Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë vlerësuar procesin e votimit si të qetë, por ngrenë shqetësime për përfitimet nga funksionet publike në fushatë, patronazhistët dhe fenomenin e shitblerjes së votës.
Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, kanë dhënë vlerësimin e tyre për zgjedhjet e 25 prillit, duke renditur disa nga shqetësime që shoqëruan procesin. KiE evidenton se procesi ishte përgjithësisht i qetë, por kishte probleme me mënyrën si u bë fushata, nga përdorimi i të dhënave personale nga partia në pushtet, përdorimi i funksioneve publike në fushatë e deri te fenomeni i shitblerjes së votës.
“Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është informuar nga qytetarë të ndryshëm, përfshirë edhe partitë politike, për një problem që është parë gjatë fushatës elektorale, në veçanti për blerjen e votave, presionet mbi votuesit, veçanërisht mbi nëpunësit civilë dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës”, thuhet në raport.
Më tej raporti thekson se “Partia në pushtet përfitoi nga detyra, përfshi këtu kontrollin e administratës vendore dhe keqpërdorimin e burimeve administrative. Por, kjo gjë u amplifikua nga mbulimi i medias për qeverinë. Gjithashtu, u pa që autoritetet përfituan nga funksionet publike. Gjatë fushatës elektorale media publikoi databazën me të dhënat personale, e cila përdorej nga PS për të ushtruar presion. Rrjedhja e të dhënave sensitive personale, përfshirë preferencat politike të qytetarëve, janë shqetësim serioz dhe i bëjnë votuesit vulnerabël”.
Delegacioni i Asamblesë bën të qartë se “i dënon fuqimisht këto praktika dhe i bën thirrje autoriteteve kompetente në Shqipëri që të bëjnë çfarë është e mundur që t’iu japin fund këtyre parregullsive dhe të rrisin besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore”. Sipas raportuesve “Misioni vëzhgoi momente presioni mbi votuesit. Një person u pa teksa tërhiqte një tjetër drejt Qendrës së Votimit, pasi votuesi kaloi procedurën e verifikimit ai u mor me një anë dhe u instruktua si të votonte. Në të njëjtin rajon u dëshmua një rast i shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Një tjetër ekip i Asamblesë Parlamentare vërejti propagandë elektorale për një parti gjatë votimit brenda një qendre votimi”.
Raporti i ka kushtuar vëmendje klimës parazgjedhje duke evidentuar konfliktin mes palëve për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve. “Shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit krijoi paqartësi dhe pasiguri, si dhe vështirësi për zbatimin e ndryshimeve të njëanshme. Procedura për ndryshimet e njëanshme, që dhunuan marrëveshjen e 5 Qershorit, ishte e përshpejtuar, u bë me nxitim, dhe pa konsultime. Ndryshimet e njëanshme u bënë 9 muaj para zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin e Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias, ku sugjerohet një periudhë 12-mujore për ndryshimet, sidomos për ndryshimet në sistem”.
Raportuesit kanë shprehur shqetësim dhe për mosrespektimin e masave anticovid.
“Në shumicën e qendrave të votimit të vizituara, procesi i votimit ishte përgjithësisht i qetë. Procedurat ishin në përgjithësi të ndjekura, por votuesit ndonjëherë nuk e hiqnin maskën e tyre të fytyrës për qëllim të identifikimit, dhe procedura e bojës në gisht nuk u respektua në mënyrë rigoroze”, thuhet në raport.
“Masat parandaluese COVID-19 nuk ishin zbatuar mirë, dhe distancimi shoqëror jo gjithmonë i respektuar. Sekreti i votës u respektua. Mbipopullimi përfaqësonte një problem në disa qendra votimi të vizituara nga ekipet e PACE”, vijon raporti.
Delegacioni u nda në 11 ekipe dhe vëzhgoi procesin e votimit në një numër qendrash votimesh në Tiranë dhe rrethinat e saj, si dhe në Elbasan, Durrës, Kavajë, Dibër, Lezhë, Fier dhe në fshatra. Zgjedhjet parlamentare u mbajtën pas një marrëveshjeje politike përparimi të arritur në qershor 2020, e cila u pasua nga një reformë zgjedhore. Delegacioni i Asamblesë zbuloi se, përkundër disa paqartësive dhe mospërputhjesh, korniza ligjore përbën një bazë të përshtatshme për zhvillimin demokratik të zgjedhjeve.
Ndryshimet e fundit në kornizën ligjore ofruan masa mbrojtëse shtesë dhe bazoheshin në një hapësirë të gjerë konsensusi politik; ndërsa një numër rekomandimesh të Komisionit të Venecias dhe ODIHR u adresuan te reforma, disa rekomandime mbeten të pazbatuara. Zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore. Administrata në të gjitha nivelet në përgjithësi gëzonte besimin e palëve të interesuara. Regjistrimi i kandidatëve dhe partive, procesi ishte gjithëpërfshirës. Delegacioni u informua se liria themelore e tubimit ishte respektuar gjatë zgjedhjeve, subjektet elektorale mund të bënin fushata të lira, pavarësisht nga kufizimet e vendosura për shkak të Covid-19.
PD: Raporti tregon se 25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore
Partia Demokratike deklaroi dje se raporti i misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës evidenton të gjitha elementet që tregojnë se 25 prilli ka qenë një masakër zgjedhore e regjimit Rama-Doshi dhe një proces që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Deputeti i zgjedhur i PD Enkelejd Alibeaj tha se raporti vendos theksin mbi një nga elementet më djallëzore të kësaj masakre: Atë të patronazhistëve dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, “i cili, me fjalët e raportit, përbën një shqetësim serioz dhe që i bën votuesit vulnerabël”.
Ai theksoi se Misioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka qenë vetëm dëshmitar i momenteve të shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit, por sipas tij dhe ata vetë kanë pësuar presion, pasi kërcënimet nuk kanë munguar edhe ndaj ambasadores së një shteti partner, takimi i së cilës u mbyll pasi një nga pjesëmarrësit u rrëmbye nga bandat në shërbim të regjimit.
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Këtë e di shumica e shqiptarëve që panë me sytë e tyre se si regjimi Rama-Doshi pengoi ndryshimin. Këtë e evidenton edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. E cila, në raportin e saj të vëzhgimit, konfirmon elementet që çuan në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Sepse çfarë tjetër mund të jenë pohime, si: “Zyrtarët abuzuan me pushtetin e funksioneve publike”; “Keqpërdorim i burimeve të administratës”; “Raportimet për blerje të votës, për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet”?
Veçse dëshmi të asaj që të gjithë njohim si masakra zgjedhore e 25 prillit… Përpos dënimit që delegacioni i Asamblesë bën ndaj këtyre akteve, si dhe thirrja ndaj autoriteteve për t’iu dhënë fund këtyre parregullsive për të rritur besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore, raporti vendos theksin mbi një nga elementet më djallëzore të kësaj masakre. Atë të patronazhistëve dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, ‘i cili, me fjalët e raportit, përbën një shqetësim serioz dhe që i bën votuesit vulnerabël’”, – tha ndër të tjera Alibeaj.
Sipas tij, Misioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka qenë vetëm dëshmitar i momenteve të shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Apo, siç pohohet në raport, të presionit mbi votuesit, ku kanë “vëzhguar se si një person tërhiqej me forcë drejt qendrës së votimit dhe instruktohej si të votonte”.
Por ata vetë kanë pësuar presion, pasi kërcënimet nuk kanë munguar edhe ndaj ambasadores së një shteti partner, takimi i së cilës u mbyll pasi një nga pjesëmarrësit u rrëmbye nga bandat në shërbim të regjimit. Dhe po kaq i prerë siç është raporti mbi atë që ndodhi në 25 prill, është edhe me atë që ndodhi me shkeljen e marrëveshjes së 5 Qershorit.
Për të cilën thuhet se “procedura për ndryshimet e njëanshme, ishte e përshpejtuar, u bë me nxitim, pa konsultime, dhe krijoi paqartësi dhe pasiguri, si dhe vështirësi për zbatimin e ndryshimeve të njëanshme”.
Dhe se “ndryshimet e njëanshme u bënë 9 muaj para zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin e Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias, ku sugjerohet një periudhë 12-mujore për ndryshimet, sidomos për ndryshimet në sistem”.
Deputeti i PD-së theksoi se ky raport pra dëshmon se Asambleja e Këshillit të Europës pati sy për të parë atë që KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor nuk duan të shohin. Ky raport dëshmon se Asambleja e Këshillit të Europës kërkon atë transparencë që KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor iu mohojnë shqiptarëve.