Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj ka vendosur që kandidatët e partisë së tij të bëjnë vetëm 5 ditë fushatë për zgjedhjet lokale.
Haradinaj thotë se vendimi është marrë për shkak të situatës së rëndë epidemiologjike.
Ndërkohë ai nuk thekson se fushata do të ndërpritet brenda 5 ditëve, por do të gjenden mënyra alternative komunikimi.
KQZ vendosi që të mos kufizojë fushatën duke e lënë 30 ditë edhe pse disa parti opozitare kërkuan që të bëhej vetëm 5 ditë ose mos të bëhej fare për shkak të pandemisë.
Statusi nga Ramush Haradinaj
Duke pasur parasysh situatën e rëndë epidemiologjike me Covid-19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që Fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale Tetor 2021, ta kufizojë në 5 ditë.
Poashtu jemi të përcaktuar që edhe këtë afat 5 ditor të fushatës, ta zhvillojmë në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit.
Të nderuar qytetarë, struktura e simpatizantë të AAK-së, do të përpiqemi që duke filluar nga nesër, të gjejmë mënyra alternative të komunikimit dhe të shpalosim programin dhe objektivat tona për zgjedhjet e 17 Tetorit.
Gjatë kësaj kohe do ta zbatojmë modelin e fushatës digjitale.
Na priftë e mbara!