fbpx

Mapo Letrare

Zemër motre 





               Publikuar në : 16:00 - 20/07/19 |
Nga Anila Dahriu

Tregim nga Anila Dahriu


 



Zemër motre


Ajo po vështronte fjollën e kuqe te zjarrit, qëndronte përballë oxhakut me duart e shtrira përgjatë drurë të ndezur nga flakët e tij. Ndiente afshin e ngrohët te tyre, ndihej mirë dhe pas disa sekondash, vetëdija e humbte nëpër skuta të errëta të një mendimi të vetëm e të plotë.

I vëllai ishte dënuar me vdekje dhe pas Vendimit të Gjykatës së Kasacionit, nuk mund të pritej një dënim me lehtësues, ndoshta një jetë të ngrysur nëpër qelit  e nëndheshme të minierave, ku punonin të gjithë të dënuarit e politikës.

Nga foletë e syve të ënjtur rrëshqisnin vetëm lot dhe psherëtima të forta që dilnin nga thellësia e kraharorit,nuk e ndalnin ritmin e tyre, por groposeshin nëpër rrugët e thella të humnerave pa kryqe.

I vinte keq për veten, për njerëzit e saj të dashur. I vëllai atje diku në qoshe të një biruce pa ngrohje, pa dritë, në një dëshpërim të plotë.

Ajo po ngrohej, shtrihej përgjatë vatrës për të ndier afshin e ngrohët të saj dhe pse ndiente dhimbjen e plotfuqishme për fatkeqësinë që i kishte rënë familjes së saj.

Po i vëllai, ç’po bënte ato momente? Ndoshta ndeshej me vështrimin e hekurt të portës torturuese dhe brenda atyre mureve nuk ndiente asgjë të gjallë përveç ftohmës, përçmimit dhe përbuzjes që vetë jeta reale i kishte shërbyer “si në një pjatë të argjendtë”. Tani ndoshta me thonjtë e gjatë po shkruante  në muret e burgut dhe derdhte hapur dhimbjen dhe poezitë që e kishin tradhtuar dhe braktisur në mëshirë të fatit, apo kërkonte të thithte atë pak dritë të kaltër që depërtonte nga një dritare e vogël dhe kufizuar dhe e veshur nga hekurat e trasha. Aty qëndronte i mbyllur dhe i aneksuar nga zhurma e përditshme e kurtheve shtazarake, të cilat më parë i luftonte me shpirtin e tij të vendosur. E tashmë ishte kthyer në një krijesë për të kërkuar mëshirë, sipas tyre…

Jo! Ai brenda vetes kishte forca të pashtershme, të cilat i ngrinin moralin dhe instinkti i mbijetesës e merrte në krahët madhështor dhe së bashku fluturonin drejt një hapësirë të pakufishme.

I kishte vënë gjoksin përballë dhe luftë të hapur kujtdo që po i prekte atë dëshirë të etshme të tijën, lirinë për të jetuar jetën.

Ajo u përmend nga gjumi. Nuk e kishte kuptuar atë dremitje të lehtë, vetëm kur e ëma e kishte prekur nga supet. Jashtë po binte shi, një shi i cili sa vinte e fryhej nga shtrëngatat e njëpasnjëshme.

Koha premtonte ditë plot e përplot me shi. Vështroi me keqardhje të ëmën, e cila ishte ulur në një minder afër vatrës dhe tirrte pak pambuk të bardhë të mbetur nga prodhimet e verës së vjetshme. I shtohej dhimbja në kraharor sa herë e shikonte atë  fytyrë të pikëlluar dhe hollake nga brenga që e kishte strukur në një kënd të robtuar nga tragjedia e të vëllait. Ditët kalonin dhe ajo po shuhej si një qiri i mbrëmjes.

Fytyra dukej e zeshkët nga rrezet e diellit, kur shkonin arrave për të punuar dhe e rrudhosur para kohe. Kur kishin arrestuar të vëllanë gjithë familja ishte degdisur në një fshat të humbur të veriut dhe të gjithë punonin në kooperativë, të vetmuar dhe larg syve të botës, dukeshin sikur kishin sjellë murtajën në atë vend të humbur. Nëna e saj ishte mjaftë e re në moshë, por këto vitet e fundit i kishin marrë freskinë dhe dëshirën për të jetuar.

Shiu vazhdonte të binte me ankesat e tij të padurueshme dhe llafazane, prekte çdo gjë me lagështinë e tij të zhurmshme dhe në këto çaste sillte kërcitje trishtimi dhe një vetmi mjaft të ndjerë.

Megjithatë ndjente një lehtësim brenda vetes. I vëllai ishte brenda, jashtë ftohmës dhe shiut. Paksa makabre dhe e hidhur kjo diferencë. Ai i mbyllur në kasafortën e vdekjes, ndjeu tmerr kur mendonte këtë.

U ngrit pa thënë gjysmë fjale mori xhezven dhe ngrohu pak kafenë për të ëmën. I ishte bërë zakon ky rit në orët e vona të pasdites të pinte me të një filxhan kafeje.

“Helmi mbjell helmin” -thotë, një fjalë e urtë popullore. Por ja, në këtë rast ky lëng i zi sikur hyn brenda shpirtit dhe lehtëson venat e tij të padukshme, të nxjerrë atë papastërti të së keqes. Të iknin diku nëpër ato skuta të fshehta që kishin ngjyrë monokrome e të pavlefshme.

U ul pranë të ëmës duke i vënë filxhanin e kafesë pranë dhe e vështroi tinëz.

Pije nënë, pije-i pëshpëriti dhe i afroi buzët pranë filxhanit akoma të nxehtë ku dilnin avujt njëri pas tjetrit.

Ah- klithi shpirti. Sa do të dëshironte të ishte dhe i vëllai dhe të tre të gjendeshin afër flakëve të zjarrit duke biseduar kaq ndjeshëm për atë çfarë ëndërronin ai dhe ajo për të ardhmen.

E ëma ndiente nota lumturie kur shihte bijtë e vet, tek çuçurisnin si dy zogj të gëzuar.

“Ti Roza, a mund ta imagjinosh, se një ditë unë mund të bëhem mjaftë i famshëm? – i thoshte ai, me sytë që i shndrisnin si një skifter në fluturim.

Ai shkruante poezi të bukura, vetëm që çelësi i tyre duhej të rrinte i fshehur, nga gjurmët që ndiqnin këtë shekull të kuq, me pranga dhe zinxhirë.

-Po – i përgjigjej ajo – talenti yt një ditë do të mbretërojë mbi shpatullat e botës së re. Atje ku unë dhe t’i duam të dëgjojmë atë këngë të lirë të shpresës – dhe e vështronte me dhembshuri motre.

Po sot, ku ndodhej? Në mes të errësirës. Dikush kish zbuluar këtë çelës ku në errësirën e mbledhur si urithët me një llambë të mekur, kishin zbuluar të vërtetën. Vargjet ku ishte gdhendur fjala e lirisë dhe e dashurisë.

Dashuria, kjo magji e skalitur me sakrificën e prerjes së kokës së tij në gijotinë. Ku gjaku të rridhte mbi tokën e tharë nga zifti i të keqes,dhe ndoshta do të mbillte lulet e saja të pa lulëzuara dikur, por sot ishte e mundur. Ajo, dashuria po priste kryet e të vëllait.

Fytyrat makabre prapa skenave trilluese përqeshnin rrugët e lyera me gjakun e tij. Të ulur rreth tryezave kërkonin gjak të ri si vampirët e natës, sepse liria për ta ishte një fjalë heretike dhe vështrimi apo prekja në shtrat të ngrohtë sillte vdekjen e tyre. Ata nuk mund të jetonin pa errësirën. Drita shuante çdo shpresë për mbijetesën e tyre shtazarake. Kërcitje dhëmbësh nëpër terr dhe mjaullima lutëse si kafshët e plagosura në agonin e tyre, të cilat presin momentin të të copëtojnë edhe pse janë gati të hedhur në atë humnerë të kobshme.

Ku, fjalët e hidhura si një helm gjarpri, pasoheshin nëpër dhoma të mëdha dhe me plotë dritë nga ujqër që prisnin këtë ditë. Dhe nuk flinin të qetë pa hakmarrjen, sepse shpirti i tyre ishte i sëmurë nga deliri. Dhe këtë radhë flakët e ndëshkimit kishin përpirë të vëllanë, një djalë dy metra i gjatë, flokë kaçurrela dhe me sy blu si thellësia e detit, me vështrim të largët drejt qiellit si një skifter që kishte marrë fluturimin nëpër qiej mjaftë të turbulluar.

Jeta tani ishte gati për të paraqitur vdekjen. Ato të dyja të rrethuar nga ngrohtësia e oxhakut, luteshin.  Kujt?

Zotit, jetës apo trishtimit…?

Nëpër rrugët e pluhurosura ndiheshin fjalë të pëshpëritura, kush me keqardhje,e kush me egërsinë e zilisë. Natyra i kishte sajuar njerëzit në brendësinë e tyre, si qenie që rridhnin kulmin dhe kuptimin e saj nëpër prehje, që të çonte në një det të hapur me mendime të kthjellëta ose të shqyera nga ligësia e përbrendshme e tyre dhe të kësaj kohe, me një realitet asnjanës ose të përgjithshëm.

Sa ironike! Kujt mund t’i besoje? Të gjithëve? Kush ndodhej afër tyre? Askush, përveç flakëve të zjarrit që herë herë zgjasnin gjuhët për të rrëmbyer shtresën e mendimeve.

Të gjithë ishin strukur si iriqi në gushën e tyre. Ku helmi që kishte gëlltitur vëllanë e Rozës mos të afrohej nëpër portat e tyre si mallkimi i Xhuzepes për fatin e Faraonit dhe banorët e Egjiptit të lashtë.

Ishte me i shtrenjtë egoizmi dhe nëpërkëmbja tek ata. Kjo farë shkatërruese që mbillej kudo dhe tek foshnjat akoma të pa kopjuara nëpër shtëpitë e tyre.

U ngrit, mori një cigare, nuk kishte pirë kurrë. Po sot, ky helm e qetësonte. E nesërmja ishte ditë e zezë. Ajo nuk do të shihte me atë engjëll që mbrëmjeve shkonte pranë saj dhe e mbulonte me shtresat e krevatit. Pastaj e puthte në ballë dhe shkonte të flinte tek dhoma tjetër ngjitur tek e saja. I thoshte fjalë të ngrohta që vetëm një vëlla mund ti thoshte motrës. Ajo nuk do të shihte atë shkëlqim të thellë blu  të syve të tij, që do të përhumbnin në mynxyrat e kësaj jete. Në një shpellë ku do të mbyllte portat dhe ajo netëve do të ulërinte nga dhimbja. Do të shtrëngonte grushtet fort nga hidhërimi dhe nuk do të mundte të fshihte lotët e nënës së tyre, sepse vdekja do ta përpinte si një pemë e vyshkur.

Nuk do të gëzonte mëngjesin që lind përherë për të,sepse ishte e pafuqishme. Sepse dhimbja ishte më  e fortë dhe e gërryente si koha drejt tek kockat, ku hiri i tyre do të bëhej shtrat çdo natë.

Por një ditë ajo shpresonte, koha do të rrezatonte këtë perde dhe do të hidhte rreth vetes një dritë të fuqishme, të cilën klithjet e maleve do ta dëgjonin. Ajo për këtë duhet të jetonte, sepse zëri dhe trupi i të vëllait të mbijetonte në lirinë e vargjeve të kësaj poezie jete të pa jetuar.

Një ditë vjeshte e athët, ku gjethet kishin marrë ngjyrën e plotë të vyshkjes, mbërrin një xhip përpara shtëpisë së tyre. Quaje shtëpi, sepse nga momenti në moment mund të shembej në tokë. Kush mund ta rregullonte ajo apo nëna e saj që po plakej çdo ditë me ditët që iknin? Dy burra të veshur me kostume të zeza, seriozë kërkuan atë. Ajo fshihu duart me një pece të njomë dhe u përgjigj me një zë të hollë dhe të ngrirë nga habia. Kush vall ishin dhe çfarë donin nga ajo. Ata përshëndetën me gjysmë zëri dhe i thanë që ishin të degës së brendshme të policisë. Vajza nuk u ndje aspak. E hutuar mori një pamje serioze dhe priti. Ata i drejtuan një zarf të bardhë ku gjendej adresa ku kishin burgosur të vëllanë. Kishin muaj pa marë lajme dhe kjo ditë ndoshta do të ishe fatlume, ose një dit e zezë. Ata ikën duke përshëndetur në heshtje drejt xhipit që u nis me të shpejtë duke lënë një fjollë pluhuri pas tyre.

Ajo hapi zarfin, e ëma ishte mbështetur tek shtylla e shtëpisë  me duart të mbërthyera para gjoksit. Ishte e zverdhur e tëra dhe këmbët kërcu nuk mbanin më trupin e brishtë. Roza u mblodh lëmsh për atë që po lexonte. Mynxyrë dhe tragjedi. I vëllai, e lajmëronin që kishte pësuar një aksident në minierë dhe pas një lëngate të gjatë ishte shuar atje, i vetmuar në spitalin e burgut. Çfarë t’i thoshte të ëmës që nuk kishin patur të drejtën dhe ta shihnin për herë të fundit. E ëma, sakaq u rrëzua përdhe, kishte kuptuar çdo gjë. Murtaja kishte lyer fundin e tyre.

Kaluan vitet. Ajo gjendej para oxhakut e vetme me filxhanin e kafes dhe cigaren që i bënte shoqëri. E ëma pas disa muajsh kishte ikur bashkë me eshtrat e të vëllait, që nuk diheshin ku i kishin varrosur. Çdo të diel shkonte ta takonte në varreza dhe pranë saj ishte shkruar dhe emri i tij. I uronte paqe nënës së vet dhe uronte që atje në mosdijen e të diturës ajo të kish gjetur të vëllanë me shpirtin e saj të bardhë,me shpirtin e një nëne të vuajtur që u përhumb në dhimbje nga zërat e tronditës të natës.

Vështronte horizontin. Atje larg do të mbërrinin dhe vargjet e të vëllait, do të mbijetonin në këtë hapësirë shumëkombëshe.

Shkruajtur 1995

 

 

 


Etiketa: ,

Pas