Nga Agron Gjekmarkaj
Babo një ditë me pas i telefonon Bake xhanit !
Fati i cili nuk ndihmon guximtarët por zyrtarët e desh që keto mejtime ti shkruaj hipur në balonë duke udhëtuar drejt Romës si sadrazëm mbi sokak. Po ikim me zemrën plot. Njerëzit janë më të qetë se zakonisht.
Pas kanë lënë një hall të madh, dilemat e pikëpyetjet që e shoqëronin atë mulla. Kë Babo do të zgjedhë President të Republikës?
Kush e si do të jetë ai? Sa i gjatë , sa i hollë, sa ezmer, sa xhanan burrë, sa shakaxhi, sa mirënjohës me Babon mbi të gjitha do të jetë?
Tani këto hamendësime që qeder ja bënë qejfin shoqërisë i takojnë së shkuarës.
Babo i cili mban në dorë kutin e gjësë, masat e perfeksionit, raportin mes formës dhe përmbajtjes, dallimin mes të gjallëve e të vdekurve, duke përballuar vuajtje e mundime e vuri dorën tek Gjeneral Bajram Begaj.
Ne dje parashikuam sesi në krahina të ndryshme përthyhet emri! Baçi i Republikës në Tepelenë ! Barjami në Vlorë! Bake andej nga Përmet Skrapari, Bomi në Tiranë. Por mësuam që Babo në telefonatën e tij sot ishte drejtuar me Bake po këtë do shtjellojmë pak më poshtë sapo të vemë në qoshet e veta ca vogëlsira.
Meqenëse u vërtit llafi, se nuk na lanë radhë ata të uruar ministrushër e ministrushe me vrapin e ngasjen engjullore, jashtë për të nxjerrë , ato fjalë zemre, atë nur urimesh, plot gufim e pjalm, ëndje e besë, shpresë e gëzim që Shqipëria atë dekik paskësh pritur për ta ngjatetuar, me krahë të lehte, me bereqet e shëndet të të kemi në Krye të shtetit tonë me një kokë të vetme o Bajram vëllai!
Ne të opozitës qysh se na ka hy dreqi në bark , mes tollovitjesh të asaj dite me vapë ca shkuam në sallë, ca ndejën në shtëpi e ca në plazh duke gjykuar njëri-jatrin moralisht e politikisht.
Ashtu siç i ka hije një luftëtari të paepur dhe jashtë çdo grupi që pretendon monopolin mbi të mirën, në atë të lënduar PD por vetëm në PD kam marrë në dorë flamurin kundër bojkotit të institucionit !
Me të mbështjellë si heronjtë e realizmit socialist , si mitralieri Sulo në luftëra epike , rënda, krenar por pa entuziazëm në sallën ku baballarët e nënat e kombit pleqërojnë dertet e vatanit.
U akuzuam nga miqtë puritanë se dashkemi rroga? Po ka ca rrogëtarë ky shteti ynë që ato të uruara kacidhe presin në fund të muajit. Me ato i bëjnë derman jetës. Unë jam njëri prej tyre. Ma bëni hallall që e dua rrogën më shumë se, ”opozitarizmin e vërtetë”, në djall “idealet e mëdha” përballë rrogës së vogël! Shyqyr që Presidenti i zgjedhur nuk na ra nga llozha tek përkulej me shtrëngu qepallat me Babon.
Por shtysa e këtij meditimi nuk ishin këto kothere personale po ajo që ndodh një ditë më pas me Babon dhe të vërtetë!
Babon sot e zu gjumi pasi rojet bënë terbiet edhe një kalinaç që lehte pa pra ! Eh ç’ma nxiu jetën mërmëriti, kështu i mbajnë fjalimet edhe ministrat e mi. Por pastaj fjeti goxha mirë!
Kur u zgjua gjet një mullar me sms që e lëvdonin siç dinë ata që ja dinë huqet Babos po për me shumë kanë nevojë për të! Konkluzioni ishte vetëm një që si Babo s’ka, ai është gjeni !
U ndal vetëm tek një ! Presidenti i sapo zgjedhur e falënderonte per besimin, e pyeste si ka fjetur, në është i lehtë ajri i Surrelit ! Babo i cili e tkurr dhe bymen siç do ai konfidencën u angështu pak për këtë afri ! Rrufiti kafen e cila i ngjante si fytyra e thartuar e të gjithë atyre që nuk ja dolën të vinin në bash të vendit ! Me pasi i ra telefonit të Presidentit të sapo zgjedhur ! Nga andej ndihej atmosfera e një bisede institucionale ! Babo i ra shkurt ” unë i kam zët këta titujt dhe emrat e gjatë, po kaq edhe termat serioz si President, Gjeneral e të tjerë !
Në mëdyshje jam mes nofkës Baçi ose Bake xhani ! Kjo e dyta ka më sendiment dhe kolor. Edhe mua vete “i gjati” me thërrasin edhe si distancë po edhe se me shohin nga poshtë ! Ashtu bej dhe ti! Gjenerali gëlltitej se nuk e kishte parashikuar këtë po Babo e ka zët monotoninë ai krijon thyerje! Pastaj vazhdoi s’ke pse me merr shpesh në tel, porositë ti shpie me Elisën ose me Taon, megjithëse këtë të fundit ja kam qepur nga pas opozitës “properëndimore”! Ai i mbulon këta si ky sherrxhiu Gjekmarkaj, i thotë vazhdo kështu si properëndimor se je mirë.
Kështu qe Elisa ti sjell ç’të duhet e të thotë çfarë të bësh afër është e nuk përton! Ti për çdo hall që të kesh mos u ndal asaj rrufeja, e sa hap e mbyll sytë fap fap behet ! Po dëgjo se unë jam Presidenti i tha asaj ane të telefonit !
E di Bake e di qe je ndoca shakaxhi ja ktheu, pusho sot mos e merr me stres, hajt gjigant, hajde vëlla ditë të mbarë” !
Kështu e mbylli Babua paraditen dhe në udhëtimin.
Agron Gjekmarkaj