Elbasan- Një 4-vjeçar ka humbur në prani të të atit ndërsa ishte duke luajtur pranë shtëpisë së gjyshit të tij në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan. I mituri ka qenë bashkë me të atin, i cili e ka lënë për disa minuta që të luante jashtë, por i ka shpëtuar vëmendjes së tij dhe ka humbur pa lënë asnjë gjurmë. Anxhelo Leka me banim në fshatin Jagodinë, është “zhdukur” që nga mesdita e djeshme dhe prindërit janë detyruar t’i drejtohen policisë për të denoncuar humbjen e tij. Sipas familjarëve, fëmija ka veshur një palë xhinse, bluzë të kuqe e xhup blu. Mbeten mister shkaqet, ndërkohë që dikush duhej ta kishte dërguar në polici vogëlushin e humbur. Prindërit janë frikësuar pasi mendojnë se fëmija i tyre mund të bjerë pre e trafikut, fenomen ky që ka vite që nuk është shfaqur më në Elbasan. Policia është në kërkim të të miturit. F.S.