Aktualitet

Zgjimi nga gjumi letargjik shqiptar





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 17:19 - 19/01/20 |
Mark Simoni

Bashkëbisedim me shkrimtaren e njohur Irma Kurti. Bashkebisedoi Mark Simoni


Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në publikun e gjerë njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të lehta në anketa muzikore, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere. Ka shkruar mbi njëqind tekste këngësh.



Ka botuar tetëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 50 çmime në konkurse të ndryshme letrare, ndërmjet të cilave shumë çmime të para në Itali, në Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA.


Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe  emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Irma Kurti jeton në Bergamo të Italisë.

Mund të na tregoni diçka nga fillimet tuaja letrare?
Vargjet e para i kam shkruajtur që në moshën 10 vjeçare. Në këtë periudhë u regjistrova në rrethin letrar të shtëpisë së pionierëve në Elbasan, qyteti ku kalova fëmijërinë. Ishin prindërit që më ndihmuan dhe më inkurajuan për ta kultivuar këtë prirje apo talent timin. Babai, Hasan Kurti, me profesion mjek radiolog ishte tepër i apasionuar pas letërsisë. Ruaj ende shënimet e tij me fragmente nga librat e lexuar të klasikëve dhe autorëve shqiptarë.

Ju jeni gjithashtu autore e mbi njëqind teksteve të këngëve shqiptare në skenat e festivaleve të këngës përpara viteve 90-të dhe më pas. Si lindi kjo dëshirë dhe a vazhdon lidhja me muzikën?
Një tjetër pasion i fëmijërisë sime ishte kënga. Kam kënduar në skenën e festivaleve dhe jam nderuar me çmime. Por më vonë, kur kuraja për të dalë përpara publikut më braktisi, krijova me muzikën një lidhje të re, përmes fjalëve. Në kushtet e sotme të zhvillimit teknologjik kufijtë dhe distancat nuk ekzistojnë; s’është aspak e vështirë të punosh me kompozitorë kudo qofshin ata. Pra, vazhdoj të shkruaj edhe për këngët; vetëm në vitet e fundit dhjetëra tekste të muzikuara mbajnë autorësinë time duke përfshirë dhe ato në gjuhën italiane dhe angleze.

A mund t’i thoni lexuesit rrethanat e para të marrëdhënies suaj me letërsinë, dhe më tej, zhvillimet e veçanta dhe interesante të raporteve tuaja me librat dhe botimet?
Botimet e mia të para kanë qenë në revistat “Fatosi” e “Pionieri” dhe më pas tek “Zëri i Rinisë”, “Drita” e “Nëntori”. Unë dhe poezia jemi rritur me njëra-tjetrën. Kur hedh vargje në letër, ndihem plotësisht vetja ime, është një terren që e njoh dhe nuk më krijon të papritura. Rrethanat e jetës, pikërisht çasti kur humba nënën, që ishte dhe mikja ime më e mirë, më nxitën të shkruaj librin e parë në prozë të titulluar “Midis dy brigjeve”. Ky libër paksa i trishtë, u prit shumë mirë nga lexuesi dhe më bëri që ta njoh veten më mirë përballë dhembjes. Ai gjithashtu u hapi rrugën librave të tjerë në prozë. Vitet e emigrimit në Itali, ku vazhdoj të jetoj, u dhanë më tepër frymëmarrje veprave të mia lidhur me tematikat, kërkimin dhe zbulimin e shprehjeve dhe gjetjeve stilistike jo vetëm në gjuhën shqipe.

Në fakt, ju jeni një nga autoret shqiptare që keni botuar më shumë libra në gjuhën italiane. Kur vendosët të shkruani në një gjuhë tjetër dhe pse?
Të shkruaja në gjuhën italiane për mua nuk ishte dëshirë, por nevojë dhe domosdoshmëri për të ndarë përvojën personale dhe risitë letrare me lexuesin italian. Nuk është aspak e lehtë. Kjo do të thotë punë dhe mund i dyfishtë duke patur parasysh që përkthimin e librave të mi e bëj vetë. Por nga ana tjetër do të thotë afrim dhe njohje më e mirë e një gjuhe tjetër si dhe një pasurim i ndërsjelltë.

Ç’do të thotë të merrni pjesë në konkurse dhe ç’mund të na thoni rreth çmimeve të shumta me të cilat janë vlerësuar veprat tuaja?
Kur erdha në Itali unë kisha përvojën e hidhur të konkurseve shqiptare ku akoma nderohen dhe vlerësohen të njejtat emra. Konkursi është një garë që të ndihmon të kuptosh se deri ku “arrin” vepra jote. Çmimet dhe vlerësimet e shumta në Itali më shtuan besimin tek vetja dhe tek ajo që shkruaj. Në Shqipëri duke e patur të pamundur të bëhesha pjesë e klaneve, grupeve, rekomandimeve, hipokrizive, qëndroja e izoluar, në hije, me ndjesinë se krijoja vetëm për veten time apo rëndom se isha e zhytur në një gjumë letargjik. Natyrisht, konkurset nuk janë gjithçka, i rëndësishëm është lexuesi dhe lidhja që një shkrimtar krijon me të.

Ç’pretendim dhe çfarë pret lexuesi i huaj nga letërsitë e vendeve të vogla?
Ajo që kuptoj nga takimet dhe prezantimet e vazhdueshme që zhvilloj në bibliotekat e qyteteve të ndryshme të Italisë është se lexuesit e këtushëm presin dhe impresionohen nga histori unike, të jetuara, eksperienca të rralla dhe të forta nën një regjim diktatorial, që ata s’kanë patur mundësi ta njohin dhe që e kanë të vështirë apo të pamundur edhe ta imagjinojnë. Sidoqoftë, mendoj se çdo shkrimtar shqiptar apo jo duhet të jetë vetvetja, të shkruajë për ato ngjarje që e shqetësojnë atë vetë në një realitet të turbullt dhe plot anë të errëta si ky i sotmi.

Cilën vepër tuajën keni më për zemër dhe për ç’arsye? Apo keni disa prej tyre që i doni dhe i vlerësoni?
Romanin “Njeriu që fliste me pemët” i botuar në italisht me titullin: “In assenza di parole”(Në mungesë të fjalëve). Këtë libër e kam prezantuar gjatë udhëtimit në bordin e anijes Una nave di libri per Barcellona (Një anije me libra për Barcelonë) me rastin e 23 prillit, Ditës Botërore të librit në 2018. Gjithashtu, kam shpërndarë kopje të tij me autografe edhe në Barcelonë. Kjo vepër është shkruar mbi ditarin e babait tim, që ma la në duar pak kohë përpara se të sëmurej rëndë; në të gjen fragmente të fëmijërisë tij që kur mbeti jetim dhe më pas kur u bë mjek. Është homazhi më i bukur për tim atë dhe çdo vlerësim që i bëhet kësaj vepre është një emocion i veçantë.

Mund të na thoni se cilat janë planet tuaja letrare dhe a keni ndonjë gjë konkrete për të ndarë me lexuesin?
Së shpejti do të dalë në treg për lexuesin shqiptar dhe italian romani im më i ri që trajton një nga tematikat më problematike të shoqërisë së sotme, atë të dhunës në familje.

Çmime të para te Irma Kurtit

1. Çmim i parë në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Prozës 2011 “Napoli Cultural Classic”, në kategorinë e autorëve te huaj.
2. Çmim i parë ne seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo- Europa e Cultura” edicioni i 9-të,2011, në Paullo, Milano për librin “Midis dy brigjeve”.
3. Çmim i parë në Konkursin Letrar “Città di Treviglio” 2014 për tregime të pabotuara.
4. Çmim i parë në Konkursin Nërkombëtar Letrar “Europa” 2015 në Lugano, Zvicër, për librin me poezi: “Nën bluzën time”.
5. Çmim i parë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar: “Posedonia Paestum” 2015 Salerno, me poezinë: “I dashur, ti nuk mund ta dish”.
6. Çmim i parë në Konkursin Letrar “Posedonia Paestum” për librin: “Pa atdhe” në seksionin e autorëve të huaj.
7. Çmim i parë në poezi në Konkursin Nacional të Poezisë: “Ditët e Letërsisë Shqipe në SHBA” në Michigan.
8. Çmimi i parë në Konkursin letrar Ndërkombëtar: “Scriptura” në seksionin e autorëve të huaj me poezinë: “E zakonshme”;
9. Çmimi i parë në Konkursin letrar Ndërkombëtar “Leandro Polverini” në Anzio, Romë për librin: “Il sole ha emigrato”.
10. Çmimi “Libri më i mirë” për përmbledhjen me poezi: “Sulla soglia di un dolore” (Në pragun e një dhimbjeje) në Konkursin Ndërkombëtar Poem Academy Awards organizuar nga Akademia e Artistëve në Napoli.


Etiketa: ,

Pas