Emri i Sabjen Lilajt është lakuar gjithmonë si një lëvizje e mundshme në merkato. Mesfushori i Skënderbeut është vlerësuar si “Futbollisti i vitit”, ndërkohë që është një nga titullarët kyç në formacionin e trajnerit Daja.
Së fundi ka pasur zëra që e çojnë Lilajn, i grumbulluar edhe nga trajneri Kristian Panuçi në Kombëtare, te skuadra e Palermos në Itali. Për “Vipsport.al”, korçari sqaron gjithçka, duke u shprehur:
“Janë zëra të zakonshëm merkatoje dhe nuk mund të flasim në ajër. Dikush më ka kontaktuar në emër të Edvin Muratit për një lëvizje të mundshme, por nuk kemi folur për asnjë emër konkret ekipi. Edhe unë sot po mësoj që është përmendur emri i ekipit të Palermos dhe nuk di çfarë të them.
Tani e kam mendjen te ndeshja e sotme me Lushnjën. Themi ta mbyllim sot titullin, se sikur u zgjat shumë. Për merkaton ka kohë të flasim, por e përsëris, nuk kam ende asgjë konkrete”.
Lilaj ka provuar të luajë në Kroaci, përveçse me Tiranën dhe Skënderbeun. Ka një përvojë të konsiderueshme dhe ndoshta është momenti i duhur për një lëvizje jashtë vendit. / Vipsport.al