Kryesore

Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët e Preshevës bashkohen në një sigël





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:25 - 19/06/20 |
mapo.al
Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës do të marrin pjesë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të mbahen të Dielen. Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar që përbëhet nga pesë parti politike është lehtësuar nga ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj dhe është mbështetur edhe nga autoritetet në Kosovë.

Udhëheqësi i kësaj liste, Shaip Kamberi, thotë se pas më shumë se një dekade partitë shqiptare të Luginës së Preshevës janë bërë bashkë për të çuar përpara kërkesat e tyre.


“Do të thotë një forcim i shqiptarëve në parlamentin qendror, një tregim i fuqisë së tonë reale të votës dhe një dëshmi e qartë se shqiptarët janë më tepër se sa pretendojnë autoritetet e Beogradit, duke mohuar në vazhdimësi të drejtat tona kolektive edhe për shkak sipas tyre numrit të vogël të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon”, tha zoti Kamberi.


Zoti Kamberi thotë se mbështetja e autoriteteve nga Shqipëria dhe Kosova ka bërë që të rriten synimet e shqiptarëve për përfaqësim më të gjerë.


“Participimi dhe angazhimi për të drejtat e shqiptarëve nënkupton shfrytëzimin dhe përdorimin e gjitha mekanizmave institucional, jo vetëm ato të nivelit lokal, jo vetëm për këshillë nacional por edhe prezenca dhe përfaqësimi në nivel qendror në mënyrë që të shfrytëzohen të gjitha ato mekanizma legal, të gjitha ato mekanizma konvencional për të drejtat e shqiptarëve. Në këtë drejtim ai (Gent Cakaj) ka dhënë kontributin kryesor por duhet të them se edhe autoritetet në Prishtinë me deklarimet pro kësaj marrëveshje pro këtij bashkimi të shqiptarëve e kanë ndihmuar dhe ndërtojnë klimën më të mirë që zgjedhësit tanë ta përkrahin këtë listë”, tha zoti Kamberi.


Përfaqësuesit politik e vlerësojnë situatën në Luginën e Preshevës të rëndë dhe sipas tyra nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit të para 19 vjetëve ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në këtë zonë.

Ragmi Mustafa, që udhëheq Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Serbi, me seli në Bujanoc, thotë se pjesëmarrja e një numri më të madh të votuesve do të mundësonte që shqiptarët të sigurojnë deri në tri mandate në parlamentin e Serbisë, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani.

“Shqiptarët kanë pasur një dhe dy në një moment kur Partia për Veprim Demokratik kishte kandiduar dhe tashmë është ngritur ambicia ndër shqiptarë që mund të marrin edhe tre në këto zgjedhje por duhet pasur parasysh që kjo varet edhe nga disa faktorë dhe rrethana tjera nga niveli përkatësisht dalja në këto zgjedhje në nivel të Serbisë dhe nga masovizimi i votës, mobilizimi i votës shqiptare për këtë listë, pra janë këto dy faktorë që janë shumë krucial në këtë moment por konsideroj që ka një atmosferë pozitive e cila do të mund të artikuloj përkatësisht mbledhë gjithë votën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha ai.

Zoti Mustafa thotë se rritja e shkallës së përfaqësimit do të ndimonte ndryshimin e situatës që sipas tij është me e rëndë sesa gjatë viteve 90.

“Për shkak të rrethanave që janë krijuar në rajon dhe në botë, sot shqiptarët e Luginës së Preshevës janë më shumë të diskriminuar se që ishin në të kaluarën sepse ky diskriminim është më përfidë dhe më i kamufluar dhe është vështirë i ekspozuar ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Andaj edhe deputetët e ardhshëm në parlamentin republikan do të kenë një punë të madhe do të kenë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të shpjeguar përkatësisht elaboruar gjendjen faktike të shqiptarëve në Luginën e Preshëvës”, tha zoti Mustafa.

Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës thonë se marrëdhëniet jo të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasqyrohen edhe në situatën në këtë zonë të banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Zoti Kamberi thotë se shqiptarët e kësaj pjese kërkojnë të drejta të barabarta me ato të serbëve në Kosovë.

“Autoritetet deri më tash nuk kanë dëshmuar që kanë vullnet për të bashkëpunuar me shqiptarët dhe partitë shqiptare në rajon për t’i zgjidhur problemet, shpresoj që nisja e dialogut do ta ketë impaktin në këtë drejtim që përfundimisht me këtë listë të bashkuar të na trajtojnë si partnerë për zgjidhjen e problemeve tona dhe shpresojmë që Kosova në radhë të parë me miqtë ndërkombëtarë do të insistojë në ndërtimin e mekanizmave të atillë që garantojnë zbatimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës e që është një rrugë e vetme sa i përket neve dhe e fundit ndoshta të ndërtimit të një të ardhme prosperuese për ne”, tha zoti Kamberi.

Ai thotë se një marrëveshje përfundimtare në të cilën Serbia do të pranonte realitetin e krijuar në Kosovë do të ndihmonte edhe përmirësimin e situatës së paqëndrueshme në Luginën e Preshevës.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas