Teksa sot votohet për qeverinë e re në Kosovë, pjesëmarrja në votime deri më orën 15:00 është 32.32%. Ky informacion është bërë i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një përditësim të procesit, KQZ informon se deri më tani kanë votuar mbi 567 mijë e 934 qytetarë, nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues.
Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.
DEKLARATA NGA KQZ
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës;
Të nderuar përfaqësues të mediave;
Ju njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem.
Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat që kemi marrë nga Qendrat e Votimit numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 32.32% apo 567 mijë e 934 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues.
Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019, kishin votuar 29.28% e votuesve apo 554 mijë e 750 votues nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues.
Të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë dhe në çdo qendër votimi i gjeni në ueb faqen e KQZ-së, të cilës mund t’i referoheni.
Dua t’iu njoftoj gjithashtu se edhe raportimet që po bëhen nga mediat, jemi duke i trajtuar me seriozitet duke bashkëpunuar me institucionet tjera, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës.