Një varrezë masive e quajtur nekropol është zbuluar në jugperëndim të Francës, pranë qytezës Saintes.
Varreza është gjetur 250 metra larg amfiteatrit të Saintes, ku ka pasur një varr masiv dhe disa varre individuale.
Trupat e katër të rriturve dhe një fëmije janë gjetur ndërkohë që besohet se aty janë hedhur të vdekurit pas luftimeve në amfiteatër.
Amfiteatri i Saintes përdorej për betejat midis gladiatorëve dhe kafshëve të egra në kohën e Romës së lashtë.
Sipas arkeologëve këto varreza i përkasin shekullit të dytë dhe të parë para lindjes së Krishtit.
Skeletët e të varrosurve janë gjetur me pranga dhe zinxhirë hekuri në qafë dhe mendohet se kanë qenë skllevër që argëtonin publikun romak.
Nuk janë gjetur artifakte përveç katër vazove dhe dy monedhave në sytë e një fëmije.
Sipas një tradite të lashtë romake, monedhat vendoseshin në sy për të paguar varkëtarin i cili besohej se transportonte të vdekurit në lumin që ndante botën e të gjallëve me botën e të vdekurve.