Aktualitet

Zgjedhjet e 25 prillit, një ekuacion ku zullumqari ka dalë cullak














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:15 - 10/03/21 |
Ilir Nikolla

Kureshtja e listave elektorale u shua. Lajmi më i mirë, në nisje të fushatës, është se s’pati surpriza. E dimë cilët janë autoritetet që i zgjodhën kandidatët, si i zgjodhën dhe pse i kanë renditur asisoj.





Për shkak të mungesës së surprizave, edhe duhet të jetë shumë e thjeshtë përzgjedhja e 25 prillit. Nuk duhet të hutohemi e të kërkojmë ku është hileja. S’ka hile në listat e kësaj here, as strategji që duhet admiruar. Loja ka qenë me “detyrim-përcaktim”, prandaj edhe të dyja palët kanë luajtur me armët e tyre më të rënda, pra s’kanë luajtur me befasinë, por me forcën.


Thënë këto konsiderata të para, përgjegjësia e secilit prej ndjekësve nga afër të politikës në Shqipëri dhe të këtij tranzicioni të stërzgjatur (çka e konsideroj modestisht edhe veten), është ta thjeshtojë leximin dhe të tërheqë vëmendjen te gjërat e rëndësishme, duke e ndihmuar zgjedhësin të mos hutohet nga spektaklet darovitëse me ish-mjekë, ish-inxhinierë a ish-gjithçkabërës. Në listat e partive politike nuk duhet kërkuar ekselenca, nuk duhet kërkuar Jezu Krishti e as Baba Dovleti, ai që e shpëton vatanin nga inglizi a Evropa mosmirënjohëse. Fundi i tranzicionit kërkon njerëz normalë, prandaj letra e lakmuesit është kërkimi i zullumqarëve dhe në ç’llogore janë rreshtuar. Zullumqarët mund të jenë përsëritës, mund të kenë dalë me arrogancë para nesh për vite me radhë në poltrona pushteti, mund të jenë emëruar edhe ndër opozita, por mbi të gjitha mund të jenë përfitues të mëdhenj të buxhetit të shtetit, për shkak të ortakërisë me pushtetin.





Kërkimi i zullumqarit dhe identifikimi i llogores duhet të jetë ushtrimi i kësaj fushate elektorale. Përpjekja për të gjetur gramin e listave na çon vetvetiu te përzgjedhja e drithit, te përzgjedhja e jo-zullumqarëve. Të dhënat janë të qarta për të gjithë. Ata që janë identifikuar si të lidhur me narkotrafikun dhe me bandat janë kainët e listëve, ata që e kanë majmur pasurinë dhe tyre dhe e kanë qindfishuar atë janë alibabat e listave, ata që gjenden në listat për vjedhje votash dhe janë sërish në listat për t’u zgjedhur janë ndihma më e madhe që na jepet për të ditur si të zgjidhet më 25 prill.



E krejt në fund, nëse edhe pas këtyre indicieve, nuk e gjejmë dot zullumqarin ndër lista, duhet të mendojmë për 8500 shqiptarë më shumë që humbën jetën vitin e fundit, për shkak se u gjendën të vetëm përballë pandemisë e që s’po shohin asnjë vaksinë në horizont.


Shpallja e listave zgjedhore na ndihmoi duke mos na hutuar me surpriza, prandaj ekuacioni i 25 prillit është i thjeshtë: të identifikojmë zullumqarët e listave dhe të mos i votojmë ata.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas