Aktualitet

Zgjedhjet në PD – Kryesia miraton katër emra, pesë skualifikohen














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 24/05/21 |
mapo.al

Vetë kryetari i PD-së Lulzim Basha ka preferuar të mos marrë pjesë në mbledhjen e djeshme të kryesisë për të shmangur konfliktin e interesit, pasi është pjesë e garës. Në fund janë miratuar vetëm 4 emra: Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi, ndërsa janë larguar 5 të tjerë pasi nuk plotësonin kushtet. Kush janë kandidatët më të spikatur, dhe cilat janë favoret dhe disfavoret e secilit prej tyre.






Kryesia e Partisë Demokratike, ka miratuar dje emrat që do të jenë në garë për vendin e Lulzim Bashës, në garën e datës 13 qershor. Veç kryetarit aktual, janë miratuar dhe emrat e Agron Shehajt, Fatbardh Kadillit dhe Edit Harxhit, duke skualifikuar nga gara 5 kandidatura të cilët nuk i plotësonin kriteret e parashikuara në statutin e partisë. Zgjedhjet e 13 qershorit do të zhvillohen sipas parimit një anëtar-një votë dhe nga sot do të fillojë prezantimi i alternativës prej tyre në bazë.


Kandidatët







Vetë kreu aktual, Lulzim Basha, nuk mori pjesë në mbledhje, për të shmangur konfliktin e interesit, ndërsa mbledhja e kryesisë vijoi me dyer të mbyllura. Fillimisht ishin 9 kandidatura, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi, Ibsen Elezi, Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Sabri Hoxha dhe Mirjan Jashllari. Kandidatura e Ibsen Elezit, një prej individëve më aktivë për rrëzimin e Bashës, u skualifikua me arsyetimin se nuk ka marrë pjesë aktive në fushatën elektorale, ndërsa Mulaj, Vrapi dhe Hoxha nuk plotësonin kërkesat e përcaktuara në statut. Menjëherë pas vendimit ka reaguar Harxhi, e cila ka kundërshtuar përjashtimin e Elezit nga gara, duke drejtuar gishtin te kryetari Basha.




Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballje (primaresh), por edhe në këtë rast si në raste të tjera ishte besëprerë. Në veçanti përjashtimi nga gara i Ibsen Elezit, njërit prej kandidatëve të Grupit për PD-në, si një nga zërat opozitarë më të paepur në Shqipëri, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Kukësit dhe ish-kryetar i Qarkut të Kukësit, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar, është i pajustifikueshëm dhe i rëndë. Z. Elezi prej disa vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm. Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual”, thuhet në një status të publikuar nga zonja Harxhi.

Lexo edhe :  Deklarata e Kim: SHBA mbështesin kërkesën e PD për Reformën Territoriale


Shehaj

Në fakt, kandidatura më e fortë e cila mund t’i hapë jo pak telashe kreut të PD, është ajo e Agron Shehajt, e cila u shpall në ditën e fundit kur pranoheshin emrat për garën e kryetarit. Kandidatura e tij në qytetin e Tiranës, ishte më e votuara, pas Lulzim Bashës. Shehaj arriti të merrte 13862 vota nominale, dhe jo vetëm në njësinë nr. 7 dhe 5 që mbulonte, por në të gjithë qarkun. Zhvilloi një fushatë model dhe ka një CV joshëse për bazën e djathtë. Vjen nga shtresa e të persekutuarve politikë, biznesmen i suksesshëm ku të gjitha të ardhurat i ka të deklaruara dhe investitor i kujtesës antikomunsite në Shqipëri. Kjo e bën figurën e Shehajt, simpatike në sytë e votuesit të djathtë, dhe këtë e treguan dhe votat që ai mblodhi në elektorat. Një pikë tjetër e tij e fortë është mundësia për të përballuar fushatën në bazë, por edhe mediatizimi që ai mund t’i bëjë garës së tij për postin e kryetarit.

Përplasja

Por nga ana tjetër, në cilësinë e kryetarit, Basha ka mbështetjen e strukturave. Kryetarët e Degëve janë të predispozuar që votën ta adresojnë drejt kryetarit të partisë. Gjithsesi, këto janë favore që i ka çdo kryetar, por kjo nuk do të thotë se Basha do e ketë të lehtë në një përplasje të tillë, nga kandidati që e ka pikasur vetë në zgjedhjet e vitit 2017. Nga ana tjetër, interesi i Partisë Demokratike në këtë moment është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të pandikuara nga kryetari apo sekretariati i partisë, pasi vetë PD është në mes të një lufte për të vërtetuar manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit, dhe s’mund të japë shembull të njëjtë kur bëhet fjalë për zgjedhjet brenda partisë. Një favor tjetër që ka Basha është dhe koha e shkurtër që kanë në dispozicion kandidatët e tjerë, e cila mund të jetë e pamjaftueshme për të prezantuar te të gjitha strukturat alternativat e tyre.

Kandidaturat e mbetura në garë

Lulzim Basha
Fatbardh Kadilli
Edit Harxhi
Agron Shehaj

Kandidatët e përjashtuar nga gara

Ibsen Elezi
Admir Mulaj
Edmond Vrapi
Sabri Hoxha
Mirjan Jashllari

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas