Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu ka folur së fundmi për një kualicion të mundshëm me kryedemokratin Lulzim Basha në kuadër të zgjedhjeve më 25 prill.
I ftuar në studion e ABC, Mediu tha se nëse Basha do e bindë se qëndrimi i tij po e dëmton opozitën atëherë do të tërhiqet. Ai gjithashtu shtoi se “nuk mund të ecin në dy drejtime të kundërta që të rritet Partia Demokratike dhe të shkatërrohen partitë e tjera.”
“Basha duhet të vijë të më thotë se kush janë pikat që na dëmtojnë. Nëse ai më thotë se kjo pikë e dëmton koalicionin, unë do të tërhiqem. Nëse kam vlerësuar diçka të shëndetshme në politikën e Lulzim Bashës është se ka mbajtur opozitën bashkë”, – tha Mediu teksa vlerësoi programine ekonomik të kreut të opozitës si të domosdoshëm për shqiptarët.
Kreu republikan theksoi se nëse nuk arrihet një negociatë me PD, nuk do të ketë marrëveshje me atë që quhet “opozita tjetër” – Astrit Patozin dhe Jozefina Topallin.
“Topallin dhe Patozin i kam pasur kolegë dhe i kam vlerësuar. Ajo që unë kam menduar është të vlerësoj atë që më ka dhënë çdo republikan. Kam qenë deputet dhe ministër, kjo nuk është gjë e vogël. Pjesëmarrja sa më e gjerë opozitare duke i lënë menjanë paragjykimet. Marrëdhënie me PD ose PR vetëm, nuk kemi opsion tjetër. PR ka peshën e vet, nëse ajo nuk vlerësohet si duhet, do të tregojë që ajo peshë është reale. PR për të organizuar njerëzit ka nevojat e saj, për ta bërë sa më efektive këtë fushatë. Njeriu përgatitet për çdo gjë në jetë. Nuk mendoj se ka raporte të përhershme. Nëse është një sakrificë që ka të bëjë me Mediun le ta bëjmë”, – u shpreh ai.