Nga Adriatik Doçi
‘Drejtoresha Ermioni Cekani më kërkoi 3 mijë euro për një vend pune’
Një denoncim konkret dhe tarifat e pazarit për emërimet në shkollat e Kamzës. A do të vihet në lëvizje tani Prokuroria?! 70-80 për qind e emërimeve janë bërë jashtë portalit. Në shkolla ka muratorë, agronomë, ekonomistë, mësues rusishteje etj.
Portali i famshëm ‘Mësues për Shqipërinë’, në Zyrën Arsimore Kamëz, është thjeshtë një perde propagande, pas të cilës fshihet një mozaik pazaresh me emërimin, transferimin dhe largimin e mësuesve. Njeriu kyç për zbatimin e kësaj skeme është përgjegjësja e Zyrës Arsimore, Ermioni Cekani, por të përfshirë janë edhe deputetë si dhe një lukuni sekserësh.
Në hakun kohor 2014-2018, 70-80 për qind e mësuesve të emëruar në shkollat e Kamzës, nuk figurojnë në portal. Gjithashtu, në shkollat e Kamzës, një pjesë e mësuesve janë emëruar jashtë profilit.
Në shkolla janë bërë emërime që nuk kanë asnjë lidhje me sistemin arsimor, si agronomë, ekonomistë, mësues rusishteje, njerëz pa diplomë, muratorë etj.
Në shkollat e Kamëz janë emëruar edhe persona të diplomuar universitetet private, të mbyllur nga Ministria e Arsimit, si piramida arsimore.
Ky degradim i arsimit në Kamëz është mundësuar pikësëpari nga ndërhyrjet e pamëshirshme politike, nga lidhjet klienteliste, lidhjet krahinore, mungesa e thellë e respektit për ligjin, mentaliteti se ‘partia na mbron nga drejtësia’, verbëria partiake dhe forca e ryshfetit. Sot po ndalemi tek elementi i fundit.
Këto ditë, në forma të ndryshme, kam marrë me dhjetëra denoncime për degradimin e arsimit në Kamëz. Ka denoncime konkrete për emërime dhe transferime abuzive. Ka gjithashtu denoncime për tarifat e ryshfetit, në këmbim të punësimit në një nga shkollat e Kamëz.
Një shtetas, mesazhi të cilit do t’i vihet në dispozicion Prokurorisë, thotë se përgjegjësja e Zyrës Arsimore në Kamëz, Ermioni Cekani, i ka kërkuar ryshfet 3 mijë euro, në zyrën e saj, në këmbim të punësimit në një nga shkollat në periferi të Kamzës.
Rasti duket i veçantë, pasi shitblerja e vendeve të punës, mundësohet kryesisht nga sekserët e besuar, si masë për t’i shpëtuar kapjes në flagrancë nga policia dhe prokuroria.
Sekserët janë partiakë të besuar të drejtoreshës, por edhe drejtorë shkollash. Sa i takon tarifave fikse të pazarit, sipas denoncimeve konkrete, një emërim në zonat periferike kushton 3 mijë euro, ndërsa brenda qytetit 5 mijë euro.
Mbetet për t’u parë roli i ryshfetit në tërësinë e emërimeve të paligjshme në të gjitha institucionet arsimore, nën juridiksionin e Zyrës Arsimore Kamëz.
Kjo përdhosje e arsimit është stimuluar edhe nga një kornizë e paqartë ligjore, sa i takon emërimit të mësuesve, problem ky që është trajtuar hollësisht në një raport të Komisionerit për Shërbimin Civil.
Ermioni Cekani, në dhjetor të vitit 2013, humbi duke u renditur e katërta në garën e shpallur nga Ministria e Arsimit, për drejtimin e një prej degëve të arsimit në Tiranë. Megjithatë, në janar të vitit 2014, falë lidhjeve politike, u emërua në krye të Zyrës Arsimore Kamëz.
Ky është një akt i rëndë për barazinë dhe meritokracinë në Shqipëri. Ndërkaq, nga janari i vitit 2014 deri në datë 13.10.2017, Ermioni Cekani e përdori zyrën arsimore të shtetit në hapësirë dhe mundësi për të shitur librat e saj, të botuar në Shtëpinë Botuese ‘POLIS’, ku pronar është burri i saj, Sejdin Cekani.
Nën frikën e largimit nga puna apo të ‘internimit’ në zona të thella, mësuesit e kthyen në argatë të saj, duke reklamuar dhe shitur librat e saj. Si mos të mjaftonte kjo, Ermioni dhe Sejdin Cekani, zhvilluan trajnime në Shqipëri dhe Kosovë, duke u shpërndarë certifikata mësuesve, në mënyrë të paligjshme, pasi programet e trajnimit nuk ishin akredituar nga Ministria e Arsimit.
Kur inspektorët e Inspektoriatit të Lartë Deklarimit, Kontrollin të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave e mori në pyetje për këtë çështje, Ermioni Cekani u tha se trajnimet i kishte bërë për hobi.
Të gjitha këto janë të faktuara, por mbetet mister se çfarë interesi tjetër kishin Ermioni dhe Sejdin Cekani, të kryenin trajnime dhe të shpërndanin certifikata të paligjshme, përpos krijimit të mundësive të reja për të shitur librat e Ermioni Cekani, të botuara nga shtëpia e tyre botuese.
Shënim: Të gjithë ju drejtorë shkollash dhe mësues, të cilët keni marrë urdhër të më shani në mënyrë të organizuar dhe të mbroni klloçkën e korrupsionit, ju mirëkuptoj.