Rexhep Demetja
Këto ditë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit u shfaq me sukses një nga veprat më të shquara të repertorit klasik botëror, baleti “Zhizel”, me libret të J. de Sain Georges dhe të T. Gauntier, me muzikë të Adolphe Adam, vënë në skenë nga regjisor- baletmaestër Artisti i Popullit, Agron Aliaj, dirigjent Edmond Doko. Zhizel është një balet klasik romantik, i ndërtuar në dy akte, që lindi nga ideja e romancierit francez Theophile Gauntier. Kjo premierë u shfaq për herë të parë në operan e Parisit më 28 qershor 1841. Baleti pati një sukses të jashtëzakonshëm, si një nga baletet më të mëdhenj të repertorit klasik botëror, i realizuar me shpejtësi në skenat më në zë të Europës, si ajo e Londrës, Milanos, Moskës, Vjenës, Berlinit, Madridit etj. Por le t’i kthehemi përmbajtjes, personazheve dhe si zhvillohen ngjarjet në një fshat të vogël, rrethuar me pyje dhe vreshta ku banon Zhizel së bashku me nënën e saj. Zhizel ishte vajza më e bukur e fshatit, e cila mundohet të fitojë zemrën e Albertit, një princi të një kështjelle fqinje, por që Zhizelit i shfaqet si fshatar. Në anën tjetër kemi fshatarin e vërtetë Hansin, që dhe ky sikurse Alberti ka rënë në dashuri me Zhizelin. Në këtë trio, Maestro Aliaj ka përshtatur bukur lëvizjen teknike shoqëruar me plastikën dhe interpretimi i të tre solistëve, si dhe figura koreografike ku secili solist pretendon për të fituar dashurinë e Zhizelit tregojnë aftësitë e tyre teknike të ekzekutuara me mjeshtëri si turrat, shenet, piruetat, sotbaset që janë terma të baletit klasik, por që secila nga këto lëvizje klasike e një shpjegim si p.sh. piruetat, rrotullime në vend me një këmbë në tokë, turret, rrotullime me dy këmbët në ajër dhe shenet, disa rrotullime radhazi pa shkëputje me dy këmbët në tokë. Në këtë duel trimërie apo mburrje autori i jep mundësi të dy solistëve që nëpërmjet aftësive të tyre profesionale të tregojnë para Zhizelit se sa të aftë janë për të merituar secili dashurinë e vashës. Nga ana tjetër, Zhizel ishte e turbulluar nga konflikti i dy të rinjve dhe mundohet t’i qetësojë nëpërmjet lëvizjeve të bukura klasiko-lirike, rrëshqitjeve (glisat) zhëteve, (hedhje më dy këmbët në ajër, deri tek padjeshkat, herë me njërën e herë me tjetrën, ku predominon jo vetëm ana teknike e solistëve, por dhe forca e muskujve të krahëve. Ndërkohë Hansi, duke parë vështirësitë në përballje me Albertin i thotë Zhizelit se Alberti nuk është fshatar, por princ i një kështjelle aty pranë. Zhizel turbullohet paksa nga ky lajm. Por mendon se Hansi këtë e bën nga xhelozia. Në këtë atmosferë të ndezur futen në skenë fshatarët të kthyer nga vjelja e vreshtave. Ata nëpërmjet kërcimeve të bukura plot elegancë krijojnë një atmosferë festive duke u munduar sadopak të shuajnë konfliktin ndërmjet dy të rinjve për të fituar mollën e sherrit, që si gjithmonë është vajza. Bukurinë e kësaj atmosfere e japin krijimtaria koreografike si dhe figurat e larmishme gjeometrike si vijat paralele, ato vertikale, rrethi, gjysmërrethi, diagonalet si dhe formimi i katër rretheve të vogla që na japin përshtypjen e tërfilit me katër fletë, ku në qendër qëndron bërthama e tyre (solistët), por mbasi mbarojnë kërcimet sërish ndizet konflikti ndërmjet Albertit dhe Hansit, ku Alberti tenton ta vrasë me shpatë Hansin. Në këtë moment Zhizel e kupton të vërtetën dhe në dëshpërim të thellë humb vetëdijen dhe vdes. Maestro e ka ndërtuar bukur duetin e dy të rinjve, ku nëpërmjet lëvizjeve teknike që shprehin dhimbjen e secilit, evidenton një plagë të shoqërisë në përgjithësi, ku përpjekjet e dy të rinjve për të dashurën e tyre dhe ngjarja përfundon në tragjedi. Këtu mbaron dhe akti i parë, për të kaluar tek akti i dytë, i cili ndryshe nga ai i parë na prezanton një atmosferë dhimbjeje për vdekjen e Zhizelit që shprehet nga dy të rinjtë pranë varrit të saj, si dhe grupi i vajzave të veshura me të bardha, me lëvizjet e bukura klasiko-lirike si arabesku (shtrirja e njërës këmbë prapa dhe njërën dorë përpara duke krijuar një figurë të bukur, që rrëshqasin në drejtim të varrit të Zhizelit duke kërkuar prehje të qetë të shpirtit të saj. Alberti i braktisur duke vështruar varrin e Zhizelit është ai që i thërret këto vajza sepse e përfytyron Zhizelin të shndërruar sipas legjendës në Vilisë (e shenjtë me të bardha). Në këtë çast kur vajzat me fustan të bardhë dhe lëvizje lirike që i luten Zotit para varrit të Zhizelit, Albertit i duket vetja sikur ka pranë Zhizelin dhe me këtë përfytyrim, ai këtë herë me lëvizje të qeta dhe jo dramatike, me gjakftohtësi por me dhimbje e nostalgji për Zhizelin, avancon përpara skenës me mendimin se Zhizelin përsëri e ka pranë. Merita e Maestros në vënien në skenë të këtij baleti është shumëplanëshe. Së pari, ndërtimi koreografik si ato të solistëve ashtu dhe të trupës së baletit janë në përputhje me atmosferat që ato pasqyrojnë, si dhe në një harmoni të plotë zhvillimesh duke ndjekur shkallën e ngjarjeve si fillojnë, si zhvillohen dhe si përfundojnë, ndonëse finalja tragjike nuk është ideja e Maestros Aliaj, por atyre që e kanë krijuar për herë të parë, por ai kishte mundësi që finales t’i jepte një pjesëmarrje më masive që ndoshta do të kishte më shumë efekte skenike tek spektatori, e megjithatë më mirë se ai askush tjetër nuk e di sot për sot sekretin e këtij arti. Së dyti, autori në rolet kryesore ka aktivizime soliste, të rinj si deputantë në këtë balet si: Erisa Gina në rolin e Zhizelit, ku përveç ekzekutimit me nivel të lëvizjeve klasike dominon interpretimi i bukur prej saj i këtij roli. Fatjon Lito në rolin e Albertit, i saktë në teknikë dhe interpretim; Dion Gjinikaj në rolin e Hansit, që u dallua për ekzekutim të saktë të elementeve teknike si turrat dhe piruetat në ekzekutimin e turrave e bënte bukur me shkëputje shumë nga toka (prizhoku i bukur) dhe poza fikse pas katër piruetave. Endri Shkoza dhe Ledion Sula në kërcimin “pas de deux”, që do të thotë kërcim duet, ku herë kërcen njëri dhe herë tjetri, duke treguar aftësitë e tyre tekniko-profesionale dhe në fund të dy së bashku në këtë kërcim ata ishin tepër të saktë. Maestro pati një meritë të veçantë në aktivizimin me kurajë të elementëve të rinj, përkrah atyre ata me përvojë si Enada Hoxha, Gerti Vaso, Sokol Zhugri, Evis Nallbani, Gerta Hushi, Odeta Deshnica etj. Duke evidentuar këto talente të reja në rolet kryesore nuk mund të mos përmendim edhe ata artistë apo artiste që u aktivizuan në role të dyta apo episodike, si Aliza Gjoni në rolin e princeshës, Matilda Reka në rolin e nënës, Dionis Romano në rolin e mbretit. Beko në rolin e adjutantit të Albertit, Kujtim Hoxhën etj. Një punë të lavdërueshme ka bërë drejtoria e Teatrit të Operas dhe Baletit duke organizuar këtë shfaqje edhe për nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit, duke na kujtuar përvojën në vitet ‘60 kur në shfaqjet e këtij teatri vinin mjaft nxënës dhe studentë të organizuar, në këtë mënyrë ky institucion jep një kontribut të veçantë edhe për edukimin estetiko-kulturor të brezave që vijnë. Megjithëse Zhizel trajton një ngjarje që ka ndodhur dy shekuj më parë, ajo sot evokon te qytetarët dhe sidomos tek të rinjtë anën estetike, shijet e së bukurës, e cila është mjaft e prekshme sepse për edukimin estetiko-kulturor të qytetarëve tanë nuk mjafton vetëm ajo që është e kohës. Bëhet fjalë për baletet moderne, që në ndonjë rast shfaqen të rëndomtë, por edhe balete të bukura që trajtojnë të shkuarën e që na japin kënaqësi dhe emocione sidomos ato të karakterit klasiko-romantik. Te “Zhizel”, grupi i solistëve djem na u paraqit teknikisht më i ngritur te rolet kryesore, ndërsa solistet vajza ishin më mirë të përgatitura nga pikëpamja e inter
pretimit të roleve të tyre. Ndërsa për sa i përket trupës së baletit, këtë herë u paraqit profesionalisht më e ngritur, më e përgatitur. Kjo falë korepeticionit që do të thotë prova të vazhdueshme, të përsëritura të numrave koreografikë në këtë balet nga ana e korepetitorit. Një kontribut jo pak të rëndësishëm në realizimin e kësaj shfaqjeje kanë dhënë pedagogu Luan Shtino, përgjegjësi i baletit Kujtim Hoxha dhe i gjithë stafi drejtues i këtij institucioni, duke përfshirë edhe punonjësit e teknikës, garderrobës, ndriçimit si dhe ata të skenës.
Koreograf