Aktualitet

Zgjedhjet në Universitete/ Sindikata e Punonjësve: Të pamundura të zhvillohen në kushtet aktuale





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:39 - 06/05/20 |
mapo.al

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve përmes një deklarate shprehet kundër zhvillimit të zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës në datat e caktuara nga Ministria e Arsimit.


Në deklaratë theksohet se kushtet për shkak të epidemisë së Covid-19 e bëjnë të pamundur një garë ku kandidatët të shpalosin platformat e tyre, sikundër studentët nuk mund të jenë të pranishëm në këtë proces zgjedhor.


Sindikata kërkon caktimin e një tjetër date lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa i drejton një apel Rektorëve, Dekanëve dhe drejtuesve të tjerë në sistemin e Arsimit të Lartë që të tërhiqen nga pozicionet e tyre më 30 maj, kohë kur i përfundon edhe mandati, dhe në vend të tyre të caktohen drejtuesit e rinj të përkohshëm.


Njoftimi:


REPUBLIKA E SHQIPËRISË

SINDIKATA E PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË (SPUSH)

Rruga “Bilal Konxholli”, Pallati “Dr. &. Di”, Kati I, Njesia Administrative nr. 8, Tiranë

INUS: L91623453V,Cel. 0693589216, e-mail: [email protected]

Tiranë, më 06/05/2020

Deklaratë për shtyp:

Në lidhje me situatën aktuale dhe zgjedhjet e reja në universitete.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë e vetëdijshme se po kalojmë një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, po ndjek me vemendje situatën e krijuar në universitete.

Kjo situatë ka sjellë forma të reja nganjëherë të papërshtatshme të mësimdhënies, por sidoqoftë në pjesën dërrmuese të universiteteve, tej kushteve të krijuara, pedagogët po vazhdojnë të kryejnë misonin e tyre parësor të transferimit të dijeve.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë uron që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që si studentët edhe pedagogët tu kthehen mjedisve normale të mësimdhënies.

2. Një problem tjetër shqetësues për universitetet publike janë zgjedhjet e reja për organet drejtuese të tyre. Ato fillimisht u shpallën me Urdhrin e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nr. 8, datë 14/01/2020, me ditë të zgjedhjeve datën 8 maj 2020. Situata e jashtëzakonshme solli një vendim normal të MASR për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, me urdhrin Nr. 99, datë 26/03/2020. Data e caktuar në këtë vendim për zhvillim e proçesit zgjedhor është 12 qershor. Kjo datë nuk përkon aspak me kthimin e studentëve në auditore e parashikuar për në muajt korrik dhe gusht, për rrjedhojë, i përjashton ata nga procesi zgjedhor në kundërshtim me Ligjin nr. 80/2015, datë 22.7.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Veç kësaj, nuk sigurohen dot kushte optimale për zhvillimin e një fushate zgjedhore dhe paraqitjen e platformave nga kandidatët, si dhe nuk ka një zgjidhje për votimin online elektronik.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë me bindje të plotë se zhvillimi i zgjedhjeve  është jo vetëm detyrim ligjor por jetik për mbarëvajtjen e administrimit të universiteteve, e konsideron si një element kompromentues të procesit zgjedhor mospjesmarrjen e studentëve. Në këtë mënyrë do të kërkonim rishqyrtimin e këtij urdhri për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme ligjore.

Propozimi i Sindikatës së Punonjësve te Universiteteve të Shqipërisë është që të bëhet një shtyrje tjetër e datës së zgjedhjeve dhe  si periudhë e përshtatshme zgjedhjesh mendojmë se është shtatori 2020, periudha kur do të zhvillohen orët në auditor, ose java e parë e fillimit të vitit të ri akademik 2020 – 2021.

3. Sindikata do të mirëpriste një zgjidhje që për periudhën 30 maj 2020 (kur mbaron mandati i drejtuesve aktualë) deri në zgjedhjen e të mandatuarve të rinj, autoritet drejtuese aktuale (rektor, dekan, përgjegjës departamenti) duhet të tërhiqen nga postet e tyre dhe të caktohen drejtues të rinj të përkohshëm, për periudhën parazgjedhore, p.sh. njëri nga zëvendësit që deklaron se nuk do të konkurojë për post drejtues. Kjo do të siguronte ligjshmërinë e procesit dhe do t’i bënte më të besueshme organet e reja drejtuese të zgjedhura.

 

NË EMËR TË SINDIKATËS SË PUNONJËSVE TË UNIVERSITETEVE TË SHQIPËRISË

KRYETARI

Prof.Asoc.Dr. Sandër KOVAÇI

***

Sot, Artan Hoxha është regjistruar si kandidati i parë për garën e postit të Rektorit të Universitetit të Tiranës. Prof. Dr. Artan Hoxha është aktualisht dekani i Fakultetit të Drejtësisë.

Pas vendimit të Komisionit Zgjedhor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, Rektori i Universitetit të Tiranës ka vendosur të shkarkojë të gjithë pedagogët që përfshirë në procesin zgjedhor.

Ai ka firmosur vendimin dhe ka shkarkuar Majlinda Keta, Benard Dosti, Oriona Muçollari, Gledjan Caka, Ardian Doka, Eglantina Gishti dhe Eno Lushka, që janë pjesë e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas