Deputeti i opozitës parlamentare, Alban Zeneli i kundërpërgjigjet socialistit Damian Gjiknuri ndaj propozimeve të reja për reformën zgjedhore.
Sipas tij, Gjiknuri po kërkon të ndërhyjë me artifica ligjore dhe formula që sjellin deformimin e votës së qytetarëve, ndonëse nuk do t’ia arrijë.
Zeneli shpreh bindjen se për të parën herë zgjedhjet e 25 prillit do të jenë të qytetarëve, jo të kryetarëve dhe sejmenëve të tyre.
Ai gjithashtu risjell në vëmendje dosjen 184, me subjekt zgjedhjet e pjesshme lokale të Dibrës, ku rezulton të jetë pjesë edhe Damian Gjiknuri. Ai e cilëson këtë të fundit si aktor të krimit më të shëmtuar elektoral që njeh vendi.
****
Për Damianin dhe shokët e “tërmetit”
Damiani i dosjes 184, i krimit më të shëmtuar elektoral që njohim, na paska dalë me propozime të reja për reformën zgjedhore. Kohët ndryshojnë, format po ashtu, po në thelb ata janë të njëjtit.
Damiani e ka në gen të tijin dhe të Rilindjes së tij, mesa duket, që nuk mund ta pranojë vullnetin e qytetarëve, ashtu siç ai është.
Nëse në Dibër ndërhyri me djemtë problematikë duke shkaktuar tërmet atje, tani kërkon të ndërhyjë me artifica ligjore e me formula, që sërish sjellin deformimin e votës së qytetarëve. Po i them sot Damianit e shokëve të tij, se nuk do të ketë aministi për krimet e reja që kërkon të bëjë.
Mos prekni votën, e mos bëni kalkulime nëpër tavolina interesash. Nuk kalon lehtë kjo që keni në mendje. Nuk do të gjesh dot strehë as në Shpellën e Ali babës me 40 hajdutë, as në atë të bablokut.
Për herë të parë, këto do të jenë zgjedhje të qytetarëve, jo të kryetarëve dhe sejmenëve të tyre.