Aktualitet

Zgjedhjet mes ankimimeve të opozitës dhe ftesës së Ramës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:15 - 22/05/21 |
mapo.al

Lulzim Bashës i duhet të vërtetojë manipulimin e kryer më 25 prill, në rast se do i duhet të mbijetojë në tensionin politik që ka shkaktuar humbja e zgjedhjeve mes demokratëve. Kjo nuk është e lehtë, pasi rezultati nuk gjendet më shumë në kuti se sa te sjellja e mazhorancës para 25 prillit. Nga ana tjetër, në një situatë jo fort të favorshme ndodhet dhe kreu i mazhorancës, i cili me anë të ftesës që i dërgon opozitës kërkon të fashisë zhurmën për zgjedhjet që nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, siç ka kërkuar faktori ndërkombëtar. Çfarë po ndodh në KQZ dhe cilat janë kolonat ku është përqendruar lufta e opozitës.






Zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, dhe kjo s’mund të mohohet. Sot kur po mbushet gati një muaj nga përfundimi i tyre, në KQZ vijojnë ankimimet, ndërsa në publik debati mbetet i hapur. Të vërtetën e atyre zgjedhjeve s’mund ta eklipsojnë as deklaratat për bashkëpunim me opozitën, as shpallja “non grata” e Sali Berishës.


Ky ishte një shans i humbur për kryetarin e opozitës, i cili tentoi për të dytën herë rresht të bëhej kryeministër. Tashmë si zgjidhje nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm se të verifikojë para opinionit publik dhe ndërkombëtarëve manipulimet që u kryen. Natyrisht, nën trysninë e ndërkombëtarëve, por dhe institucioneve të kapura nga Rama nuk do jetë aspak e lehtë, por nuk ka zgjidhje tjetër, nëse do të tentojë dhe një herë të tretë për të arritur aty ku synon.







Bashkëpunimi me Ramën nuk shihet me sy të mirë nga shumica e demokratëve, që sot janë jo pak të demoralizuar. Në këtë situatë opozita ka ndërmarrë një vazhdë denoncimesh, që do duhet të kalojnë të gjitha hallkat e ankimimeve, KQZ, Kolegj apo dhe deri në Gjykatë Kushtetuese. Denoncimi rast pas rasti pranë ndërkombëtarëve siç premtoi kreu i opozitës nuk ka filluar ende, dhe deklaratat e ambasadores amerikane apo dhe të disa liderëve të tjerë europianë që përshëndetën Ramën nuk është se e ndihmojnë shumë Lulzim Bashën.



Por në një situatë jo fort të favorshme ndodhet dhe kreu i mazhorancës. Atij mund t’i quhet një fitore pa fitore, po të mendosh se përpara ka hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, të cilat po mbahen varur që prej gati tetë vjetësh. Nga ana tjetër, vizatimi që po i bëhet si autokrat, i cili nuk ka zhvilluar asnjëherë zgjedhje të lira në këtë vend që kur ka marrë postin e kryeministrin, e rëndon akoma më shumë pozitën e tij.



Pavarësisht batutave, pavarësisht vetëpërmbajtjes që ai ka treguar në këtë kohë postzgjedhore, s’mund të fshehë assesi përdorimin e administratës në zgjedhje, të fondeve publike, bandat apo paranë cash që u përdor për deformimin e votës. Ashtu siç nuk mund të fshehë as ndryshimet kushtetuese, as vjedhjen e të dhënave personale të votuesve.

Raporti paraprak i OSBE nuk premton asgjë të mirë në lidhje me thelbin mbi të cilin do të ndërtohen përfundimet zgjedhore nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Rama mund të kontrollojë KQZ, Kolegjin apo dhe Gjykatën Kushtetuese, por s’mund të kontrollojë denoncimet e opozitës, apo opinionin e ndërkombëtarëve.

Në këto kushte ka hedhur në tavolinë idenë e Bashkëpunimit me opozitën, një ide që e ka futur jo pak në dilemë kreun e PD, Lulzim Basha. E megjithatë ky i fundit e di fort mirë, se një veprim i tillë do kishte jo pak kosto në bazën konservatore të partisë e cila nuk do e pranonte një veprim të tillë. Por mospranimi, do të thotë dhe katër vite të tjera opozitë, që do shoqëronin tetë që kaluan dhe ishin jo pak shkatërrimtare.

Për këtë arsye, PD ka ndërmarrë një valë denoncimesh, ku pjesa dërrmuese e tyre janë rrëzuar nga shumica socialiste në KQZ. Dihet nga të gjithë se deformimi i votës më shumë se në kuti, ka ndodhur për arsye që thamë më lart. Jemi në një moment, kur Ramës për të çuar deri në fund mandatin e tretë i duhet heshtja e Bashës, ndërsa ky vetë s’mund të mbijetojë në rast se luftën për deformimin e votës që u bë në 25 prill nuk e çon deri në fund. Se si do shkojnë gjërat, duhet pritur shtatori.

Të gjitha ankesat e opozitës për zgjedhjet, KAS rrëzon PD-në
Zgjedhjet e 25 prillit me shumë gjasë nuk do të kenë rezultate zyrtare deri në verë kur të përfundojë shqyrtimi i të gjitha ankesave të subjekteve zgjedhore nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ dhe më tej nga Kolegji Zgjedhor. Më datë 4 maj 2021, KQZ miratoi me vendim, tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit për çdo zonë zgjedhore, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021.

Sipas Kodit Zgjedhor, këto rezultate nuk janë përfundimtare nëse subjektet zgjedhore paraqesin ankim kundër tyre. Rezultati i shpallur është kundërshtuar nga shumë subjekte zgjedhore, të cilat kanë paraqitur dhe po ndjekin procedurat ankimore në organet respektive administrative në KAS dhe ato gjyqësore, ndërkohë që, çështjet penale të hapura si rezultat i denoncimeve për krimet zgjedhore të konsumuara nga administrata publike dhe funksionarët e lartë drejtues, politikë ose jo, po ndiqen në organet përkatëse nga subjektet denoncuese të tyre.

Deri më tani KAS ka rrëzuar pjesën më të madhe të ankesave të Partisë Demokratike, partia kryesore e opozitës e cila udhëhoqi koalicionin “Aleanca për ndryshim” në këto zgjedhje nga ku doli me 65 mandate deputetësh. PD kërkoi ripërsëritje zgjedhjesh në 9 qarqe të vendit. Po ashtu, KAS ka rrëzuar shumicën e ankesave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila u fut më vete në garë, por ka pranuar pjesërisht kërkesën e saj për rinumërim në qarkun e Beratit, ku kjo forcë politike pretendon për mandatin e saj.

Në total, për zgjedhjet në KAS janë dorëzuar 18 kërkesa ankimore nga subjektet politike, ku 9 kërkesa janë nga PD, 5 kërkesa janë nga LSI, 2 nga koalicioni ABEOK si dhe kandidatët e pavarur Iljaz Shehu, Boiken Abazi dhe Kreshnik Merxhani. Në mbledhjen e datës 15 maj Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi të hapë kutitë e 24 qendrave të votimit me materialet zgjedhore në qarkut e Beratit.

Ky vendim erdhi pas ankimimeve që kishin depozituar Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike. Gjithashtu, KAS vendosi të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për të marrë prova shtesë nga organe të tjera shtetërore. KAS ka pranuar provat që partitë kanë çuar në KQZ, por refuzoi kërkesën për të administruar prova të reja. Në lidhje me ankimimet për Qarkun Berat administrata e KQZ shqyrtoi materialet zgjedhore për 24 kuti për këtë qark, për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së.

KAS rrëzon kërkesën për ripërsëritje zgjedhjesh për 3 qarqe
KAS ka rrëzuar kërkesat e PD-së dhe LSI-së për përsëritje zgjedhjesh në qarkun e Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës. Dy subjektet zgjedhore kërkuan përsëritje, pasi sipas tyre fitorja e PS-së më 25 prill u arrit vetëm prej manipulimit e shitblerjes së votës.

Sipas PD-së, nga kryqëzimi i të dhënave të pajisjeve të identifikimit elektronik (PEI) për qarkun Vlorë, e cila u mor nga KAS me kërkesë të Partisë Demokratike, rezultoi se: “Shenjat e gishtërinjve të 23 personave janë përdorur për identifikimin e 60 zgjedhësve. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që 23 persona të kenë votuar 60 herë, ose rreth 3 herë/secili.

Lexo edhe :  Pasaporta e vaksinimit, Rama: Superlajm, shënuam progres digjital

Në foton e parë me nr. rendor 7 rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e dy zgjedhësve në dy qarqe të ndryshme: njëri në bashkinë Vlorë dhe tjetri në bashkinë Ura Vajgurore, Berat.

Në foton e dytë me nr. rendor 19 rezulton se i njëjti person ka votuar dy herë, një herë në bashkinë Konispol, dhe herën tjetër në bashkinë Sarandë. Po në këtë foto me nr. rendor 21, rezulton se e njëjta shenjë gishti është përdorur për identifikimin e 12 zgjedhësve, pra potencialisht i njëjti person ka votuar 12 herë.

Vetëm katër prova që KAS ka qenë i detyruar t’i marrë, me kërkesë të PD-së, faktojnë rreth 200 shkelje flagrante të ligjit. Ndërsa, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS kanë refuzuar jo një herë, por 57 herë, të bëjnë transparencë të plotë mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit. Këto prova janë dëshmi e pakundërshtueshme se vullneti i 1.78 milionë votuesve u diktua nga krimi dhe paligjshmëria. Megjithatë, ne do ta vazhdojmë betejën. Sepse këtë betejë nuk po e bëjmë as për vete, as për anëtarët e KAS, por për qytetarët shqiptarë, të cilët janë viktimat e vërteta e 25 prillit”.

19 pretendimet e PD-së për manipulimin e zgjedhjeve nga PS
Më datë 12 maj Partia Demokratike paraqiti në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve prova që sipas saj faktojnë shkeljen e ligjit nga PS në atë masë, sa zgjedhjet duhet të përsëriten në 9 qarqe. Ndër to sipas PD përfshihen, “blerje masive e votës nëpërmjet individëve me rekorde kriminale; Mbi 10 mijë leje legalizimi; Më shumë se 13.000 punonjës të rinj në administratë qendrore; 63 milionë euro paga shtesë; Rreth 2.5 milionë euro ndihma ekonomike; Më shumë se 125 milionë euro pagesa për tërmetin; Rreth 83 mijë fletë votimi të pavlefshme; Rreth 523 mijë qytetarë pa të drejtë vote; Mbi 910 mijë vjedhje e të dhënave personale dhe përdorim i paligjshëm i tyre për fushatën elektorale të PS”.

Partia Demokratike i kërkoi Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve që t’i verifikojnë vetë këto prova pranë institucioneve të ndryshme, por shumica e kërkesave u refuzua. Nga 19 kërkesa që zbardhin gjithë aktivitetin e shtetit në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve, KAS pranoi të verifikojë vetëm të dhënat për shenjat e gishtave të votuesve në Gjirokastër, të cilat nxjerrin, nëse votuesit kanë votuar më shumë se 1 herë.

Më poshtë po rendisim 19 kërkesat e PD që sipas saj duhet të zbardhnin shkeljen e ligjit nga partia në pushtet me përdorimin e shtetit përmes legalizimeve, punësimeve, fondit të rindërtimit për tërmetin, ndihmave me ushqime, vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale.

PD kërkoi nga KAS; “Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për numrin e procedimeve penale lidhur me krimet zgjedhore dhe fazën e tyre; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme për numrin e procedimeve penale lidhur me krimet zgjedhore në prokuroritë e rretheve dhe fazën e tyre; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për numrin e shtetasve të ndaluar, të arrestuar dhe numrin e rasteve të referuara për krime zgjedhore; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit mbi gjendjen e rezervave të shtetit në depozitat qendrore dhe lokale për çdo muaj nga Dhjetori – Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Inspektorati Qendror dhe të gjitha inspektoratet që veprojnë në Shqipëri për numrin e inspektimeve të kryera në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; për numrin e gjobave dhe sanksioneve të vendosura; numrin e sanksioneve/gjobave të revokuara me vendim administrativ/vendim gjyqësor; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Agjencia e Prokurimeve Publike për numrin e tenderave, koncesioneve, PPP-ve të shpallur rishtazi apo për të cilat janë shpallur fituesit në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Këshilli Kombëtar i Territorit për numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Agjencia Shtetëror e Kadastrës për numrin e lejeve të legalizimit të dhëna sipas qarqeve në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile mbi numrin e shtetasve shqiptarë që ndryshuan adresat e banimit në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Departamenti i Administratës Publike për numrin e punonjësve të institucione publike, vendore apo qendrore, dhe si ka ndryshuar, sipas qarqeve, për periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; Marrjen e një informacioni zyrtar nga 61 bashkitë e vendit, agjencitë e varësisë dhe shoqëritë në pronësi të shtetit apo bashkive, për numrin e punonjësve të institucioneve publike, vendore apo qendrore, dhe si ka ndryshuar, për periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 61 bashkitë e vendit lidhur me numrin e familjeve që kanë përfituar ndihmë ekonomike dhe ndryshimin e masës ekonomike, në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me fazën e hetimeve lidhur me bërjen publike të të dhënave të 910 mijë qytetarëve të Tiranës; Marrjen e një informacioni zyrtar nga INSTAT mbi numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë; numrin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut; dhe numrin e këtyre shtetasve mbi moshën 18 vjeç;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë mbi numrin e personave të infektuar me COVID-19 në datën 25.04.2021 sipas qarqeve; Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mbi numrin e shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri në periudhën 19.04.2021 – 25.04.2021 nga Republika e Greqisë dhe Maqedonia e Veriut; listën e plotë të këtyre personave;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga OSHEE mbi të gjitha shpërblimet që u janë punonjësve të kësaj kompanie shtetërore, sipas qarqeve, në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; Marrjen e një informacioni zyrtar nga KESH mbi numrin e personave të punësuar në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021; Marrjen e të dhënave të kryqëzuara ndërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik PEI për zonën zgjedhore Qarku i Gjirokastrës”.

Tensione në KAS, vëzhguesja e PS, atij të PD: Do të ta pres gjuhën
Përfaqësuesi i PD, Marash Logu ka denoncuar në KAS se një nga vëzhguesit demokratë është kërcënuar me jetë nga Joana Melengu, vëzhguese e PS. Logu thotë se Melengu është e njëjta që u kap më 20 prill me fugonin e ushqimeve nga Rezerva e Shtetit duke i shpërndarë te qytetarë për të marrë vota.

Ai thekson se Melengu i ka thënë vëzhguesit të PD: “Do ta shohësh kur të dalësh jashtë, do të ta pres gjuhën”. “Sot dhe ditën e djeshme në tavolinën e numërimit shtetasja Joana Melengu vëzhguese e PS, kryetare e njësisë administrative nr. 2 në Berat ka kërcënuar një vëzhgues të PD. Do ta shohësh kur të dalësh jashtë, do të ta pres gjuhën i ka thënë. Joana Melengu që kërcënoi vëzhguesin e PD, më 20 prill 2021 u kap në flagrancë duke ndarë ndihma ushqimore në këmbim të votës. Me paturpësi, në shkelje flagrante të ligjit, shantazhon e kërcënon një vëzhgues të PD. A e kuptoni zotërinj çfarë po ndodh këtu? Ka kërcënuar me jetë vëzhguesin e PD. E njëjta që më 20 prill shpërndau ndihma ushqimore. Nuk kemi frikë t’i denoncojmë këto fakte, s’doni t’i pranoni”, – tha Logu.

1


Etiketa: , ,

Pas