Pas miratimit të dokumentit gjerman për negociatat, ndërkombëtarët po kërkojnë të përshpejtohet puna për reformën zgjedhore me qëllim që të jetë gati nëse ‘rrëzohen’ votimet e 30 qershorit. Berlini kërkon zgjedhje të reja me kod të ri. Pse PS nuk po e merr me nxitim, në të kundërt të PD-së?
Reforma zgjedhore në Shqipëri është kthyer në kryefjalën e diskutimeve të diplomatëve të huaj në Tiranë pas miratimit nga Parlamenti Federal gjerman të një dokumenti me nëntë kushte për Tiranën, që ajo të nisë procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Gjermanët kanë kërkuar që Shqipëria të miratojë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse si një nga kushtet për të shkuar tek Konferenca e parë e Pranimit. Opozita nga ana e saj ka dhënë sinjale se është e gatshme për të punuar në këtë drejtim, duke marrë pjesë fillimisht në një konferencë të organizuar nga OSBE.
Bundestagu e ka theksuar qëllimisht se kërkesat për zgjedhjet janë ekstra dhe nuk ishin pjesë e kritereve të Komisionit Europian.
“Përveç pesë prioriteteve kyçe të formuluara nga Komisioni në Raportin e progresit për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit, OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës në 2013 dhe 2015 formuluan rekomandime për një reformë zgjedhore. Edhe pse këto nuk janë pjesë e katalogut evropian të kërke-save, Bundestagu gjerman konsideron se është i nevojshëm zbatimi i shpejtë i rekomandimeve. Për këtë qëllim një projekt-ligj u paraqit në dhjetor 2018, por ai ende nuk është miratuar,” thuhet në dokumentin gjerman.
Parlamenti gjerman i kërkon qeverisë që Konferenca e parë e Pranimit të mbahet pasi “të merret vendim për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore”. “Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019”.
Nxitimi ndërkombëtar
Një burim i tha gazetës Mapo se ndërkombëtarët po bëjnë presion që të punohet sa më shpejt me Reformën Zgjedhore. Qëllimi i tyre duket se lidhet me një tjetër kusht gjerman për nisjen e negociatave. Kështu, gjermanët kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim për ligjshmërinë e votimeve të 30 qershorit.
“Duhet një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor”, thuhet në dokumentin gjerman.
Ka qenë një vendim i qëllimshëm i grupeve më të mëdha parlamentare qeverisëse gjermane që të pritet për një vendim mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve. Një burim tha për Mapon se edhe fjalia që nëse zgjedhjet e 30 qershorit do të rrëzohen, zgjedhjet e reja do të bëhen me kodin e ri, ka qenë e qëllimshme.
Tek ky kusht duket se bazohet nxitimi i të huajve për të miratuar aktin e parë drejt zgjedhjeve të reja. Gjykata Kushtetuese mund të ngrihet shpejt dhe qëllimi është që reforma e re zgjedhore dhe marrja e një vendimi të shkojnë thuajse njëkohësisht.
Zvarritja e PS
Por teksa opozita ka dhënë sinjale se do të bëhet pjesë e reformës zgjedhore, madje kërkon të përparohet me shpejtësi në këtë drejtim, nuk ndodh e njëjta gjë me qeverisjen.
Mazhoranca po shpenzon më shumë kohë duke u marrë me një propozim që është bërë nga opozita për mbikëqyrjen ndërkombëtare. Edhe media është duke i dhënë më shumë hapësirë sesa duhet këtij propozimi, në kohën kur vetë demokratët e kanë minimizuar rëndësinë e tij në kuadër të gjithë nevojës për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Edhe Gjermania deklaroi se nuk mund të jetë negociatore e palëve politike për Reformën Zgjedhore. Kështu tha ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë një konference për mediat në kuadër të nisjes së “Tetorit gjerman”.
I pyetur nga A2 në lidhje me rolin që mund të luajë Gjermania në këtë proces, Zingraf, i cili e konsideroi pjesëmarrjen e të gjitha partive si një sinjal pozitiv, tha: “Jam i bindur plotësisht që zgjidhja për konfliktet politike vjen nga brenda dhe institucionet. Gjermania nuk është negociator. Kemi folur me partitë dhe kemi dhënë mbështetjen teknike. Në kuadër të Komisionit të Reformës Zgjedhore, një ekspert gjerman ka bashkëpunuar duke vendosur një draft në tavolinë. Mbi të mund të punohet”.
Dyshimet holandeze
Kushtet e rënda të vendosura nga gjermanët mund të jenë pritur me ‘entuziazëm’ nga socialistët, sa për sy e faqe të opinionit publik. Megjithatë, vendosja e tyre nuk është pritur mirë pasi nënkupton një shuplakë të rëndë për qeverisjen.
Qeveria e ka kuptuar se e ka të vështirë që të përdorë për kapital politik këtë ngjarje, në kohën kur monitorimi ndaj Shqipërisë do të shtohet, jo vetëm sa i përket luftës ndaj krimit e korrupsionit, por mbi të gjitha për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duke ndëshkuar çdokënd që ka abuzuar në të shkuarën me procesin zgjedhor.
Tashmë pritet me interes edhe qëndrimi holandez dhe ai francez për nisjen e negociatave. Në parim mediat e huaja, si agjencia Bloomberg, thonë se Shqipërisë do t’i hapet drita jeshile, edhe pse nuk dihet se si do modifikohet teksti. Një mundësi është që edhe Franca e Holanda të shtojnë ndonjë kusht mbi ‘shpinën’ e rraskapitur të qeverisë shqiptare.
Vetë kryeministri Edi Rama ka reaguar në një koment me nervozizëm ndaj mundësisë që Holanda të vendosë veton. Ai ka përsëritur tezën se kjo është çështje e brendshme e Holandës. Por vëzhguesit e situatës politike thonë se është paradoksal një argument i tillë, në kushtet kur do i hapet drita jeshile Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, ata druhen se kjo mund të jetë një manovër e kryeministrit për të gjetur një justifikim në rast se nuk do hapen negociatat.
I gjendur mes dy zjarrrëve, tashmë dilema është: Më mirë pa negociata apo me negociata me kushte? Të dyja nuk bëjnë dallim, por në rastin e variantit të fundit, siç thuhet në dokumentin gjerman, qeverisja shqiptare do ishte nën një monitorim të rreptë jo vetëm nga Komisioni Europian, por nga çdo resurs gjerman jashtë vendit.