Mapo Letrare

Zhgualli i breshkës së një shoqërie është mosndryshimi














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:30 - 22/09/19 |
Nga Mark Simoni

Bashkëbisedim me shkrimtaren dhe botuesen e mirënjohur Rita Filipi






Bashkëbisedoi Mark Simoni


Mark Simoni: Unë kam shkruar katër ese të gjata studimore rreth letërsisë erotike, historisë së saj, si ofrohet te popujt me nivele të ndryshme qytetërimi, si ka qenë dinamika e saj shekull pas shekulli, qindra tituj librash me këtë temë delikate e fine, njëkohësisht tunduese dhe provokative, sa të këndshme e të pëlqyer nga disa, aq nervozuese dhe të papranueshme nga të tjerët. Njëra nga esetë e mia titullohet ”Letërsia erotike, shtrati i kuq dhe Kontesha Gamiani”, ku e marr erotikën jo vetëm si fenomenologji dhe si frymëzim letrar, por dhe si disiplinë që lidhet me shumë gjëra. Pikërisht këtë pyetësor dhe bashkëbisedim me ty, mike e nderuar dhe e talentuar Rita Filipi, do ta ndërtoj mbi volumin tim të leximeve.





Kujtoj se në esenë e Henri Milerit “Librat e jetës sime”, shkruhet: “Asokohe, kur shkoja në bibliotekën e lagjes, librat e ndaluar për lexuesit e rinj shënoheshin me yje, një, dy a tri, sipas shkallës së imoralitetit. Ky veprim është një veprim i përkorë për të përndezur dëshirën e ndaluar ndaj këtyre librave”.
A ka në gjestin e vendosjes së titullit “Vrima” një ndjellje ndaj lexuesit, apo për t’i joshur ata drejt këtij libri?



 



Rita Filipi: Më vjen mirë, i dashur Mark, për këtë bashkëbisedim në lidhje me erotikën në letërsi, por dhe më gjerë. Nuk ka brez në botë që të mos e ketë njohur gjatë jetës së tij këtë fenomen. Librat ndalohen për arsye të ndryshme, por dihet që më kryesoret janë ato që lidhen me fenë, politikën dhe moralin. Ndalimi është bërë nëpërmjet censurës shtetërore, siç ndodhi në kohën e diktaturës te ne, por kemi dhe censurë përmes moralit shoqëror, që vazhdon edhe sot të anatemojë libra të caktuar apo fragmente nga libra të caktuar, siç ndodhi dhe në rastin e librit tim “Vrima”.

Sa më e prapambetur të jetë një shoqëri, aq më shumë është e prirur të ruajë të konservuar, si nën një zhguall breshke, atë çka e bën atë të ndihet më e sigurt: MOSNDRYSHIMI. Në disa nga vargjet e mia unë kam shkruar: “Ja ku më keni/ lakuriq para jush kam vendosur të jem/duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati/kundër frikës që na mban mbërthyer në vend”. Shiko, Mark, ne i fshehim ndjesitë tona, jemi mësuar me një model të kënduari poetik, ku mbizotëron sentimentalizmi, melankolia, romanticiteti. Ah, sa prekëse!, themi me të drejtë për vargjet e Dritëroit: “Kur të jesh mërzitur shumë,…Në raft të librave kërkomë…”. Pra, e pranojmë menjëherë diçka prekëse, por nuk pranojmë dot diçka tronditëse, që del nga errësira e nënvetëdijes sonë dhe ne e shtypim dhe e shtyjmë më thellë “këtë ndjesi perverse”, që e ka burimin në kohën e primitivitetit.

Të gjitha instinktet i kemi në qenien tonë, dhe jo vetëm ato të mbijetesës. Kur një ujk shihet sy më sy me ujkonjën dhe ulërijnë nga dëshira instinktive e bashkimit, kur mijëra peshq të mbledhur në breg të detit kryejnë “orgjinë e shumimit”, tregojnë për madhështinë e nënës natyrë. Dhe ne njerëzit jemi bij të natyrës. Por Eva dhe Adami e veshën veten, na lindën ne pasardhësit, që krijuam ligje dhe rregulla. Filluam ta mbysim veten pak e nga pak; burrat duke shtrënguar kollaret dhe gratë duke shtrënguar rruazat me perla e diamante. Por zërin e të parëve e kemi nën lëkurën tonë. Herë pas herë na thërret. Mungesa e lirisë çon në veset më të mëdha njerëzore, çon në ekstreme të tilla, siç janë vetëvrasja, dhunimi dhe vrasja e tjetrit.

Atëherë është arti që çliron, në kohën kur morali na vë kufij. Dhe të dyja janë të domosdoshme për shoqërinë njerëzore. Sa më e emancipuar është një shoqëri, aq më ekuilibër gjendet mes Artit dhe Moralit, mes Shkencës dhe Religjionit. Sa herë flasim për libra të ndaluar, nuk e di pse më kujtohet momenti kur profesori e kap Bekin me një libër, ku trupi i femrës është lakuriq dhe Tom Sojeri, rrugaçi fisnik, i del asaj në mbrojtje.

Dhe të mendosh sot kur është shkruar ky libër, të mendosh se është nga librat më të pëlqyer të çdo brezi fëmijësh dhe pastaj të mendosh se çfarë shoqërie jemi, kur ende ka prindër që skandalizohen nga një libër që iu mëson fëmijëve se në jetë ka ardhur nga seksi.

Duam apo s’duam ne, fëmijët dhe të rinjtë do të ecin para nesh dhe ne, nëse nuk ecim me hapin e tyre, le të tërhiqemi në heshtje në një qoshe, por jo të bërtasim se është kohë e keqe sot dhe dikur ne ishim brez i mirë e i moralshëm. Këto gjëra përbëjnë temën e poezive të mia, të cilat s’kam dashur kurrë t’i shkruaj me gjuhën e një propagande apo të një sentimentalizmi, por me gjuhën e instinkteve.

Mark Simoni:.Gjeografia e botës është po ajo e letërsisë erotike. Nuk ka vend, nuk ka skutë të rruzullit, ku të mos ketë mbërritur ndonjë libër erotik, nuk ka vend e komb që mos të ketë shkrues të kësaj letërsie. Madje dhe vende për të cilat ne mendojmë se tema të tilla janë tabu e blasfemi, kanë autorët dhe studiuesit e tyre seriozë që merren me këtë temë.

Kam në dorë “Sesso e amore in India” e Sudhir Kalar (botim i Pratiche Editrice). Një kronikë skrupuloze e trajtimit të seksit dhe dashurisë në atë vend, vështrim historik, social, juridik, kalendar faktesh dhe emocionesh.

A ndihet një shkretëtirë letrare apo e kritikës në vendin tonë në trajtimin e kësaj teme delikate? Dhe vende shumë tradicionale, me kanune të forta të “moralit kolektiv”, tashmë e kanë tejkaluar këtë ngërç, të paktën në nivelet letrare apo dhe akademike me letërsinë dhe studimet e tyre. A keni ju ndonjë sugjerim a këshillë së paku për këto nivele intelektuale që përmenda?

 

Rita Filipi: Më parë do të doja të bëja një sqarim. Ne shpesh ngatërrojmë letërsinë erotike si zhanër letrar, pra, ku temë e saj kryesore është marrëdhënia intime, seksuale dhe të gjitha kënaqësitë apo problemet, me të cilat përballen njerëzit. Sigurisht më e qartë do të isha, nëse do ta krahasoja këtë mënyrë të shkruari me një film erotik, i cili është më i pranueshëm, të paktën publikisht, nga njerëzit, se sa një film pornografik.

Por të dyja këto zhanre kanë lindur nga njerëzit. Edhe pse pornografia anatemohet nga të gjithë, mos harrojmë se në vetminë tonë ne të gjithë jemi kureshtarë të shohim se çfarë bën ai tjetri dhe veprimet e tij perverse, jo vetëm që atë çast nuk i urrejmë, por na eksitojnë. Eh, ndërsa flasim para të tjerëve, shndërrohemi në njerëz të tjerë. Urrejmë, neveritim, jemi gati të themi se po të kishim një armë në dorë, “do ta vrisnim një çift që bën perversitete të tilla”.

Këta jemi ne, me dy fytyra. Këta jemi ne, që kur shohim një video me njerëz të kapur në flagrancë, shkrihemi nga kënaqësia e ndjesisë akoma më perverse, që është neveritja ndaj tjetrit, i cili bën diçka që ne e dëshirojmë, por kemi aq turp t’ia pranojmë dhe vetes, pale partnerit. Po, sa dashuri të mëdha janë prishur vetëm e vetëm se partnerët nuk kanë qenë të hapur, të lirshëm të sinqertë në marrëdhëniet e tyre intime! Dhe libra, revista apo filma të tillë njerëzit janë të prirur t’i lexojnë, ndonëse në mënyrë të fshehtë.

Tani, i dashur Mark, le të kthehem tek ajo çka unë e kam për zemër për ta folur apo për ta shkruar: Erosi, si filozofi jetësore. Nga vrima, honi i errësirës doli Erosi, që solli jetën e kozmosit, ku të gjithë trupat qiellorë tërhiqen në përjetësi nga forca e dashurisë, si dhe jetën tokësore, ku lindëm ne njerëzit nga dashuria.

Në Antikitetin grek një nga llojet e dashurisë është Agape, dashuria universale, që mund të përbëhet nga dashuria për natyrën, të huajt ose perëndinë. Nuk jam njeri fetar, por e dua dhe besoj te Zoti. Duke qenë femër e kam ndier të gjallë se si më ka përpirë të tërën energjia e tij mashkullore. Dashuria ime për Zotin është horizontale dhe vertikale, gjendem e kryqëzuar në të.

Mendimi im për Zotin është gjendje frymëzimi, orgazëm e lartë, një gjendje e zgjatur që më përshkon çdo qelizë të trupit dhe çdo pore e trupit hapet dhe thith ajrin eksitues, së bashku me valët magnetike që ai i dërgon tek unë. Ky ka qenë frymëzimi im i lartë, kur kam shkruar librin “Vrima”.

Dhe në fund të kësaj çështjeje, do të thosha Mark, se letërsisë shqipe nuk i mungon erosi si filozofi, pavarësisht se nuk kemi një sistem poetik apo drejtim të ngulitur letrar, siç ka në letërsitë e vendeve të zhvilluara. Ndaj dhe kritika shkon paralel me këtë mungesë. Por, ndërkaq, psikanaliza ka hapur mundësi pa fund në këndvështrime të reja të mendimit kritik botëror dhe shqiptar.

Mark Simoni:Vetëm pak më përtej vendit të Kalar-it, është Japonia, erotika e saj e gejsheve, poçët e kuq të bordellove, tregimet erotike dhe “sushi” i tyre. Yasunari Kavabata (Çmim Nobel) e ka trajtuar jo rrallë erotikën në letërsinë e tij. Po ashtu dhe kolegu i tij, Oe Kenzaburoja (dhe ky Nobelist), i frymëzuar nga erotika dhe seksualizmi. Por, ajo që bie në sy në letërsinë erotike japoneze është se kjo rrymë shkruhet përgjithësisht nga gratë. Matsuura Rieko shkroi romanin bestseller “Gishti i madh”, duke i bërë jehonë variante të reja të akteve seksuale.

Kam lexuar dikur një studim të Cristianna Ceci mbi “sushin” japonez. Flet për ngërçet e ekstazës dhe burrat e zhytur në orgazëm (“Në një shtrat dopio”), homoseksualitetin dhe tendencën për të qenë i pashëm në (“Sleeping Beauty”), klithjet e vajzës së përdhunuar kur viktima ndodhet mes tmerrit dhe kënaqësisë në rrëfimin (“Porno e përgjakur”), ngjarjet e tregimit “Hija” zhvillohen në një muze mes vazove të lashta, ku dy dashnorë të vdekur prej qindra vjetësh vizitojnë muzeun dhe mbahen “nga një tension i lehtë erotik”.

Ceci thotë se “prerja e peshkut për një sushi,sjell ekstazën e shqisave njëlloj si në seks”. Në tregimet japoneze “sushi” ka një marrëdhënie të ngushtë mes ushqimit, kuzhinës dhe erotizmit, (“Unë dhe zonja Xhons”, “Marmalata e nostalgjisë”, “Unë, një vezë”).

A mendoni se duke qenë e para në këtë letërsi, jeni në një farë mënyre jo vetëm thirrje për koleget e tua, por dhe një aprovim se janë pikërisht femrat ato që e shkruajnë me sukses letërsinë erotike?
Në bisedën tënde më intriguan dy gjëra: shija erotike dhe liria e femrës.

Rita Filipi: Libri im “Shija e instinktit”, botuar në 1989, e ka marrë titullin pikërisht nga një poezi me të njëjtin titull. Shija e vezës syzë, sidomos e verdha e vezës e ngrënë me një ngadalësi veprimesh, që përfundon me lëpirjen e gishtave në fund, të asocon me një kënaqësi seksuale të shkallës më të lartë. Po të them dhe një sekret, që e dinë vetëm miqtë e mi.

Unë e shijoj shumë, shumë fare ushqimin dhe pijen, sidomos verën. Është një proces i ngjashëm me seksin, pasi marrin pjesë në kënaqësi të gjitha shqisat; ajo e të parit, e të nuhaturit, e të prekurit, e të dëgjuarit, e të shijuarit. Sa për femrat artiste, e kam thënë dhe e them përherë: Këtu në Shqipëri dallohen për lirinë e të shprehurit më tepër sesa burrat.

Dhe mendoj se edhe në dashuri, guxojnë më tepër sesa burrat dhe janë më të prira për sakrifica se ata. Mos të të vijë keq, Mark, por ju meshkujt doni t’i keni të gjitha, pa humbur asnjë fije floku. Hahaha. Megjithatë, nuk ka grua njëkohësisht të fortë dhe sensuale, të vetmuar. Gruaja është si pema që nuk lulëzon dot pa lëngun jetësor që e merr prej burrit dhe që pa të, nuk pjek dot asnjë frutë për t’ua dhuruar të tjerëve.

Mark Simoni:Në një botim shumë serioz të “Rusconi libri” me titull “Storia della camera da letto” (Historia e dhomës së gjumit) i autorit Pascal Dibie mbi erotikën dhe bioarkitekturën. Libri merret shumë me teknikat, komoditetin, performancën, shtretërit, arredimet moderne, interieret dhe eksterieret, me dizajnin dhe ngjyrën e dhomës së gjumit.

Por me një lexim më tjetër unë ndiej raportin dhe harmoninë mes bioarkitekturës dhe ndikimit psikik në erosin e banorëve të dhomës. Tërë ai komoditet duket lehtë se është bërë enkas për dashuri, thelbi i arredimit lidhet me joshjen, tundimin, erotikën. A mund të ndani me lexuesin ndonjë gjë, ndonjë gjendje tënden, ndonjë rrethanë, ndonjë klimë mjedisi, kur keni shkruar apo keni në dorë krijimet tuaja erotike?
Rita Filipi: I dashur Mark, ka ca standarde në kokën tonë në lidhje me idealin e një lidhjeje romantike.

Kjo na vjen nga librat, nga filmat. Veçanërisht nga media që na bombardon me mjedise të kuruara, femra e meshkuj VIP-a, të cilët dhurojnë buqeta me lule të mrekullueshme, unaza me diamante në dhoma e kravate luksoze. Nga jeta kam kuptuar diçka, se, kur fiton njeriu komoditetin, është koha që ka humbur drithërimën, intimitetin.

Ndaj mesazhi im është: harrojini të gjitha këto gjëra dhe ushqejeni trurin me dashuri për partnerin apo partneren, pasurojeni mendjen dhe trupin me energji pozitive, lëreni veten të lirë, mposhtni interesat tokësorë dhe dorëzojuni me gjithë shpirt asaj çka është natyrore, se vetëm ajo do t’ju çojë te hyjnorja.

<
>
1 2 3 4 5 6 7 8
1


Etiketa: , ,

Pas