Një memorial i ngritur në Tiranë në nderim të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi mbetet kryeargument i diskutimeve në rrjetet sociale. Por duket se tensionet janë përcjellë edhe tek vetë memoriali.
Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur mbi të letër higjenike dhe sende të tjera në simbol të refuzimit të këtij memorialit në vendin tonë. Mbi të është lënë një letër ku shkruhet: “Respekt për këdo që nuk jeton më, por ku monument nuk na përket neve, i përket ish pushtuesve tanë. Bërë në datë 11.08.2019, paqësisht në vend demokratik”.
Ndërkohë nga selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku përcolli urimet për festën e Kurban Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi çështjen e memorialit të vendosur nga ambasada turke pranë Parkut të Liqenit Artificial.
Veliaj theksoi se në këtë zonë janë mbi 50 pika ku përkujtohen ngjarje apo individë të ndryshëm dhe se për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti.
“Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre. Pushime të mbara të gjithëve dhe gëzuar festën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se ata që ankohen për këtë çështje, as nuk u ka rënë në mendje për atë pjesë të Parkut e cila dikur ishte zaptuar e mbuluar me ferra e plehra.
“Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor. Lart, në katin e dytë të Komunitetit Mysliman lashë duke u përqafuar drejtuesin e të krishterëve me drejtuesin e myslimanëve. Kjo është fryma e kësaj feste, të fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë. Tek Liqeni dhe në të gjithë Tiranën ka vend për të gjithë”, theksoi Veliaj.
Por ndërkohë gazetari Blendi Salaj thotë se nuk ka gjetur askund një njeri që shpreh një argument logjik pro këtij memoriali.
“160,000 të ndaluar, 77,000 të arrestuar formalisht. 130,000 të pushuar nga puna ndër ta 6000 akademikë. 143 gazetarë në burg. 7000 ushtarakë të arrestuar, ndër ta 58 gjeneralë. 151 të dënuar me burgim të përjetshëm. Ky është bilanci tjetër i 15 korrikut 2016 në Turqi. E ndërkaq, nuk ka asnjë ndjenjë antiturke mes nesh, edhe pse 500 vjet tjetërsuese nën perandori mbeten të hidhura. Një monument kushtuar Ataturkut, apo miqësisë shqiptaroturke nuk do kishte ngjallur asnjë polemikë, jo më, zemërim. Po kërkoj, por nuk gjej asnjë njeri që shpreh një argument logjik në favor të këtij monumenti, dhe nga sa shihet nga reagimi, shqiptarët nuk duan të rreshtohen politikisht, aq më pak pa dijeninë e tyre,” shkruan ai.
Para dy ditësh, Zëri i Amerikës theksonte: “Duket se bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë, pasi në Shqipëri, nuk rezulton të ketë monumente dedikuar ngjarjeve të ndodhura në një shtet të huaj, siç ishte rasti i grushtit të dështuar të shtetit, për të cilin autoritetet turke fajësuan klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO”.
Sipas VOA, kryeministri Edi Rama është vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta, me kreun e shtetit turk.
LEXO EDHE: