Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përshëndeti deklaratën e misionit të Këshillit të Europës, i cili kritikoi një ditë më parë procesin e votimeve më 30 qershor. “Përshëndes deklaratën e Misionit të KiE që ritheksoi se në 30 Qershor nuk pati zgjedhje,se pushteti vendor sot nuk është pluralist dhe as i qytetarëve”- u shpreh Basha në një deklaratë të bërë përmes Twitter-it.
Njësoj si dje në bashkëbisedimin e hapur me qytetarët, kreu i opozitës theksoi rëndësinë e e votës së lirë. “Beteja më jetike sot është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’u kthyer qytetarëve qeverisjen legjitime qendrore dhe vendore”- tha Basha.
Një ditë më parë, pas vizitës së kryer në Tiranë, Këshilli i Europës vuri në dukje pasojat negative të 30 qershorit për demokracinë dhe besimin e qytetarëve.
“Për fat të keq, zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”– deklaruan drejtuesit e këtij institucioni të rëndësishëm europian për demokracinë dhe autonominë e pushtetit lokal.
Deklarata e Bashës
Përshëndes deklaratën e Misionit të KiE që ritheksoi se në 30/06 nuk pati zgjedhje,se pushteti vendor sot nuk është pluralist, dhe as i qytetarëve. Beteja më jetike sot është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ti kthyer qytetarëve qeverisjen legjitime qendrore dhe vendore.
LEXO EDHE:
Këshilli i Europës: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin demokratike, ra besimi i qytetarëve