Aktualitet

Zbulohet historia e trishtë e jetës së Nuf Zekës, 80-vjeçarit që u prangos për protestën tek Kryeministria








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:35 - 17/02/19 |
mapo.al

Mes dhjetëra të arrestuarve e proceduarve për protestën e 16 Shkurtit tek Kryeministria është edhe 80-vjecari nga Fishta e Lezhës, Nuf Zeka. Gazetari Martin Dedaj përmes një statusi në facebook ka bërë publike jetën plot vuajtje e persekutime të 80 vjecarit. Regjimi komunist i ka pushkatuar të atin, e më pas persekutuar atë dhe familjarët. Ai është arrestuar edhe herë të tjera nga policia pikërisht për protestat kundër qeverisë së majtë.


Saga e Nufit të Zadrimës…


Nuf Zeka apo shkurt “Nufi”!.. Kështu njihet në Fishtë dhe më tej por emri i tij është Ndue Zef Fugaj (Ndoci). Ai dhe familja e tij ka një histori sa të dhimbshme po aq të trishtë. Ka qenë vetëm 3-vjeç e gjysëm kur i pushkatojnë pa gjygj babain e tij Zekën, vetëm pse ai ishte kundra komunistëve që erdhën në pushtet pas Nëntorit të vitit 1944. Mbi familjen dhe të afërmit e Zef Ndocit (njohur edhe Zek Fugaj) filloi një kalvar i pashoq, vijuar nga një jetë e vështirë plot vuajtje dhe persekucione. Familja cilësohet kulake, ju hoqën triskat e frontit, u degdisën në punët më të vështira, dhe u privuan nga çdo e drejtë qoftë edhe elementare etj.
* * *
Nuf Zeka prej vitesh ruan si gjënë më të shtrenjtë një fotofrafi të dalë me prindërit dhe njërin vëlla, pak kohë përpara se ti pushkatonin të atin. Nufi në foto është ai djali i vogël (majtas) i cili është rritur, burrëruar dhe po plaket së bashku me këtë fotografi. Sa e sa herë e ka mbajtur nën jastek dhe ka fjetur me këtë foto, me mallin fëminor për të atin. Mall i cili kurrë nuk i’u shua, pasi pabesia komuniste do ta ekzekutonte pa gjygj Zekën, babain e Nufit, së bashku me një grup antikomunistësh të tjerë.


Me lot në sy dhe duke ju dridhur mjekra, Nufi fshan mbi fotografinë teksa e ledhaton kujdesshëm atë dhe shprehet: -“Kam qenë krejt i vogël dhe si një ëndërr e keqe më kujtohet lajmi i zi, se na pushkatuan babën. Na kapi një vaj i madh a thua se na kishte rraf kush. Por nana jonë e dashur Mrika (dritë pastë) e bija e Hilë Gjokës në Korthpulë, na mblodhi rreth votrës dhe përpiqej të na pajtonte dhe largonte disi dhimbjen. Unë jam fëmija i fundit por dy vllaznit e mi Shtjefni e Frani (të cilët kanë ndërruar jetë) dhe motra ime Dila, asokohe kanë qenë më të rritur dhe e kanë ndjerë më shumë sesa unë dashurinë dhe dhimbjen e babës, të cilin na e pushkatuan pa gjygj misionarët e kuq të komunizmit, të cilëve më shumë se çdo gjë tjetër u interesonte pushteti i tyre i pas luftës. Na ka rritur nana me shumë mund dhe sakrifica. Gjithçfarë metodash dhe marifetesh dhune dhe terrorri është ushtruar ndaj nesh, nga forcat e sigurimit dhe ato të pushtetit të kohës por ne, falë zotit ndonëse me vështirësi mundëm ti përballonim këto situata mjaft të vështira”.


Persekucioni vazhdon…


Bijtë e etërve janë si vetë ato, në mos më keq akoma, pasi u’a kanë tejkaluar atyre. Të pangopur me masakrat e etërve të tyre, sikur të mos mjaftonte rritja jetim e Nufit dhe fëmijëve të tjerë, pa përjetuar dashurinë prindërore madje pa i ditur për gjysëm shekulli as varrin të jatit, persekucioni mbi familjen Fugaj (Ndoci) vazhdon ende.

Nufi piketohet dhe vihet në shenjestër, duke u shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit Nr. 1 Tiranë, me pretekstin absurd të pjesëmarrjes në protestën paqësore të 8-Dhjetorit 2015, organizuar nga Partia Demokratike, në Ditën Kombëtare të Rinisë.

Pasi kishin marrë mirë të dhënat (a thua se deri në atë kohë Nufi kishte qëndruar në ajër), segmente të caktuara të shtetit, zgjedhin pikërisht datën 22-Dhjetor 2015, dy ditë përpara Krishtëlindjeve kur Nufi teksa po hynte në traget në Durrës, pasi kishte planifikuar të kalonte Kshnellet (Krishtlindjet) në Itali tek fëmijët, nipat dhe mbesat e tij dhe të çmallej me ta, pasi nuk i kishte parë prej kohësh. Por ndalohet nga forcat e policisë dhe shoqërohet për në Komisariatin e Policisë Durrës, ku i komunikohet “arsyeja” e ndalimit. Menjëherë janë vënë në dijeni disa deputetëvë të PD, të Durrësit të cilët kanë kërkuar sqarime rreth ndalimit të tij dhe më pas interesimi i drejtpërdrejtë i deputetit të Lezhës Aldo Bumçi, ka bërë të mundur që “ I rrezikshmi dhe shumë i kërkuari” Ndue Zek Fugaj, njohur edhe Nuf Zeka, të shoqërohet për në Komisariatin e Policisë Nr. 1, ku pasi është marrë në pyetje, është mbajtur për disa orë në dhomat e paraburgimit dhe më pas lirohet në orët e vona të natës. Por pa mundur të shkojë në Itali tek fëmijët, ashtu siç e kishte planifikuar.

Njësoj siç bënë të pafetë ideologjikë komunistë, që u prishën kishat dhe xhamitë besimtarëve në atë “revolucion famëkeq kulturor” të vitit 1967, kështu vepruan edhe xhelatët e pafe të “Rilindjes”, që pengojnë qytetarët të gëzojnë me fëmijët e të afërmit e tyre në ditë të shenjta, si nata e K’shnellave, siç vepruan me Nufin e Zadrimës, i cili në 25-vjetorin e krijimit të PD Lezhë, përshëndetjen që mbajti përpara demokratëve e bëri me duar të lidhura me zinxhirë, duke sintetizuar mësëmiri fytyrën e vërtetë të qeverisjes vrastare të rilindjes, që simbol të saj ka burgun dhe vetëm burgun.

Gjithashtu ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe jo vetëm dhe sidomos të rinjëve që të ngrihen si një uragan e të frymëzojnë një lëvizje mbarë popullore për të këputur zingjirët, me të cilët shqiptarët janë prangosur në këto vite të qeverisjes së ashtëquajtur të “Rilindjes”.

…dhe sërish Nufi mbrëmbjen e datës 17 Shkurt 2019, është marrë dhe shoqëruar për në Tiranë, me pretekstin se paska “sulmuar” kryeministrinë një ditë më parë teksa mori pjesë në protestën e opozitës. Sesa forcë mund të ketë një 80-vjeçar për të sulmuar njeri e aq më tepër kryeministrinë, siç është Nufi këtë mund ta dijnë vetëm ata që kanë sajuar akuzën ndaj tij?!

*Shkrimi i Martin Dedajt është marrë me shkurtime


Etiketa: , , , , ,

Pas