Nga Pëllumb Nako
Konkurrenca dhe bashkëpunimi konsiderohen si dy format më elementare të ndërveprimit social. Me fjalë të tjera, nëse duhet t’i kuptojmë problemet sociale të një vendi, duhet të llogarisim marrëdhëniet ndërmjet interesave të individëve apo grup-individëve që përplasen me vlerat e përgjithshme të shoqërisë sepse gjithsesi në fund janë problemet sociale ato që mund të shpërthejnë konflikte.Nëse këtë koncept sociologjik do ta merrnim dhe ta vendosnim në kontekstin e zhvillimeve politike në vendin tonë, do të na rezultonte se pavarësisht nga konkurrenca, partitë politike duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe konkurrenca e tyre duhet të mbështetet mbi vlerat pozitive të shoqërisëduke eliminuar kështu konfliktet.
Në rast se në rrafshin politik nuk po hasim në një konsensus lidhur me formulën e re të zgjedhjeve, në mënyrë të njëanshme opozita ka dëshmuar këmbëngulje në fillimin e një epoke të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si dhe ka bërë që nëpërmjet nismave të saj, të largohen nga skena politike të zgjedhurit me të kaluar veprimesh antiligjore. Formula e mundshme për të zhvilluar zgjedhjet në këtë rast ka rëndësinë e saj, por është tërësisht e pamjaftueshme për lirinë e plotë të zgjedhjeve. Kjo sepse përveç zgjidhjes politike që nuk po lind akoma, qëndron edhe struktura sociale e pasuruar në vendin tonë gjatë dekadave të fundit nga një shtresë biznesmenësh me autoritet të vendosur ndërmjet vullnetit politik të partive dhe preferencave të votuesve duke e deformuar këtë të fundit.
Ilustrimi më i gjallë i këtij fenomeni mbeten zgjedhjet e parakohshme lokale të zhvilluara në rrethin e Dibrës, pavarësisht rezultateve që mund të japë hetimi i përgjimeve të kryera në këtë zonë për shitblerje votash, njëri nga problemet më madhore në zanafillë të deformimit të votës, qëndron ende i gjallë.
Në zgjedhjet e Dibrës u identifikua një biznesmen i cili kishte autoritetin e orientimit dhe deformimit të votës në përputhje me dëshirat e një korrenti politik dhe në kundërshtim me të korrentit tjetër. Opozita nga ana e saj denoncoi publikisht se kemi të bëjmë me një person të inkriminuar i cili u përdor nga ana e partisë qeverisëse si subjekti kryesor i kontrollit të procesit të votimit në rrethin e Dibrës. Nga ana tjetër, partia në fuqi u kundërpërgjigj se ky person me ndikim të madh në krahinë nuk ka asnjë dënim penal, asnjë precedent kriminal, madje as edhe policor, duke shtuar me këtë rast se edhe vetë opozita ishte orvatur për ta pasur në anën e saj personin në fjalë.
Pyetja që bëhet është e thjeshtë. Sa biznesmenë të tillë zyrtarisht pa të kaluar kriminale, pa profil të lartë publik, me fuqi ekonomike, me ndikim mjaft të madh në popullatën e zonës ku jetojnë apo kanë aktivitetin e tyre, ka në vendin tonë? Nga buron gjithë ky autoritet që ata gëzojnë dhe të jenë në gjendje të orientojnë votën individuale në përmasa të tilla sa që të vendoset fati i një partie nëse do të fitojë ose jo në një zonë? Sa mund të jetë përqindja e votës së humbur apo fituar si rezultat i ndikimit të tyre në rang kombëtar? Vështirë ta masësh.
Deri më sot kemi parë dhe është provuar se kemi një shtresë biznesmenësh me autoritet në krahinën e tyre madje që gëzojnë një farë konsensusi popullori cili nuk e ka burimin te sasia e parave që kanë. Autoriteti i tyre nuk del në skenë vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve, përkundrazi këto të fundit e konfirmojnë dhe e përdorin atë. Dhe ekzistenca e një autoriteti që funksionon paralelisht me atë të shtetit, sipas sociologëve mbetet kulturë mafioze e shoqërisë.
Sepse në një shoqëri normale, personi më me ndikim mbetet një intelektual me emër të njohur për arritjet profesionale dhe virtytet njerëzore, një shkrimtar, një artist i shquar e kështu me radhë. Por këta mund të ushtrojnë ndikim për të bindur.Ndaj dhe përdorimi i tyre për qëllime politike nuk është aq shumë produktivsepse nuk kanë autoritet për të orientuar apo deformuar votën si shtresa që po flasim dhe që është e gatshme të shërbejë në çdo stinë zgjedhjesh me nuhatjen nga të anojë peshorja..
Por cila është kjo shtresë që deformon votën në një përqindje të frikshme?
Të gjithë janë biznesmenë dhe me para jo të vogla në qarkullim. Përgjithësisht veprojnë në fushën e ndërtimit, transportit publik, hotelerisë ku kanë mundësi financiare të forcojnë marrëdhëniet me pushtetin, sidomos atë lokal. Ky i fundit bëhet thuajse rregullisht preh i tyre. Janë firmat apo nënfirmat e tyre të cilat fitojnë gjithë punët publike të një bashkie apo komune, gjë që përsëri i bën të kenë raporte klienteliste me to. Lidhjet e krijuara me pushtetin duke e përdorur korrupsionin si investim, u japin mundësi të zgjidhin edhe shumë halle të njerëzve duke ndërhyrë apo duke punësuar. Punësimin e të tjerëve përgjithësisht ua lehtëson shumë edhe deputeti i zonës pranë të cilit qëndrojnë gjithmonë. Emri i tyre nuk qarkullon thuajse fare publikisht, kurse gojë më gojë në formë të një legjende urbane ushtron frikë dhe ndikim të madh te njerëzit të cilët nuk kanë të bëjnë me ta. Ndikimi që kanë mbi pushtetin e përdorin jo vetëm për vete, por edhe për të bërë ndere. Gjithmonë kanë rreth tyre individë të gatshëm të ekzekutojnë çdo urdhër të tyre edhe për të kërcënuar. Pra ndjellin edhe frikë edhe simpati duke krijuar një autoritet efikas për njerëzit në nevojë dhe që përgjithësisht shteti i ka braktisur në çdo drejtim. Nuk mungojnë të sponsorizojnë sportet. Kohët e fundit kanë filluar edhe të depërtojnë nëpërmjet besnikëve të tyre nëpër komunitetet e drejtimit të kulteve të ndryshme fetare.
E gjithë kjo shtresë biznesmenësh, në pjesën e saj dërrmuese, për të mos thënë të gjithë, paranë fillimisht e kanë vënë nëpërmjet trafiqeve, por nuk janë dënuar qoftë për dobësi të legjislacionit, qoftë për korrupsion të organeve të drejtësisë, qoftë edhe prej autoritetit të fituar në zonën ku operojnë. Kjo është edhe shtresa e cila u absorbua tërësisht nga qeverisja dhe prej së cilës opozita duhet të largohet, qoftë edhe me kosto të larta me qëllim që vota qytetare të çlirohet plotësisht.