Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka folur së fundmi për median vendase “Real News” rreth çështjes së kufirit detar dhe bashkëpunimit me Shqipërinë për ta dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Dendias u shpreh se ky është rasti që provon se “Greqia mund të zgjidhë problemet me një busull sipas ligjit ndërkombëtar, dialogut konstruktiv dhe parimit paqësor të mosmarrëveshjeve”.
Më tej, Dendias theksoi se “Shqipëria ka një mirëkuptim të qartë në këtë drejtim sepse vendi po punon që të jetë anëtar i familjes europiane”.
Ai gjithashtu tha se zgjidhja e çështjes së kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, nuk ka pse të hasë pengesa nëse të dy palët tregojnë vullnet.
Risjellim në vëmendje se pak ditë më parë ministri grek ishte i pranishëm në Tiranë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ai komunikoi “ujdinë” për të adresuar në Hagë pretendimin e Greqisë për t’u shtrirë deri në 12 milje në det.
*****
Fjala e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, përkthyer në shqip:
Dua të theksoj se, ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, në rastin e Shqipërisë, Greqia provon në praktikë se mund të zgjidhë problemet me një busull sipas ligjit ndërkombëtar, dialogut konstruktiv dhe parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Në rastin e Shqipërisë ka një mirëkuptim të qartë në këtë drejtim sepse vendi po punon që të jetë anëtar i familjes evropiane.
Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku për të sjellë çështjen e demarkacionit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pas përfundimit të procesit të shtrirjes së ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar Detar. Nëse ka vullnet, besoj se procesi nuk do të jetë problem.
Zgjidhja e kësaj çështjeje të prapambetur do të jetë e dobishme për të dy vendet. Janë të gjitha kushtet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë.