Aktualitet

Zgjedhjet në SHBA dhe udhëheqësit e Evropës Perëndimore








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:43 - 01/10/20 |
mapo.al

Shumica e udhëheqësve evropianë janë të kujdesshëm për t’u shprehur se kë do të preferonin të fitonte zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, por kjo nuk ndodh me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, një populist që dallon nga të tjerët.


Në një shkrim të botuar në gazetën konservatore Magyar Nemzet, zoti Orban deklaronte në stilin e tij pa dorashka: “Ne jemi për një fitore tjetër të presidentit Donald Trump, sepse e njohim shumë mirë politikën e jashtme të administratave demokrate të SHBA, të ndërtuara mbi imperializmin moral. Ne e kemi provuar atë – megjithëse nën presion. Nuk na ka pëlqyer dhe nuk duam një të dytë.” Ai e cilësoi Presidentin Trump si një aleat në betejën kundër atyre që i quajti “liberalë naivë”.


Zoti Orban i tha gjithashtu radios publike hungareze se Presidenti Trump “është i mirë për Evropën Qendrore”. Mbështetja e Kryeministrit Orban nuk është e papritur. Në vitin 2016, ai u bë udhëheqësi i parë evropian që përkrahte kandidaturën e zotit Trump për president.



Tradicionalisht, udhëheqësit evropianë janë të kujdesshëm për të mos mbështetur këtë apo atë kandidat presidencial amerikan, pasi druhen nga reagimi ose ndëshkimi i publikut nëse favoriti i tyre nuk fiton në zgjedhje. Ndonjëherë ata përpiqen të ndihmojnë në prapaskenë, por edhe kjo mund t’u kthehet si bumerang, siç ndodhi me konservatorët britanikë në vitin 1992, kur doli se ata kishin kontrolluar arkivat e ministrisë së jashtme britanike për informacione të pafavorshme për Bill Clintonin, i cili kishte studiuar në Universitetin e Oksfordit.


Në këtë kuptim, mbështetja elektorale e Kryeministrit Orban për kandidatin Trump është e pazakontë. Presidenti i Polonisë Andrzej Duda dhe zyrtarët e lartë të partisë konservatore nacionaliste të vendit Ligj dhe Drejtësi, ose PiS, u shmangen përgjigjeve kur pyeten se kë preferojnë, kandidatin Trump apo rivalin e tij demokrat Joe Biden. Por a pasqyrojnë pikëpamjet e zotit Orban mendimin privat të të tjerëve në Evropën Qendrore?


Evropa është polarizuar gjithnjë e më shumë midis Lindjes dhe Perëndimit për një mori çështjesh – duke filluar nga migrimi te integrimi evropian, nga sanksionet ndaj Rusisë te sundimi i ligjit, si dhe standardet e demokracisë. Kryeministri Orban dhe udhëheqësit e Polonisë janë aktualisht të përfshirë në një betejë me Brukselin për çështjet e sundimit të ligjit. Të martën, udhëheqësi hungarez kërkoi që zyrtari i BE-së, i ngarkuar me ruajtjen e normave të demokracisë, të shkarkohet për shkak se e quajti vendin e tij “demokraci të sëmurë”.

Dhe nuk është për t’u habitur që edhe për zgjedhjet amerikane të nëntorit, opinionet mes vendeve evropiane janë të ndryshme. Gjatë gjithë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump përgjithësisht nuk ka patur shumë mbështetje në anketat e vendeve evropiane. Vetëm 13% e gjermanëve, 18% e suedezëve dhe 20% e francezëve kanë besim tek ai se po vepron si duhet në çështjet botërore, sipas një sondazhi të kryer në fillim të vitit nga Qendra Kërkimore Pew. Këto përqindje janë shumë më të ulëta se sa paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama, gjatë vitit të tij të fundit në detyrë.

Por tabloja fillon e bëhet pak më e përzier kur lëviz nga perëndimi në lindje, kryesisht për shkak të miratimit që kanë për zotin Trump mbështetësit e partive populiste nacionaliste, të cilat janë më të forta në Evropën Qendrore. Ato e shohin presidentin republikan si një aleat ideologjik, veçanërisht kur bëhet fjalë për migrimin.

Anketuesit e Qendrës Pew zbuluan se shumica e polakëve, 51%, kishin besim te Presidenti Trump për çështjet botërore. Në vitin 2017, vetëm 23% e polakëve e shihnin zotin Trump pozitivisht, por shifrat filluan të rriten kur Presidenti Duda vizitoi SHBA në vitin 2019 dhe dy udhëheqësit njoftuan plane për të forcuar bashkëpunimin ushtarak.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak

Vendimi i fundit i Presidentit Trump për të rishpërndarë një mijë nga 12,000 trupat amerikane që ai ka urdhëruar të tërhiqen nga Gjermania është gjithashtu një vendim i pritur mirë në Poloni, sipas analistëve. Ministri polak i mbrojtjes Mariusz Blaszczak ka thënë se ridislokimi është “diçka e mirë për sigurinë e Polonisë por edhe për vendet e krahut lindor të NATO-s”.

Lexo edhe :  Trump kërkon rinumërim në Xhorxhia - Gjykata rrëzon padinë për Pensilvaninë

Polakët shpresojnë të kenë edhe më shumë trupa amerikane në vendin e tyre. Muajin e kaluar, zoti Blaszczak njoftoi planet për të ndërtuar strehim për rreth 20,000 trupa amerikane, megjithëse zoti Trump deri tani nuk ka thënë se është i gatshëm të vendosë aq shumë trupa në Poloni. Ai ka thënë se dëshiron që marrëdhëniet ushtarake SHBA-Poloni të thellohen.

Një fitore e zotit Biden ka të ngjarë të zhgënjejë shpresat e Polonisë për të patur më shumë trupa apo edhe për t’i mbajtur në Poloni ato që do të rishpërndahen. Ndihmësit e zotit Biden thonë se nëse zgjidhet, ai do të rishikojë vendimin e Presidentit Trump për të tërhequr mijëra trupa nga Gjermania.

Kandidati demokrat për president Joe Biden
Kandidati demokrat për president Joe Biden

“Rezultati i mundshëm nëse zoti Trump humbet zgjedhjet, mund të jetë një problem” për PiS, sipas Lukasz Warzecha, komentator në të përjavshmen konservatore Do Rzeczy. “Prania e ushtarëve amerikanë këtu në Poloni dhe një prani e zgjatur është padyshim shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme për votuesit,” shtoi ai në një intervistë me portalin e lajmeve GZERO, pjesë e Grupit Eurasia, një firmë që merret me analizën e rrezikut politik.

Shtetet e Evropës Qendrore u japin një vlerë edhe më të lartë marrëdhënieve transatlantike sesa ato të Evropës Perëndimore dhe ndajnë antipatinë e administratës Trump ndaj Brukselit, ndonëse në shkallë të ndryshme.

“Një ndryshim kryesor midis qasjeve të politikanëve demokratë dhe republikanë të SHBA për Evropën Lindore duket se qëndron tek kontrasti midis promovimit të vlerave dhe angazhimeve të sigurisë”, sipas akademikëve Cristian Nitoiu, Florin Pasatoiu dhe Loredana Simionov.

“Administrata e Presidentit Trump ka theksuar të dytën, ndërsa Partia Demokrate duket të jetë e përqendruar në arritjen e një niveli të caktuar të ndikimit ideologjik: veçanërisht kur bëhet fjalë për promovimin e vlerave liberale, të tilla si të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe më së fundmi drejtësia shoqërore”, thanë ata në një koment për Shkollën Ekonomike të Londrës.

Nëse demokratët vijnë përsëri në Shtëpinë e Bardhë, thonë ata, “vendet në rajon pritet të shfaqin një angazhim drejt marrëdhënieve më të ngushta ndëratlantike, jo vetëm kur bëhet fjalë për të mbështetur arkitekturën ekzistuese të sigurisë, por edhe duke imituar nga afër zhvillimet e udhëhequra nga vlerat liberale në SHBA, veçanërisht në fushën e drejtësisë shoqërore dhe racore. Sidoqoftë, kjo ka të ngjarë të shkaktojë një reagim të ndjeshëm, pasi shumica e popullsisë në Evropën Lindore priret të jetë mjaft konservatore,” shtojnë ata.

Nga ana e tyre, qeveritë e Evropës Perëndimore mezi presin një rikthim tek marrëdhëniet më të parashikueshme dhe tradicionale ndëratlantike. “Zoti Biden ka qenë gjithmonë një mbështetës i vendosur i idesë ndëratlantike dhe, gjatë karrierës së tij politike për dekada me radhë, ai ka krijuar marrëdhënie të ngushta me udhëheqësit kryesorë evropianë, duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel,” tha Alex Soros në një koment për Këshillin Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë, një organizatë ndërkombëtare e financuar pjesërisht nga i ati i tij, filantropi George Soros.

Në konferencën e sigurisë së Mynihut vitin e kaluar, pak para se zoti Biden të shpallte kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë, udhëheqësit dhe zyrtarët e Evropës Perëndimore privatisht, në periferitë e mbledhjes, i bënë thirrje atij të kandidonte, me idenë se Shtetet e Bashkuara më pas do t’i bashkoheshin Marrëveshjes së Parisit mbi Ndryshimin e Klimës dhe mundësisht të ktheheshin në marrëveshjen bërthamore për Iranin. Presidenti Trump i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga të dyja këto marrëveshje.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas