Aktualitet

Zbuloni 50 vite Shqipëri në muzeun më të veçantë të Tiranës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:00 - 08/01/20 |
Alessia Selimi

Ju është mërzitur realiteti, nga zhurmat, debatet, smogu, telenovelat me të cilat po përballeni cdo ditë? Doni të ndryshoni atmosferë? Makina e kohës nuk ekziston, por diçka e ngjashme gjendet në Laprakë. Le të kthehemi 50 vite pas. Nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë sesa kaq për t’u transportuar në të shkuarën. Në hapësirat e bollshme të një garazhdi prej 200 m 2, ruhet me fanatizëm një pasuri e madhe, mjetesh, relikesh, objektesh që nga koha e luftës e deri në fund të diktaturës. Një koleksionist i apasionuar e ka bërë këtë gjë. Arben Prrenjasi, ish-zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit në vitet 92-97, prezanton Shqipërinë e izoluar dhe të shtypur. Nga biçikleta e ushtarëve të parë italianë që erdhën në vitin ’39 e deri tek luksi i byroistëve të fundit. Një muze i vërtetë, i gjallë.


Pavarësisht trishtimit që është i pashmangshëm, ky udhëtim mbart aromë vitesh të errëta dhe jo pak ngjyra. Si dëshmia më e mirë e një pasioni të pashtershëm e këmbëngulës, koleksionisti brenda Arbenit do ta niste të gjithën në moshën 40-vjeçare, kur do të bënte të tijën një makinë ushtarake të periudhës së komunizmit, të njohur si Zis. Më pas, nuk u ndal më. Zisi u pasua nga automjete, motoçikleta, kokore e helmeta, uniforma dhe pajisje të kamuflazhit të përdorura nga Sigurimi i Shtetit. Për t’i qëndruar besnik dëshirës për të udhëtuar pas në kohë, por edhe për të riprojektuar vizualisht jetesën përgjatë sistemit komunist, Arbeni ka koleksionuar çdo objekt të mundshëm që mund të pikasej asokohe në shtëpinë e oborrin e një familjeje shqitare. Por ka një rregull. Çdo gjë vetëm shqiptare, ose e përdorur në Shqipëri.


Le të shëtisim paksa në seksionin e biçikletave dhe motoçikletave. Mes të tjerash spikat një “Bianchi” italian i vitit 1939. Tepër i njohur në vitet ’50 nga biçiklistët tanë, të cilët duhej të pajiseshin medoemos me leje përdorimi. Si relike shumë të rralla hasen edhe biçikletat me motorr si “Acylon” francez i vitit 1923, Mosquito i vitit 1948 apo Sparta hollandeze e vitit 1952. Të pozicionuara ashtu hijerënda, me tërë dashurinë e një koleksionisti serioz, u bashkangjitet edhe një disk biçiklete prej druri që mban datëlindjen 1903. E kaluara po fillon të bëhet edhe më pushtuese. Më tutje fillon sesioni i motoçikletave. Bazuar në vitet e përdorimit të tyre, janë të renditura plot 30 të tilla; Guzzi (1934), BMW (1960), JAWA (1948-1987), MZ (që datojnë nga viti 1956) dhe IFA (1952). Në një qoshkë të ambientit, ku drita bie më kryeneçe se në çdo tjetër hapësirë, pikasen motoçikletat e Policisë Rrugore së bashku me uniformat, kaskat e mjetet e tjera ndihmëse.


<
>
FG1_3956 FG1_3960 FG1_3964 FG1_4053 FG1_4059 FG1_4065 FG1_3970 FG1_3979 FG1_3981 FG1_3987 FG1_3996 FG1_4019-3 FG1_4050 FG1_4072 FG1_4085 FG1_4141 FG1_4145

Arbeni nuk i është shmangur as koleksionimit të Vespave. Tepër xixëllonjëse e elegante, të stërpërdorura nga viti 1981, rrezëllijnë jo pak emancipimin e shoqërisë. Por nuk shihen vetëm Vespat që kanë përshkuar asokohe me qindra herë rrugët e pastra të qytetit. Miniaturat e kësaj motoçiklete, të përdorura jo rrallë herë për qëllime zbukuruese, shihen në ndjekje të njëra-tjetrës dhe me një sërë ngjyrash. Të vendosura në radhë janë edhe automjetet e transportit. Ndër to ia vlen të përmendim limuzinën e Byrosë (1976), ku mendohet se i pari ka hipur diktatori Enver Hoxha, si edhe klasiken e sertë të zezë korb, “Mercedes Benz” , e cila thuhet se ka qenë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku.


FG1_4160FG1_4160

E ndërkohë që një faqe e tërë muri është e ledhatuar nga vjetërsia e librave të mbledhur, është e pamundur të mos tundohesh nga dhoma e improvizuar e ndenjes dhe ‘sekreteve’ që ajo mbart. Një bufe gjigante prej druri, televizori Lura (’80), pasardhësi i Iliria, divanet…të gjitha treguese të mirëqenies së një familjeje në pozita të asaj kohe. Aty ku mbizotërojnë punimet prej druri, është e pamundur të mos i nënshtrohesh krahasimeve të periudhave, e aq më tepër kur njihesh me shampon 20 lekëshe, pastën e dhëmbëve Kolodont dhe sapunin 15 lekësh. E megjithatë, në mendje më vërshoi një shprehje e shkrimtares polake Janina Ipohorska: “Një grua e bukur dhe e vjetër është një mrekulli e artit”. Në atë moment nuk po arrija t’i jepja një kuptim, por pasi u hasa me një radio të 1936-ës, të marrë në Korçë nga një prej tregtarëve më të mëdhenj të asaj kohe, u justifikova më së miri. Koleksioni i Arben Prrenjasit, më bëri ta shoh Shqipërinë e viteve 1939-1990 si një grua, e cila është sprovuar së tepërmi nga rrethanat me të cilat e ka përplasur jeta. E duke vijuar ta mendoj në këtë lloj forme, me një tufë të ashpër thinjash metalike, ajo më duket më e bukur se kurrë. Këtë bukuri, të parë në tjetër formë, Arbeni e transmeton pikërisht në sajë të mjeteve dhe objekteve të ruajtura, të cilat jo pak herë u janë nënshtruar restaurimit.

FG1_4019FG1_4019FG1_4120FG1_4035FG1_4107FG1_4150FG1_4080FG1_4126

Këtu shfaqet në skenë një tjetër personazh me ndihmesë të jashtëzakonshme; Medi Halili. Si një njeri i rritur mes motorrash dhe automjetesh, ai është personi që në bashkëpunim të ngushtë me Arbenin, u dha jetë mjeteve duke kryer riparimin e rigjenerimin e tyre. Të gjitha janë në gjendje pune. Motorat e vjetër dhe xhipat e diktaturës. Së fundmi, para pak muajsh i ka përdorur në një film i njohuri Remo Girone, i cili u mahnit nga ajo pasuri.

Këtë flotë unike mund ta shohim në Maj, kur të bëhet një paradë. Përrenjasi, jeton mes Shqipërisë dhe Kanadasë, por ka themeluar këtu një biznes të sigurisë, që njihet si Arb-Security. Do të jenë pikërisht punonjësit e kompanisë së tij ata të cilët do të dalin një ditë pranvere në rrugët e Tiranës dhe do ta bëjnë muzeun shëtitës.

Koleksionisti ka edhe më shumë. Ky është një aneks. Në vende të tjera ruan edhe muzeun e armëve të përdorura gjatë luftës dhe gjatë viteve të regjimit. Po ashtu, ka makinat e mëdha, deri tek traktorët. Përrenjasi synon në të ardhmen t’i mbledhë të gjitha në një ambient, që nuk ka dyshim se do të jetë muzeu ndoshta më i vizituar në Shqipëri e mbase pika më atraktive turistike e Tiranës.

Fotografitë janë realizuar nga fotografi Florion Goga


Etiketa:

Pas