Një 38-vjeçar nga Elbasani është arrestuar nga policia e kryeqytetit dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi vodhën në Gjermani një “Lamborghini Huracán” me vlerë 250 mijë euro. (makina që shihni në foto)
Në një njoftim për mediat, policia tha se operacioni “Luxury cars” çoi në kapjen e trafikantit të mjeteve motorike si dhe sekuestrimin e makinës.
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e posaçëm “Shqiponja” ka finalizuar me sukses operacionin “LUXURY CARS”, duke parandaluar dhe goditur një rast të trafikimit të mjeteve motorike, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.
Falë një pune të mirëorganizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas, një automjet i tipit “Lamborghini Huracán”. Ky mjet nga shteti gjerman më datë 30.07.2019, është deklaruar i vjedhur.
Shërbimet e Policisë pas kotrolleve të kryera, kanë konstatuar autmojetin dhe menjëherë bën bllokimin e tij.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Stuttgart, Gjermani, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Trafikimi i mjeteve motorike’’ dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale’’.
Policia shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale, shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpuntor).
Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së automjetit luksoz në Gjermani me qëllim shitjen e tij në Shqipëri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro.
Materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.