Kryedemokrati Lulzim Basha vlerëson procesin zgjedhor në Kosovë dhe uroi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, për fitoren e arritur dje.
Sipas Bashës, zgjedhjet e Kosovës ishin proces model me standarde europiane, të cilat janë shembull për Shqipërinë dhe rajonin.
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, tha Basha, PD do të intensifikojë bashkëpumin me qeverinë e re të Kosovës.
“Dua të uroj Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë. Ju uroj nga zemra të gjitha forcat politike, insituticionet, qytetarët e Kosovës për një proces zgjedhor model me standarde europiane, shembullor për Shqipërinë dhe mbarë Ballkanin. Kjo në vetvete është një arritje e jashtëzakonshme e qytetarëve të Kosovës, e Republikës së Kosovës. Kosovën e presin sfida të mëdha përpara, ndaj ju uroj fituesve të zgjedhjeve Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe partive të tjera politike që të bëjnë gjithçka për sfidat që po i presin për përmbushjen me sukses.
Kam besim se do të bëjnë gjithçka në përmbushjen me sukses të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës dhe në kapërcimin dhe përballjen me sfidat me qëllim që Kosova të vazhdojë rrugëtimin e saj të pandalshëm drejt integrimeve Euro-Atlantike dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe social. I garantoj që sot dhe akoma më fort nesër pas zgjedhjeve të 25-prillit unë dhe Partia Demokratike do të jemi në krahun e tyre për të bashkëpunuar sa më fuqishëm në përfitim të ekonomisë, zhvillimit dhe të punësimit të qytetarëve të të dy vendeve tona“, u shpreh Basha.