongresi Zgjedhor i saj, do të jetë afati i fundit ku do të përcaktohen kandidatët për bashkitë në gjithë Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes së ditës së sotme që zgjati rreth 60 minuta, mësohet se kreu i PS-së ka theksuar se me nisjen e sesionit të ri parlamentar, në fillim të janarit do të vendoset për krerët e Komisioneve Parlamentare dhe pjesëmarrjen e ministrave të shkarkuar ditën e premte.
Me emërimet e reja, mbetet vakant posti që mbante Erion Braçe, ai i Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë.
Po ashtu i lirë mbetët dhe vendi që mbante, Eduard Shalsi, si kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.
Dhe posti i Bledi Çuçit, si nënkryetari i Komisionit të Integrimit dhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Ndërkohë që për të “sistemuar” në komisione janë, Ministri i Jashtëm në detyrë, Ditmir Bushati, ministri në detyrë, Arben Ahmetaj, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe ministri i Bujqësisë në detyrë, Niko Peleshi.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, Rama tha se Ditmir Bushati pas lirimit nga detyra do t’i përkushtohet qarkut të Shkodrës dhe të jap kontribut në Këshillin e Integrimit Europian, strukturë që drejtohet nga opozita dhe nga kryetari Genc Pollo.
Vendimi për caktimin e posteve të krerëve të komisioneve do të merret pas pushimeve, ku pritet të ketë dhe lëvizje të krerëve aktual të komisioneve parlamentare.
Ndërkohë që gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla ka paraqitur dhe kalendarin javor deri më datë 30 qershor.
Ndërkohë që më datë 4 janar, PS do të ndezë motorët e fushatës dhe do të fillojë mbledhja e këshilltave të koordinimit.
Mësohet se kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së Kryesisë ka ripërsëritur piketat të cilat vendosi gjatë mbledhjes së Asamblesë.
Teksa ka vënë theksin tek mandati i tretë dhe tek mesazhet që i ka thënë protesta e studentëve.
“Unë ju ftoj të gjithëve që edhe ndryshimin e qeverisë ta shikoni si pjesë të një reflektimi dhe të një kapërcimi të domosdoshëm, për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do të na çojnë në fitoren e mandatit të tretë.
Studentët na kanë dhënë të gjithë mundësinë që ne të lexojmë se cila është rruga për të marrë mandatin e tretë, jo për vete, por për Shqipërinë dhe për të gjithë ata që do të jenë të acaruar gjithmonë me ne, por që duhet gjithmonë të besojnë te ne.
Nuk diskutohet që ministrat që largohen sot kanë një rol tejet pozitiv në gjithçka që ne kemi bërë dhe në transformimet që ne kemi sjellë. Do të ishte absolutisht e pavërtetë nëse do të thuhej që sot ndryshimi vjen si rezultat i dështimeve”, u shpreh Rama gjatë Asamblesë./PANORAMA