GARA PRESIDENCIALE
Biden (238):
Vermont, Massachusetts, Maryland, Washington D.C., Delaware, Rhode Island, Illinois, Neë Jersey, Colorado, Virginia, Maine, New York, Connecticut, New Mexico, New Hampshire, California, Oregon, Washington, Arizona, Hawaii, Minnesota, Nebraska
Trump (213):
Indiana, Kentucky, Tennessee, Oklahoma, South Dakota, West Virginia, Kansas, Louisiana, Mississippi, Missouri, Nebraska, North Dakota, Wyoming, Alabama, Arkansas, South Carolina, Utah, Idaho, Florida, Ohio, Texas, Iowa, Montana
GARA NË SENAT
Democrats – 45
Republicans – 46
Independents – 2
GARA NË DHOMËN E PËRFAQËSUESVE
Democrats – 130
Republicans – 148
Independents – 1
Arsen Hoxha, Washington D.C.
Kandidati demokrat Joe Biden po udhëheq (238 vota elektorale) në garën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, përballë rivalit të tij Donald Trump. Biden ka siguruar tashmë disa prej shteteve lindore dhe ato perendimore të SHBA, ku veçohen New York-u, New Jersey, Massachusetts, Connecticut, California, Illinois, Delaware, Washington D.C, etj. Megjithatë, është ende herët për të folur për fitues të kësaj gare të ashpër presidenciale. Trump ka fituar tashme në disa prej shteteve vendimtare për fatin e zgjedhjeve (213 vota elektorale).
Presidenti është rikonfirmuar në një pjesë të madhe të rajonit verior/qëndror të Shteteve të Bashkuara. I njëjti rajon që rezultoi përcaktues në fatin e zgjedhjeve në vitin 2016 që solli Donald Trump-in në Shtëpinë e Bardhë. Këtu mund të përmenden shtete të tilla si Oklahoma, South Dakota, West Virginia, Kansas, Louisiana, Mississippi, Missouri, Nebraska, North Dakota etj.
Votuesit e Presidentit Trump në këto zona janë kryesisht të bardhë, punëtorë të thjeshtë dhe pa diplomë universitare.
Një fitore domethënëse është ajo në shtetin e Floridës. Vlen për t’u përmendur se asnjë kandidat republikan nuk e ka fituar ndonjëherë Shtëpinë e Bardhë pa shtetin e Florida-s. Presidenti pati një mbështetje të gjerë në radhët e komuniteteve hispanike në këtë shtet, ku mund të përmenden kubanët, venezuelanët, kolumbianët etj.
Të gjitha këto komunitete të cilat kanë vuajtur për dekada me rradhë nën kthetrat e regjimeve totalitare në vendet e tyre të origjinës. Sa i takon kubanëve të Amerikës, duket se ata kurrë nuk e gëlltitën rindërtimin e marrdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Kubës gjatë administratës Obama. Trump u shpall fitues edhe në shtetin e Texas-it dhe Ohio-s duke ngushtuar diferencën me rivalin e tij Joe Biden.
Por diku rreth mesnatës së të martës, rrjeti Fox News njoftoi se Arizona u fitua nga Joe Biden. Një rezultat ky i papritur për kampin republikan.
Deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës nuk pati të dhëna mbi rezultatin e zgjedhjeve në Pennsylvania, Michigan, Wisconsin, Georgia, North Carolina dhe Michigan. Të gjitha këto shtete, por në veçanti Pennsylvania është përcaktuese për rezultatin final të zgjedhjeve. Rezultati i këtij shteti nuk pritet të mësohet deri të mërkurën në mbrëmje, për shkak se votat me postë nuk nisën të numëroheshin gjatë mbrëmjes së të martës.
Është ende herët për të folur për fituesin e zgjedhjeve. Natyrisht e mërkura do të na japë një panoramë më të qartë mbi fituesin e humbësin e kësaj beteje. Fituesit i duhen 270 vota elektorale nga një total prej 538 të tillash.
Trump dhe Biden flasin të dy për fitore të thellë
Gjatë mbrëmjes së të martës, menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në pjesën më të madhe të shteteve amerikane, dy kandidatët dhe fushatat e tyre qendruan të heshtur. Por rreth orës 1:00 të mengjesit të së mërkurës, ish-zv/Presidenti Joe Biden doli në një konferencë të papritur për shtyp përpara qindra mbështetwsve në Wilmington, Delaware.
“Ne ndjehemi mirë për pozicionin ku gjendemi. Ne besojmë se jemi në rrugën e duhur për t’i fituar këto zgjedhje. Por duhet të tregohemi të duruar dhe të presim deri në numërimin e votës së fundit. Ne besojmë se kemi fituar Arizona-n, Minnesota-n, Georgia-n, Wisconsin-in dhe Michigan-in. Do të marrë pak kohë por ne do ta fitojmë edhe Penssylvania-n. Mund të marrë pak kohë që rezultati të shpallet por ne do të fitojmë”, tha Biden.
Menjëherë pas kësaj deklarate Presidenti Trump shkroi në rrjetin social Twitter tha se: “ne jemi shumë lart por ata duan të na vjedhin fitoren. Ne nuk do të lejojmë kurrë që kjo gjë të ndodhë. Votat nuk mund të hidhen pasi janë mbyllur qendrat e votimit”, shkroi Trump. Ai gjithashtu njoftoi se do të dilte në një deklaratë për mediat.
Lideri republikan në senat rikonfirmohet për të 7-ën herë
Lideri republikan në Senatin amerikan Mitch McConnell fitoi mandatin e tij të 7-të në shtetin e Kentucky-it. McConnell është aleati kryesor i Presidentit Donald Trump në Kongres dhe udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e Senatit Republikan. 78-vjeçari McConnell mundi demokraten Amy McGrath në zgjedhjet e së martës. McGrath është një pilote në pension e marinës amerikane e cila e hyri në garë përballë McConnell si një e jashtme.
Si një ndër aleatët kryesor të Presidentit në Capitol Hill, McConnell udhëhoqi përpjekjet në senat për të mbrojtur z.Trump gjatë procesit të udhëhequr nga demokratët për ta shkarkuar atë nga detyra. Ai gjithashtu punoi ngushtësisht me Trump në lidhje me politikën e administratës republikane për taksat dhe udhëhoqi emërimin e më shumë se 200 gjykatësve federal, përfshirë këtu Amy Coney Barrett si antare e Gjykatës së Lartë. Po kështu, një tjetër mbështetës i Presidentit në senat, Lindsay Graham, fitoi garën zgjedhore në South Carolina.
Të martën amerikanët votuan edhe për 35 nga 100 vendet totale të Senatit dhe 435 anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve. Deri pak pas mesnatës së të martës, republikanët udhëhoqën garën për Dhomën e Përfaqësuesve dhe atë në senat, edhe pse me rezultat shumë të ngushtë.
Amerikanët votojnë pa tensione dhe presin rezultatin në qetësi
Në ndryshim nga sa u aludua në media apo klima e përgjithshme e krijuar në qëndrat e qyteteve kryesore amerikane, 3 nëntori ka kaluar i qetë dhe pa probleme. Në kryeqytetin Washington D.C. është vënë re një prani e lartë e forcave të policisë, bllokim i disa akseve kyçe rrugore dhe një përqëndrim i ulët protestuesish në krahun verior të Shtëpisë së Bardhë. Kjo e fundit e rrethuar në të gjithë perimetrin e saj me një gardh prej hekuri. Po kështu, dyqanet dhe bizneset në qendër të Washington D.C.-së vijojnë të mbajnë platforma druri në faqet ballore të tyre.
Sondazhi i agjencisë së lajmeve Associated Press
Pandemia dhe ekonomia e brishtë patën një ndikim të madh mbi votuesit në zgjedhjet presidenciale të së martës, një garë që shumë e konsideruan si një referendum mbi udhëheqjen e Presidentit Donald Trump në një kohë trazirash. “AP VoteCast”, një sondazh i gjerë i elektoratit, zbuloi se afërsisht dy të tretat e votuesve thanë se opinioni i tyre për presidentin republikan— qoftë pro ose kundër—pati një ndikim direkt në zgjedhjen e tyre. Vetëm rreth një e treta tha të njëjtën gjë për rivalin e tij demokrat, ish-zv/Presidentin Joe Biden. Kjo qasje u vu re në shkallë kombëtare, si dhe në shumë shtete përcaktuese për fatin e zgjedhjeve.
Rezultatet sugjerojnë se lidershipi, personaliteti dhe fakti se Trump ka qenë i kudogjendur, kanë qenë faktorë përcaktues të kësaj gare, edhe pse votuesit u përballën me kriza të njëpasnjëshme. Ndërkohë që, rastet me koronavirus rriten në të gjithë vendin, afërsisht 4 në 10 votues thanë se pandemia ishte shqetësimi kryesor me të cilin përballej vendi. Ekonomia mbetej mbrapa në këtë renditje, me vetëm 3 në 10 votues që mendonin se ajo ëshhtë ndër shqetësimet kryesore.
Në një vit ku mbizotëruan protestat për drejtësi racore dhe debati mbi racizmin si fenomen strukturor, rreth 1 në 10 votues përmendën racizmin si çështjen më të rëndësishme. Përhapja e koronavirusit ka marrë më shumë se 230,000 jetë amerikane, duke shkaktuar një debat të ashpër politik rreth rrugëve të ndalimit të sëmundjes.
Associated Press thotë se për Presidentin Trump ka mbizotëruar ekonomia mbi mbrojtjen e shëndetit publik, duke pretenduar se virusi ishte nën kontrroll. Nga ana tjetër, Biden e ka hedhur poshtë retorikën e Presidentit Trump si të rrezikshme, dhe është zotuar të marrë një qasje më agresive nëse zgjidhet. Votuesit ishin të ndarë kur u pyetën nëse Shtetet e Bashkuara kanë qenë të suksesshme në ndalimin e përhapjes së virusit. Rreth gjysma e votuesve thanë se virusi është disi ose kryesisht nën kontroll. Gjysma tjetër e përshkroi koronavirusin si jashtë kontrollit. Rreth 6 në 10 votues thanë se përparësia më e lartë e qeverisë duhet të jetë kufizimi i përhapjes së koronavirusit, edhe nëse dëmton ekonominë.
Joe Biden fiton 5 votat e qytezës që njofton e para rezultatin e zgjedhjeve
Kandidati demokrat Joe Biden mori të pesë votat e hedhura për President në Dixville Notch, një lagje e vogël e Neë Hampshire përgjatë kufirit SHBA-Kanada, që është ndër zonat e para në vend që njofton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Votat u hodhën vetëm pak minuta pas mesnatës, duke i renditur zgjedhësit e kësaj zone, ndër të parët që iu drejtuan kutive të votimit më 3 nëntor.
Sipas traditës, të gjithë votuesit me të drejtë vote mblidhen në “Dhomën e Votave” në resortin “The Balsams” në Dixville Notch për të hedhur votat e tyre sapo hapen votimet në mesnatë. Sapo votat hidhen, ato grumbullohen dhe rezultatet njoftohen shumë më herët se kudo tjetër, duke e bërë këtë zonë një pikë referimi për gazetarët dhe të apasionuarit e zgjedhjeve.
Në ndryshim nga zona të tjera në SHBA, votuesit e Dixville Notch nuk duhet të shqetësohen për radhët e gjata. Sipas regjistrimit më të fundit në vitin 2010 kjo qytezë kishte vetëm 12 banorë. Qyteza tjetër në shtetin e New Hampshire, Millsfield, hapi gjithashtu votimet në mesnatë. Trump fitoi këtë zonë 16 me 5 ndaj Biden.
*Shkrim posaçërisht për gazeten Mapo