Ish-deputeti Kastriot Islami është i bindur se pas zgjedhjeve parlamentare më 25 prill 2021, i vetmi që do të ndëshkohet është Edi Rama.
Në një intervistë për emisionin “Ditë e Re” në Ora News, Islami nuk i kurseu kritikat për kryeministrin.
“Nuk ka një mandat të tretë për Rilindjen. Rama është njeri pa ide, pa ideologji, pa fe, që kërkon të kthehet në autokrat. Ai e ndjen humbjen, është i frikësuar sepse pas humbjes vjen ndëshkimi”, tha ish-deputeti duke u ndalur gjithashtu në politikën e jashtme, konkretisht në marrëdhëniet me Turqinë dhe Greqinë.
“Me Erdoganin nuk ia mban, rri si pulë. Ai bën të fortin në vende të tjera duke treguar mediokritetin. Mundohet të serviloset para Erdoganit. Çështjen e detit e ka katranosur. Rama mbahet si mashtrues arrogant, mosmirënjohës kur nuk ka nevojë, dhe langaraq e lëpirës kur ka nevojë. Rama dështoi edhe këtë radhë në Athinë”, tha Islami teksa i bëri një apel votuesve.
“Demokraci quhet qeverisje nga populli. Zgjidhni njerëzit më të aftë e më të zotë. Mos bini viktimë e sharlatanëve, apo atyre që quhen të rinj, njerëz që nuk i voton as familja e tyre. Nuk mund të merreni peng nga sharlatanë dhe të paaftë. Zgjidhni figura që punojnë për njerëzit ”, përfundoi ish-deputeti.