Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka thënë deputetëve gjermanë se po ndërtohet një lloj i ri i murit të Berlinit, duke e ndarë Evropën mes lirisë dhe shtypjes.
Ai falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj gjatë pushtimit rus.
Por ishte e pakëndshme për shumë deputetë të dëgjonin teksa ai kritikonte politikën gjermane për energjinë dhe interesat e biznesit, të cilat kontributin në krijimin e këtij muri ndarës.
Gjatë javës së kaluar, Zelensky ka dhënë një master-class sesi t’ua përcjellë mesazhin e tij aleatëve.
Të mërkurën, ai iu drejtua Kongresit Amerikan, duke iu referuar Pearl Harbor dhe sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Të martën ai i kërkoi parlamentit të Kanadasë që të imagjinonte nëse bombat dhe raketat do të binin në Toronto, Vankuver dhe Edmonton.
Javën e kaluar, fjalimi i tij në Dhomën e Komunave në Londër ishte pjesërisht një homazh ndaj fjalimeve të Winston Churchill gjatë kohës së luftës.
Fjalimi i tij emocionues në parlamentin gjerman, Bundestag, ishte po aq i përshtatur për të tërhequr audiencën e tij, duke zgjehdur një paralele historike. Disa nga audienca e tij u rritën në Gjermaninë Lindore komuniste pas Murit të Berlinit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, negociatat dhe angazhimi i ashpër i Gjermanisë me Moskën kontribuan në rënien e Murit të Berlinit dhe ribashkimin gjerman.
Që atëherë, Gjermania është përpjekur të përdorë lidhjet tregtare, biznesin dhe energjinë për të integruar një Rusi paqësore në Perëndim.
Por pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin tre javë më parë ka shkatërruar shumë nga ato aspirata. Konsensusi i përgjithshëm politik në Gjermani tani është se kjo mund të ketë qenë qasja e gabuar me qeverinë gjithnjë e më autoritare dhe kleptokratike të Putin.
Presidenti Zelensky shprehu indinjatën që disa biznese gjermane po operonin ende në Rusi. Gazsjellësi i diskutueshëm, tashmë i anuluar, ruso-gjerman, Nord Stream 2 ishte “çimento për atë mur të ri” që ndan Evropën, tha ai. Ngurrimi i vazhdueshëm i Gjermanisë për të lejuar Ukrainën në Bashkimin Evropian ishte “një tjetër tullë” në atë mur të ri.
“I dashur zoti Scholz, rrëzojeni këtë mur”, i kërkoi ai kancelarit gjerman, duke përsëritur kërkesën historike të Presidentit amerikan Ronald Regan drejtuar sovjetikëve në vitin 1987 teksa qëndronte pranë portës së Brandenburgut në Berlin.
Shumë ministra gjermanë që e dëgjojnë, pajtohen me të. Partia e Gjelbër, e cila në koalicionin e ri qeverisës, që është përgjegjëse për politikën energjetike brenda Ministrisë së Ekonomisë, ka vite që bën fushatë kundër Nord Stream 2.
Edhe ata që dikur mbështetën gazsjellësin kanë ndryshuar mendje. Deri kohët e fundit, Z. Scholz ende i referohej asaj si një çështje biznesi jopolitike.
Por ndërsa trupat ruse u mblodhën në kufijtë e Ukrainës, pak para pushtimit, ai papritur njoftoi se tubacioni i sapopërfunduar nuk do të hapej.
Duke përdorur një tjetër analogji gjermane të Luftës së Ftohtë, në fjalimin e tij Presidenti Zelensky tha se Ukraina kishte nevojë për një transport ajror dhe një zonë ndalim-fluturimi për ta mbrojtur atë, ashtu si Berlini Perëndimor i Luftës së Ftohtë ishte shpëtuar nga transporti ajror i Aleatëve në 1948-49.
Ai i kujtoi gjithashtu Gjermanisë përgjegjësinë e saj për të kompensuar krimet naziste në Ukrainë, duke thënë se qytetet e Ukrainës po shkatërrohen për herë të dytë në 80 vjet.
Fjalimi i Presidentit Zelensky u përshëndet me duartrokitje të gjata dhe ovacione.
Partia kryesore e opozitës, CDU konservatore, shprehu zemërimin që pas fjalimit, dhoma vazhdoi të diskutonte mbi biznesin normal parlamentar, në vend që të debatonte për luftën në Ukrainë. Tranzicioni sigurisht u prish siç njoftoi presidenti parlamentar, mes bërtitjeve nga deputetët e opozitës, nga një mesazh urimi të planifikuar për ditëlindje.
Presioni po rritet nga Ukraina dhe nga votuesit gjermanë, për t’i dhënë fund varësisë gjermane nga importet ruse të energjisë.
Qeveria gjermane po planifikon të ndalojë importet e naftës dhe qymyrit rus këtë vit, sapo të gjenden burime të tjera. Berlini argumenton se një ndalim i papritur do të dëmtonte Gjermaninë më shumë se Rusinë, duke shkaktuar papunësi masive.
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck, është tani në një turne të stuhishëm global për të grumbulluar energji. Pas një vizite në Norvegji dje, ai njoftoi një marrëveshje për të rritur importet e gazit norvegjez dhe këtë javë do të fluturojë për në Katar.
Kjo mund të mos kënaqë votuesit gjermanë. Në sondazhe shumica thonë se duan një embargo të menjëhershme ndaj energjisë ruse. Në sondazhe të tjera një shumicë dërrmuese e votuesve gjermanë thonë gjithashtu se kostot e energjisë janë tashmë shumë të larta./BBC- MAPO