Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Trinomi”.
Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Dean Gega, 28 vjeç, banues në Kurbin, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Ylli Pali, 24 vjeç, banues në Burrel, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Fushë Milot, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të banesës së shtetasit Ylli Pali, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrolllit në banesë u konstatua se këta shtetas kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe kishin ndërtuar një dhomë shtesë, pa leje.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xhovani Ndreca, 53 vjeç, banues në Milot, Kurbin, me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin, pasi dyshohet se ka lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që furnizonte ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 271 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, 2 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për kultivimin e bimëve narkotike etj.
Nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.