Zëdhënësi i ri i qeverisë Christos Tarantilis e quan vendim historik dërgimin në Kuvend të projektligjit që parashikon shtrirjen e ujërave territoriale të Greqisë në Detin Jon në 12 milje.
“Kjo materializon një vendim me rëndësi historike, pasi Greqia do të zgjerojë territorin e saj për herë të parë pas vitit 1947“, tha Tarantilis.
Ai tha se komiteti parlamentar për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen do të fillojë debatin mbi projekt-ligjin të martën.
Seanca e dytë me diskutime do të zhvillohet në 15 janar dhe projektligji do të merret në shqyrtim nga Parlamenti në datën 19 janar.
Ai tha se “ligji parashikon gjithashtu që Greqia rezervon të drejtën sipas ligjit ndërkombëtar për të shtrirë gjithashtu ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në pjesën tjetër të vendit”.
Gjithashtu, zëdhënësi i qeverisë greke foli edhe për forcimin e forcës ajrore.
Tarantilis deklaroi se Greqia do të blejë 18 avionë francezë të tipit “Rafale”. Avionët e parë pritet të mbërrijnë gjatë 6 muajve të ardhshëm.