Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një skemë mashtrimi që kryhej nga tregtarë makinash luksoze në bashkëpunim me agjentë doganore, të cilët shmangnin taksat e automjeteve. Burime nga akuza e kryeqytetit konfirmuan se janë dërguar në gjykatë kërkesat për miratimin e 10 urdhër-arresteve.
Të njëjtat burime saktësuan se hetimi për këtë rast ka nisur prej 4 muajsh dhe është konkretizuar këtë javë. Hetuesit kanë mundur të zbardhin edhe skemën e mashtrimit të personave, emrat e cilëve për momentin mbahen sekret, raporton Klan.
Makinave luksoze me fuqi motorike mbi 3 mijë kubikë u plotësohej në doganë dokumentacion i falsifikuar, duke u ulur fuqinë motorike nën 3 mijë kubikë, në mënyrë që të shmangej taksa e luksit.
Marka e preferuar e këtij grupi ishte Range Rover. Janë rreth 120 makina të tilla, të cilat janë futur në vendin tonë me këtë skemë dhe dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit konsiderohet i lartë.
Hetuesit llogarisin si dëm shkaktuar shtetit rreth 1.5 milionë lekë të reja për çdo makinë, për mospagim të taksës së luksit në dogana dhe TVSH-së nga ulja së vitit të prodhimit, nëpërmjet uljes së vlerës së makinës.