Politika

Zgjedhjet e 25 prillit – KRIIK: Gjetjet dhe konkluzionet paraprake














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:41 - 26/04/21 |
mapo.al

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara monitoroi procesin e fushatës zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve, duke konstatuar problematikë dhe konfliktualitet në javët e fundit, por një proces relativisht të qetë dhe të rregullt në ditën e zgjedhjeve.






Konfliktualiteti politik përgjatë fushatës elektorale dhe veçanërisht në javën e fundit solli poralizim të tejskajshëm, por që fatmirësisht nuk u reflektua në ditën e votimit. Në këtë konkluzioan ka arritur KRIIK (Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara).


“Procesi zgjedhor që kulminoi me Ditën e Zgjedhjeve në 25 prill 2021 u mbajt në një situatë tejet të polarizuar e konfliktuale si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë institucional. Blerja e votës, intimidimi i zgjedhësve dhe të tjera krime zgjedhore ishin temë e ditës gjatë fushatës, duke u rritur në intensitet me afrimin e ditës së zgjedhjeve.







Polarizimi i tejskajshëm përshkallëzoi më tej situatën deri në konflikte dhe dhunë fizike mes apo ndaj mbështetësve të disa subjekteve zgjedhore, duke shënuar sulme fizike e deri në një humbje jete, vetëm katër ditë përpara ditës së zgjedhjeve. KRIIK vlerëson pozitivisht faktin që kjo retorikë e ashpër politike dhe incidentet që shoqëruan ditët e fundit fushatën u ndalën dhe nuk njollosën ditën e zgjedhjeve.” – Kjo u deklarua në Konferencën për Shtyp të Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) të dhënë ditën e sotme në të cilën u prezantua Deklarata e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021.



KRIIK vlerëson se “kuadri ligjor aktual përbën dhe jep garanci për të zhvilluar një proces zgjedhor me standarde, gjithmonë nëse vullneti politik kryesor dhe administrues mbetet konstruktiv e ligjzbatues”. Nga ana tjetër theksohet se ndryshimet ligjore të vitit 2020 vuajtën nga mungesa e transparencës dhe nga një proces real konsultimi publik. Amendimet kushtetuese të korrikut 2020 si dhe amendimet ligjore të 5 tetorit të të njëtit vit cënuan edhe besimin e vendosur të palëve në Marrëveshjen e 5 qershorit 2020.



Institucioni i ridimensionuar i KQZ-së, evidentoi në tërësi përgjegjshmëri dhe transparencë në organizim, funksionim dhe vendimmarrje, si dhe një qasje pozitive bashkëpunimi me aktorët politikë, ata të shoqërisë civile dhe median. Megjithatë, KRIIK vëren se të treja organet drejtuese të KQZ-së, reflektuan në vijimësi një sjellje që nuk është ajo e një institucioni të vetëm, por e tre trupave të ndara funksionalisht nga njëra-tjetra.

Lexo edhe :  Basha në Kuvend: Qeveria ndali dhunshëm ndryshimin, e thotë OSBE/ODIHR

Sjellja e KAS dhe Rregullatorit u evidentua të ishte e ndikuar politikisht, çka u vërejt qartazi dhe shpesh në qëndrimet e shprehura nga anëtarët e këtyre komisioneve për çështje në të cilat partitë politike kryesore PS e PD patën qëndrime të ndara.

Lidhur me të drejtën e zgjedhësve shqiptarë që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, KRIIK vëren se përpjekja për ta siguruar atë dështoi çka është një rast i humbur si dhe një shkelje e angazhimeve politike të palëve, sipas marrëveshjes së 5 qershorit 2020.

Shteti shqiptar dështoi të plotësonte detyrimin që t’u garantonte të gjithë shtetasve të vet të drejtën e votës, një e drejtë e pamohueshme dhe e pacënueshme që Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe Kushtetuta e vendit iua njohin shtetasve.

Vetëizolimi i detyruar i qytetarëve që vinin nga Greqia apo Maqedonia ishte një tjetër kufizim dhe cënim i së drejtës të votës dhe nuk mund të justifikohet assesi me argumentin e dhënë nga Komiteti Teknik për marrjen e tij.

Retorika e ashpër, gjuha denigruese ndaj kundërshtarit, akuzat dhe kundërakuzat për blerje vote karakterizuan fushatën në linjë me sjelljen e subjekteve zgjedhore në fushatën e parakohshme. Krijimi i këtij debati pa përmbajtje, gjatë kësaj fushate elektorale, veçse anashkaloi vëmendjen nga planet dhe programet konkrete të partive politike garuese në këtë proces, të cilat në fakt munguan sërish.

Policia e Shtetit nuk mbajti asnjë qëndrim dhe nuk ndërmori asnjë masë ndëshkimore ndaj partive politike garuese në zgjedhje për shkeljen e masave kufizuese kundër pandemisë. Ndërkohë, një sjellje totalisht e ndryshme u konstatua ndaj dy kandidatëve të pavarur, të cilët u gjobitën për shkelje të rregullave kundër tubimeve, duke shkelur parimin e barazisë në garë për konkurrentët zgjedhorë.

Procesi i votimit përgjithësisht ishte i qetë dhe proceduralisht u administrua mirë, me përjashtim të problematikave me Pajisjen Elektronike të Identifikimit në një numër qendrash votimi. Incidentet sporadike të ndodhura, gjykohet se nuk e ndikuan integritetin e procesit. Shqetësues mbetet ndikimi i paligjshëm dhe i paduhur i zgjedhësve në afërsi të qendrave të votimit, në linjë me indikacionet për struktura të organizuara të drejtimit të votës, siç është bërë me dije në raportet e ndërmjetme të KRIIK dhe gjerësisht në media, konkludon Deklarata e KRIIK mbi Gjetjet dhe Konkluzionet Paraprake.

Tekstin e Plotë të Deklaratës së Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake e gjeni më poshtë, ndërsa për t’a ndjekur të plotë regjistrimin video të Konferencës për Shtyp lutemi KLIKONI KËTU .

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas