Policia e Tiranës ka zhvilluar një aksion antidrogë në Tiranë, ku është zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit në Ndroq. Në pranga ka rënë 3 shtetas, janë proceduar dy të tjerë dhe është shpallur në kërkim një 32-vjeçare e cila kishte përshtatur banesën për kultivimin e drogës.
U arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. D., 29 vjeç për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim;
– Q. H., 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– E. M., 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjithashtu u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Pinet, shtetasi E. K., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë Rajonale e AMP Tiranë u procedua në gjendje të lirë punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6:
– A. M., 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit.
Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, shtetasja R. Xh., 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë.
Shtetasja R. Xh., banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin E. D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhysjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim.
Gjatë kontrollit të telefonit të shtetasit E. M., iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.